Me 13 nëntor mbledhja e parë e dy qeverive në Romë, asaj italiane dhe të Shqipërisë

Mbledhja e parë ndërqeveritare midis dy vendeve pritet të shënojë një hap historik në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe evropian.

Sipas gazetës italiane “Formiche”, më 13 nëntor në Villa Pamphili në Romë, do të zhvillohet mbledhja e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Italisë, një ngjarje historike që do të vendosë themelet e një partneriteti të ri strategjik midis dy vendeve.

Takimi do të udhëhiqet nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilët do të diskutojnë një sërë marrëveshjesh në fusha kyçe si energji, mbrojtje, migracion, ekonomi dhe integrim evropian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një marrëdhënie historike që hyn në fazën institucionale

Swiss Digital Mobile Reklama

Megjithëse Italia ka qenë tradicionalisht partneri më i afërt i Shqipërisë në Evropë, kjo do të jetë herë e parë që dy qeveritë zhvillojnë një samit të plotë dypalësh.

Sipas Formiche, “Rama dhe Meloni do të përmbysin një trend historik”, duke institucionalizuar bashkëpunimin që deri më sot ka qenë kryesisht në nivel politik e ekonomik.

Ky samit shihet si vazhdim natyror i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 1995, Deklaratës së Partneritetit Strategjik të 2010-s dhe Protokollit për Forcimin e Bashkëpunimit për Migracionin, të nënshkruar më 6 nëntor 2023.

Në maj të vitit të kaluar, gjatë takimit të tyre në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, Rama dhe Meloni nënshkruan një deklaratë të përbashkët që riafirmonte synimin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Fokusi: partneritet strategjik në mbrojtje, energji dhe migracion

Sipas burimeve të Formiche, samiti do të përqendrohet në disa shtylla të bashkëpunimit të thelluar:

Në fushën e mbrojtjes, Italia do të ofrojë teknologji dhe pajisje ushtarake për forcat shqiptare, si dhe do të ndihmojë në ngritjen e infrastrukturës detare dhe të ndërtimit të anijeve në vendin tonë.

Do të krijohen gjithashtu programe trajnimi teknik dhe profesional për personelin shqiptar të sigurisë.

Në sektorin e energjisë, po zgjerohet bashkëpunimi i bazuar në marrëveshjen trepalëshe Itali–Emiratet e Bashkuara–Shqipëri, nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, që parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe ndërtimin e një ndërlidhjeje nëndetëse për transmetimin e energjisë drejt Italisë.

Në fushën e migracionit, do të ngrihet një grup i përbashkët pune për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për përmirësimin e kapaciteteve të patrullimit detar të Shqipërisë.

Projekte për zhvillimin ekonomik, mjedisin dhe shëndetësinë

Një tjetër element i rëndësishëm i samitit do të jetë krijimi i një “Sistemi të Mbrojtjes Civile” në Shqipëri, i cili do të mundësojë transferimin e ekspertizës italiane në menaxhimin e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.

Në fushën e shëndetësisë, dy vendet pritet të nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e një departamenti modern neonatologjik në Spitalin “Gliozheni” në Tiranë, me fokus në shëndetin e nënës dhe foshnjës.

Po ashtu, Cassa Depositi e Prestiti do të njihet zyrtarisht si institucion financiar zhvillimi në Shqipëri, çka do të lehtësojë kreditimin për projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike.

Ky hap pritet të shërbejë edhe si bazë për krijimin e Bankës së Zhvillimit Shqiptare, me mbështetje teknike italiane.

Një tjetër projekt ambicioz është “ExpoAlbania”, një qendër e përbashkët panaire tregtare në Tiranë, që synon të kthehet në hub rajonal për bizneset italiane dhe shqiptare.

Fushë e re bashkëpunimi: ekonomia detare dhe peshkimi

Një ndër pikat e rendit të ditës është forcimi i bashkëpunimit në ekonominë blu.

Të dy qeveritë do të miratojnë instrumente ligjore dhe teknike për zhvillimin e industrisë së peshkimit dhe projekteve të ndërtimit detar në Shqipëri, duke përfshirë partneritete të reja midis SIMEST-it italian dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar Shqiptar për trajnime dhe mentorim të bizneseve të vogla e të mesme.

Italia, promotore e integrimit të Shqipërisë në BE

Një kapitull i veçantë i samitit do t’i kushtohet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku Italia mbetet ndër përkrahëset më të forta të Tiranës.

Sipas Formiche, “angazhimi i Italisë për pranimin e Shqipërisë shkon përtej retorikës politike: Roma po punon për të identifikuar sektorë konkretë me vlerë të lartë të shtuar, që do ta ndihmojnë Shqipërinë në fazën e fundit të konvergjencës me standardet e BE-së”.

Nga refugjatët e 1991-shit te samiti i 2025-ës: Një histori që mbyllet me partneritet

“Formiche” kujton se projekti politik që nisi në gusht të vitit 1991, kur refugjatët shqiptarë gjetën strehim në Itali, po shkon drejt pjekurisë së tij diplomatike dhe ekonomike.

Sot, Shqipëria dhe Italia po ndërtojnë një marrëdhënie të re që mbështetet në besim të ndërsjellë, interesa strategjike dhe partneritet evropian.

Një element simbolik që nënvizon këtë lidhje është edhe fillimi i edicionit të 108-të të “Giro d’Italia” nga Durrësi më 9 maj, një gjest që Romë e Tirana e kanë interpretuar si shenjë miqësie dhe bashkimi mesdhetar.

Analizë: Samiti që riformulon rolin e Shqipërisë në Mesdhe

Mbledhja e parë ndërqeveritare Itali–Shqipëri nuk është vetëm një ngjarje protokollare.

Ajo shënon hyrjen e Shqipërisë në një orbitë të re politike mesdhetare, ku bashkëpunimi me Italinë do të shërbejë si urë drejt BE-së dhe si model për integrimin ekonomik dhe energjetik të Ballkanit me Evropën Perëndimore.

Samiti i Romës pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike të vitit, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?