Me këtë ligj Edi Rama do “palosi” zyrtarët dhe politikanët e lartë
Qeveria miratoi sot draftin për Byronë e Hetimit. Kjo strukturë do të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe ka për qëllim hetimin e zyrtarëve të lartë.
Projektligji i plote
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr.108/2014, “për policinë e shtetit” Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
V E N D O S I:
Në ligjin nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas nenit 26, të kreut V, shtohet kreu V/I, me këtë përmbajtje:
“KREU V/I
BYROJA KOMBËTARE E HETIMIT
Neni 26/1
Organizimi dhe objekti i veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Byroja Kombëtare e Hetimit, në vijim BKH, organizohet si një strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit. Kjo strukturë ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit.
2. Objekt i punës së BKH-së janë:
a) veprat penale të korrupsionit që janë kompetencë lëndore e Prokurorisë për Krimet e Rënda;
b) veprat penale të parashikuara nga nenet 245/1, 248, 256, 257/a, 258, 287, 294, 295/a dhe 328 të Kodit Penal kur një ose më shumë autorë të dyshuar janë funksionarë të lartë ose të zgjedhur vendorë;
c) veprat penale të përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, kur autorët e dyshuar janë subjekte të posaçme, sipas parashikimeve të nenit 75/b, të Kodit të Procedurës Penale.
3. Punonjësit e BKH-së përdorin të gjitha mjetet dhe metodat e ligjshme, të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi, për të zbuluar dhe hetuar veprat penale të parashikuara në pikën 2, të këtij neni.
4. Organizimi dhe funksionimi administrativ i BKH-së përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit. Veprimtaria procedurale penale e BKH-së drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.
Neni 26/2
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Drejtori i BKH-së emërohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak, me shkrim, të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Drejtori i BKH-së emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit dhe në momentin e emërimit i jepet grada “Drejtues i lartë”.
2. Pas përfundimit të mandatit ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të të njëjtit nivel, me gradën që i korrespondon atij funksioni. Kur një funksion i tillë mungon, ai përfiton pagën e këtij funksioni deri në emërimin e tij.
3. Drejtori i BKH-së kontrollon dhe është përgjegjës për funksionimin e kësaj strukture, në bazë të këtij ligji. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e BKH-së, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi.
4. Kandidati për t’u emëruar si drejtues i BKH-së duhet të ketë një figurë të njohur për integritetin dhe për punën me standardet më të larta profesionale.
5. Kandidati për t’u emëruar si drejtues i BKH-së nuk duhet të ketë qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër penale në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër dhe nuk duhet të jetë gjetur fajtor për shkelje të rënda disiplinore.
Neni 26/3
Kriteret e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
Drejtori i BKH-së duhet të përmbushë këto kritere:
a) Të ketë vetëm shtetësi shqiptare;
b) Të ketë arsim policor dhe arsim të lartë juridik ose ekonomik;
c) Të ketë gradën “Drejtues i parë” ose “Drejtues”;
ç) Të ketë përvojë mbi 7 vite në hetimin e veprave penale të fushës së korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda;
d) Të ketë aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe morale;
dh) Të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore;
e) Të mos ketë qenë i dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër;
ë) Të ketë kaluar me sukses kontrollin me poligraf të tërësisë morale dhe motivimit.
Neni 26/4
Përfaqësuesi i Prokurorisë në BKH
1. Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose më shumë prokurorë të Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në BKH. Prokurori i Përgjithshëm cakton prokurorin e vetëm ose njërin prej tyre, kur ka më shumë se një prokuror që të shërbejë si drejtues i grupit të prokurorëve në BKH, duke kërkuar mendimin e ministrit. Prokurorët e caktuar në BKH nga Prokurori i Përgjithshëm mund të vendosen në ambientet e BKH-së.
