Më mirë një ligj i keq se sa pa ligj për portalet

Nga Nikoll Lesi 

Mendimin tim për portalet e kam thënë hapur, pavarësisht se nuk jam aspak dakord me praktikat arrogante që përdor kryeministri Rama. Nuk kam se ç’të shtoj kundër qeverisë dhe personalisht kryeministrit aktual, pasi flet qëndrimi kritik, i përditshëm, i gazetës “Koha Jonë”.

Dhe as kam ndërmend të hipi në “varkën” që më ka nisur Edi Rama me Endri Fugën!

Por në lidhje me portalet ose më saktë me mizorinë e tyre pa asnjë sens etik, që shkruajnë pa fakte, që masakrojnë jetën e tjetrit në mënyrën më mizore, që vetëm kopjojnë punën e portalit tjetër profesionist, që vetëm sajojnë, që vetëm denigrojnë apo të mos them se janë krijuar dhe funksionojnë si “thertore online” të kundërshtarëve; pra për këtë soj duhet LIGJ. Dhe ligj si në median e shkruar, ku nuk ta mban të botosh fyerje apo masakra, pasi përfundon në gjykatë. Dhe gjykata të krip mirë!

Duhet LIGJ për portalet, zoti Kryeministër!

Por nuk jam dakord me mënyrën e penalizimit të portaleve, më atë mënyrë se si e ka konceptuar kryeministri. Jo me AKEP, jo me AMA, por vetëm gjykata të gjykojë e të vendosë për paditë ndaj portaleve. Prapë vetëm gjykata, natyrisht t’i ndryshohet ligji, që të gjykojë brenda pak ditësh, nëse duhet bllokuar apo jo një portal. Nëse duhet detyruar të fshijë, të korigjojë apo të kërkojë falje; nëse duhet gjobitur apo jo.

Por duhet LIGJ ndaj këtyre “thertoreve” online, të cilat në shumicën e rasteve financohen nga krimi.

Njihen kriminelët që i financojnë disa portale, por duhet LIGJI t’i detyrojë për të treguar burimet e financimit etj.

LIGJ për portalet, zoti Rama! Por ta kalosh më parë në sitën e shoqatave të gazetarëve për diskutim. Por duhet LIGJI për këto “thertore online” apo për disa “portale-nevojtore”!

SHKARKO APP