Mbrëmë 450 të vrarë!
Nga sulmet izraelite në Liban të hënën vranë mbi 450 njerëz, duke përfshirë më shumë se 90 gra dhe fëmijë, thanë autoritetet libaneze. Kjo është dita më vdekjeprurëse e konfliktit që nga lufta Izrael-Hezbollah e vitit 2006. Ushtria izraelite paralajmëroi banorët në Libanin jugor dhe lindor që të evakuohen përpara fillimit të fushatës së saj ajrore të zgjeruar kundër Hezbollahut.
Mijëra libanezë u larguan nga jugu dhe autostrada kryesore nga porti jugor i Sidonit u bllokua me makina që shkonin drejt Bejrutit në eksodin më të madh që nga viti 2006.
Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se sulmet shkaktuan vrasjen e 492 njerëzve, duke përfshirë 35 fëmijë dhe 58 gra, dhe plagosjen e 1,645 njerëzve të tjerë. Ky është një numër tronditës viktimash brenda një dite në Liban, që ende nuk e ka marrë veten nga shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të komunikimit javën e kaluar.
Numri i të vdekurve e tejkaloi atë të shpërthimit shkatërrues në portin e Bejrutit në 2020, kur qindra ton nitrat amoniumi të vendosura në një magazinë shpërthyen, duke shkaktuar vrasjen e të paktën 218 njerëzve dhe plagosjen e mbi 6,000 të tjerëve.
Në një mesazh të regjistruar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bëri thirrje civilëve libanezë që t’i kushtojnë vëmendje thirrjeve izraelite për evakuim, duke thënë “merreni seriozisht këtë paralajmërim “.
“Ju lutemi largohuni nga objektivat e ushtrisë sonë”, tha zoti Netanyahu. “Pasi të përfundojë operacioni ynë, ju mund të ktheheni të sigurt në shtëpitë tuaja.”
Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, admirali Daniel Hagari, tha se avionët luftarakë izraelitë kishin goditur 1300 objektiva të Hezbollahut të hënën, duke shkatërruar raketa me vetëdrejtim, platformat të lëshimit të raketave, raketa me rreze të gjatë dhe shkrutër veprimi dhe dronë.
Ai tha se shumë prej tyre ishin fshehur në zona të banuara, duke treguar foto të atyre që ai tha se ishin armë të fshehura në shtëpi private.
“Hezbollahu e ka kthyer Libanin jugor në një zonë lufte”, tha ai në një konferencë për shtypin.
Izraeli vlerëson se Hezbollahu ka rreth 150,000 raketa, duke përfshirë raketa me vetëdrejtim dhe predha me rreze të gjatë veprimi, që mund të godasin çdo cep të Izraelit.
Më herët në mbrëmje të hënën, ushtria izraelite tha se kishte kryer një sulm në Bejrut, pa dhënë hollësi të tjera. Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit njoftoi se lagjia Beir al-Abed në jug të Bejrutit u godit me tre raketa. Televizioni Al-Manar i Hezbollahut tha se gjashtë persona u plagosën si pasojë e këtij sulmi.
Ministri libanez i Shëndetësisë Firass Abiad tha në një konferencë për shtypin se sulmet e mëparshme izraelite kishin në shënjestër spitalet, qendrat mjekësore dhe ambulancat. Qeveria urdhëroi mbylljen e shkollave dhe universiteteve në pjesën më të madhe të vendit dhe filloi përgatitjet për strehimin e personave të zhvendosur.
Hezbollahu filloi të sulmonte Izraelin një ditë pas sulmit të 7 tetorit, në përpjekje për të ndihmuar luftëtarët palestinezë në Rripin e Gazës. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore dhe konflikti është intensifikuar vazhdimisht.
Izraeli është zotuar të largojë Hezbollahun nga kufiri në mënyrë që qytetarët e tij të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë sulmet deri në arritjen e një armëpushimi në Gaza, por kjo duket gjithnjë e më e vështirë ndërsa lufta i afrohet përvjetorit të saj të parë.
Hamasi shkaktoi konfliktin me sulmin e tij të tetorit 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Në kundërofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 41,200 palestinezë. Izraeli thotë se në mesin e të vrarëve janë mijëra militantë të Hamasit./VOA/