Mbytet jahti i miliarderit. Dalin dyshimet e para…
Ekipet e palombarëve arritën të gjejnë të mërkurën trupin e të paktën një personi mbytur tek jahti i mbytur, ndërsa vazhdojnë kërkimet për pasagjerët e tjerë të zhdukur dhe janë shtuar pikëpyetjet se përse jahti u fundos me shpejtësi.
Ekipet e kërkimit sollën një trup të mbuluar në portin e Portiçelos. Kjo konfirmon se tashmë nuk shpresohet më që nga operacioni të gjenden të mbijetuar, por se po kërkohet kryesisht për gjetjen e trupave të viktimave.
Jahti “Bayesian”, me flamur britanik dhe gjatësi rreth 56 metra, u mbyt gjatë një furtune të hënën ndërsa qëndronte i ankoruar rreth 1 kilometër nga bregu. Zyrtarët e mbrojtjes civile thanë se mendojnë që jahti u godit nga një tornado mbi det dhe u zhyt me shpejtësi.
Pesëmbëdhjetë persona arritën të largohen me një gomone dhe u shpëtuan nga një varkë me vela që gjendej aty pranë. Të hënën u gjend trupi i kuzhinierit nga Antigua, Recaldo Thomas.
Gjashtë persona mbeten të zhdukur, ndër ta manjati britanik i teknologjisë Mike Lynch, vajza e tij 18-vjeçare dhe bashkëpunëtorët e tij që e kishin mbrojtur me sukses rishtazi në një gjyq federal në Shtetet e Bashkuara ku akuzohej për mashtrim financiar.
Ndërkohë, hetuesit nga prokuroria në Termini Imerese po mblidhnin prova për hetimin e tyre penal, të cilin e filluan menjëherë pas tragjedisë, edhe pse asnjë i dyshuar nuk ishte identifikuar publikisht.
Pikëpyetje të shumta janë ngritur rreth arsyeve përse super-jahti, i ndërtuar në vitin 2008 nga kantieri detar italian Perini Navi, u mbyt kaq shpejt, kur varka me vela e gjendur aty pranë, “Sir Robert Baden Powell”, mbeti e paprekur nga furtuna dhe arriti të shpëtojë 15 të mbijetuarit.
A ishte thjesht rasti i një tornadoje të pazakontë që e përmbysi anijen dhe mundësoi që uji të futej brenda saj?
Jahte të tilla si “Bayesian-i” kanë nën ujë një bosht që i ndihmon të ruajnë stabilitetin, por që duhet tërhequr për t’iu afruar brigjeve të cekëta. Jahte të tilla gjithashtu duhet të kenë nënndarje të papërshkueshme nga uji, të cilat janë projektuar posaçërisht për të parandaluar një fundosje të shpejtë katastrofike, edhe nëse disa pjesë mbushen me ujë.
“Pra, që anija të fundoset, veçanërisht kaq shpejt, duhet vërtet që të hyjë ujë në bord me shumë shpejtësi dhe në disa vende përgjatë gjatësisë së anijes, gjë që përsëri sinjalizon se jahti mund të jetë kthyer në njërën anë”, tha Jean-Baptiste Souppez, nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Detarë.
Ndërkohë rojet bregdetare italiane dhe palombarët e shërbimit zjarrfikës kanë vijuar kërkimet nënujore në kushte të rrezikshme dhe me kufizime kohore. Për shkak të thellësisë së madhe, nevojiten masa paraprake të veçanta – zhytësit që punojnë në ekipe që shkëmbehen mund të qëndrojnë në ato thellësi për vetëm rreth 12 minuta.
Koha e kufizuar e zhytjes është projektuar pjesërisht për të shmangur sëmundjen e tyre nga dekompresimi, që mund të ndodhë kur palombarët qëndrojnë nën ujë për periudha të gjata dhe kur më pas ngjiten shumë shpejt, duke shkaktuar kështu krijimin e flluskave në gjak nga gazi i tretur azot.
“Sa më gjatë të qëndrohet, aq më e ngadalshme duhet të jetë ngjitja”, tha Simon Rogerson, redaktor i revistës SCUBA. Ai tha se periudhat e kufizuara për kthimin e palombarëve sugjerojnë se drejtuesit e operacionit po përpiqen të kufizojnë rreziqet dhe kohën e rikuperimit pas çdo zhytjeje.