2. Prokurorët e caktuar në BKH mbikëqyrin të gjithë veprimtarinë procedurale penale që kryhet nga BKH-ja, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Përjashtimisht, prokurorëve të tjerë të Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda mund t’u caktohen hetime të BKH-së nga drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, hetimet e BKH-së për veprat penale të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 2, të nenit 26/1, të këtij ligji, ndiqen nga prokurorët e autorizuar pranë gjykatës në shkallë të parë ku këto çështje gjykohen.
3. Prokurorët e caktuar në BKH kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet që lidhen me cilindo hetim të BKH-së dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me punonjësit e BKH-së.
4. Prokurorët e caktuar në BKH mund t’i sugjerojnë Drejtorit të BKH-së trajnime apo procedime disiplinore të nevojshme për punonjësit e BKH-së.
Neni 26/5
Lirimi/shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Drejtori i BKH-së lirohet kur:
a) përfundon afati i qëndrimit në detyrë;
b) jep dorëheqjen;
c) mbush moshën e pensionit;
ç) i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë.
2. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit shkarkohet nga detyra në rastet e mëposhtme:
a) Kur dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) Për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës;
c) Për sjellje në kundërshtim me rregulloren e Policisë së Shtetit, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij;
ç) Për shkelje të rënda dhe tepër të rënda të disiplinës në ushtrimin e
funksioneve të tij;
d) Kur dalin fakte të reja që bien në kundërshtim me kriteret e vendosura për emërimin e tij.
3. Drejtori i BKH-së lirohet dhe/ose shkarkohet nga detyra nga ministri, në bazë të propozimit të Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimit paraprak, me shkrim, të Prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 26/6
Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet nga radhët e punonjësve të policisë ose nga jashtë organizatës së policisë dhe përzgjedhja kryhet me një proces të hapur e transparent, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara nga ky ligj.
2. Për funksione të veçanta, kur kërkohen njohuri specifike, punonjësi përzgjidhet sipas përcaktimit të nenit 40, të këtij ligji.
3. Përzgjedhja bëhet nëpërmjet një procesi konkurrimi transparent, në përputhje me përcaktimet e nenit 26/7, të këtij ligji.
4. Një person mund të emërohet si punonjës i BKH-së vetëm pasi ka kryer trajnimin e kërkuar dhe ka shfaqur aftësi për të kryer detyrat sipas standardeve të kërkuara profesionale.
5. Emërimi i punonjësit në BKH bëhet nga Drejtori i Policisë së Shtetit, me propozimin e Drejtorit të BKH-së. Për oficerët e Policisë Gjyqësore jepet miratimi paraprak nga Prokurori i Përgjithshëm.
Neni 26/7
Kriteret e emërimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Çdo person mund të bëjë kërkesë për t’u bërë anëtar i BKH-së në qoftë se plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Është shtetas shqiptar;
b) Ka arsim policor dhe diplomë të arsimit të lartë të ciklit të parë apo të dytë të studimeve në fushat drejtësi apo ekonomik si dhe në çdo fushë tjetër që ka lidhje me objektin e veprimtarisë së BKH-së, të përfunduar në një universitet të vendit ose të huaj;
c) Ka mbi 1 vit përvojë punë në polici ose në fushën ku kërkohen njohuritë specifike;
ç) Ka përmbushur me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit të BKH.
2. Të gjithë punonjësit e BKH-së me detyra hetimi sipas Kodit të Procedurës Penale duhet të plotësojnë me sukses të gjitha fazat e mëposhtme të përzgjedhjes:
a) Plotësimi i një kërkese on-line, përfshirë një jetëshkrim e dokumente mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim për motivin e futjes në BKH;
b) Provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen kontrolle për aftësitë njohëse, të sjelljes dhe të të arsyetuarit logjik;
c) Provim i zgjeruar me shkrim, ku vlerësohen aftësitë për hartim raportesh dhe niveli arsimor-kulturor;
ç) Intervistë nga një komision që vlerëson aftësitë e komunikimit me gojë dhe aftësinë për të komunikuar idetë në mënyrë të efektshme;
d) Kontroll i gjendjes fizike që mat si forcën ashtu edhe rezistencën fizike;
dh) Kontroll me poligraf i tërësisë morale dhe i motivimit;
e) Hetim i së kaluarës nga pikëpamja e sigurisë që konfirmon mungesën e dënimeve të mëparshme penale dhe të shpallurit fajtor.
3. Pasi të jetë pranuar si kandidat, personi duhet t’i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një numër modulesh vlerësimi që duhet të kalohen në qoftë se personi duhet të marrë certifikatë. Pasi të ketë marrë certifikatën si person i trajnuar dhe kompetent, punonjësit të BKH-së i jepet distinktivi i autoritetit të BKH-së.
4. Kursi i trajnimit dhe arsimimit, standardet profesionale të BKH-së dhe sistemet e vlerësimit miratohen nga ministri, me propozimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe në konsultim me Komisionin e Pavarur të Rishikimit të BKH-së.
5. Për procesin disiplinor dhe llojet e masave disiplinore zbatohen rregullat e këtij ligji dhe të ligjit për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore.
6. Të gjithë punonjësve të BKH-së u kërkohet të fitojnë një notë kaluese në secilin prej kontrolleve sipas shkronjave “b”, “d” dhe “dh”, të pikës 2, të këtij neni, si kusht paraprak për të siguruar riemërimin çdo dy vjet.
Neni 26/8
Statusi i Policisë Gjyqësore
1. BKH-ja është shërbim i Policisë Gjyqësore.
2. Punonjësit e BKH-së, të emëruar sipas neneve 26/6 dhe 26/7, të këtij ligji, konsiderohen oficerë dhe agjentë të Policisë Gjyqësore.
3. Punonjësit e BKH-së komunikojnë drejtpërdrejt me prokurorët e caktuar për hetimet e tyre.
4. Drejtori i BKH-së është drejtues i këtij shërbimi të Policisë Gjyqësore dhe mund të shkarkohet, të transferohet ose të lirohet vetëm në përputhje me këtë ligj.
5. Pasi një punonjës i BKH-së të ketë shërbyer për shtatë vjet pranë BKH-së, ai nuk mund të shkarkohet apo të transferohet, pa miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
6. Punonjësit e BKH-së ruajnë sekretin hetimor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi.
Neni 26/9
Largimi dhe transferimi i punonjësit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Pas përfundimit të trajnimit të nevojshëm dhe emërimit si punonjës i BKH-së, ai do të shërbejë pranë BKH-së për jo më pak se shtatë vjet, me përjashtim të rasteve kur largohet ose transferohet në përputhje me këtë nen.
2. Punonjësi i BKH-së largohet vetëm në përputhje me procedurat që aplikohen për punonjësit e Policisë së Shtetit sikurse edhe me legjislacionin për organizimin e funksionimin e Policisë Gjyqësore dhe vetëm pas konsultimit me Komisionin e Pavarur të Rishikimit dhe me përfaqësuesin e prokurorisë, nëse:
a) dënohet për një vepër penale nga një gjykatë penale në Shqipëri ose në një vend tjetër;
b) certifikohet si i paaftë nga ana mjekësore për të punuar pranë BKH-së nga një komision mjekësh ekspertë;
c) është objekt i një rekomandimi për shkarkim nga drejtori i BKH-së, në përfundim të një procedure disiplinore që ka vërtetuar se punonjësi i BKH-së ka shkelur rregulloren e Policisë së Shtetit në më shumë se tri raste dhe konsiderohet se është i paaftë nga ana profesionale për të kryer detyrat;
ç) kur dalin ose vërtetohen fakte të reja të panjohura më parë që kanë të bëjnë me arsimin, kualifikimet ose vërtetësinë e punonjësit ose fakte që kanë të bëjnë dhe janë në kundërshtim me kriteret për emërim.
3. Punonjësi i BKH-së, pas shtatë vjetësh shërbim pranë BKH-së, mund të transferohet në një seksion tjetër të Policisë së Shtetit.
Neni 26/10
Pagat e BKH-së
1. Paga dhe shtesa mbi pagë për punonjësin e BKH-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Për mbulimin e nevojave vjetore për mjete, shpenzime dhe shpërblime, Byroja Kombëtare e Hetimit mund të përdorë deri në 20 për qind të fondit të posaçëm që realizohet nga veprimtaria e saj, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
3. Kriteret dhe mënyra e përdorimit të këtij fondi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave.
Neni 26/11
Komisioni i Pavarur i Rishikimit
1. Komisioni i Pavarur i Rishikimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Secili prej misioneve ftohet të caktojë përfaqësues që do të japin ekspertizë dhe këshilla për funksionimin më të mirë dhe zhvillimin e BKH-së.
2. Komisioni i Pavarur i Rishikimit monitoron në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të BKH-së sikurse edhe vendimet për të larguar punonjësit e BKH-së dhe siguron përputhshmërinë me ligjet ekzistuese.”.
Neni 2
Në paragrafin e dytë, të nenit 40, fjalia “Përjashtohen nga ky rregull punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët vijnë nga radhët e prokurorëve në detyrë.” hiqet.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT SHTESË TË KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS PËR PARANDALIMIN E TERRORIZMIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V e n d o s i:
Neni 1
Ratifikimin e protokollit shtesë të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Terrorizmit.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT SHTESË TË KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS PËR PARANDALIMIN E TERRORIZMIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit shtesë të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Terrorizmit”, për shqyrtim e miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I G J
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS ÇEKE, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke, për mbrojtjen shoqërore.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS ÇEKE, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke, për mbrojtjen shoqërore”, për shqyrtim e miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2013, PËR PROJEKTIN “REZERVATI NDËRKUFITAR I BIOSFERËS NË PRESPË”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2013, për projektin “Rezervati ndërkufitar i biosferës në Prespë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2013, PËR PROJEKTIN “REZERVATI NDËRKUFITAR I BIOSFERËS NË PRESPË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2013, për projektin “Rezervati ndërkufitar i biosferës në Prespë””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS “PËR FALSIFIKIMIN E PRODUKTEVE MJEKËSORE DHE KRIME TË NGJASHME, QË PËRBËJNË KËRCËNIM PËR SHËNDETIN PUBLIK”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V e n d o s i:
Neni 1
Ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për falsifikimin e produkteve mjekësore dhe krime të ngjashme, që përbëjnë kërcënim për shëndetin publik”, bërë në Moskë, më 28 tetor 2011, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS “PËR FALSIFIKIMIN E PRODUKTEVE MJEKËSORE DHE KRIME TË NGJASHME, QË PËRBËJNË KËRCËNIM PËR SHËNDETIN PUBLIK””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për falsifikimin e produkteve mjekësore dhe krime të ngjashme, që përbëjnë kërcënim për shëndetin publik”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I G J
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT FINANCIAR USHTARAK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, DHE PROTOKOLLIT TË ZBATIMIT PËR ASISTENCËN FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe protokollit të zbatimit për asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT FINANCIAR USHTARAK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, DHE PROTOKOLLIT TË ZBATIMIT PËR ASISTENCËN FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe protokollit të zbatimit për asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë”, për shqyrtim e miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*Shënim: Bazuar në nenin 117 të Kushtetutës së RSH dhe nenit 29 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave, vendimet e Këshillit të Ministrave publikohen në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi pas botimit të tyre. Drejtoria e Komunikimit pranë Këshillit të Ministrave përpiqet të botojë në kohën më të shpejtë të mundshme vendimet e mbledhjeve të qeverisë, por versioni zyrtar dhe hyrja e tyre në fuqi bëhet vetëm pasi vendimi botohet ne QBZ. Shpeshherë, Vendimet e Këshillit të Ministrave kanë nevojë për zbardhje të mëtejshme, çka e vonon publikimin e tyre në këtë faqe.