Më në fund Lulzim Basha thotë: Nuk e njoh marrëveshjen e 17 majit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbajtur sot në Kuvend fjalimin e parë si deputet. Në gati 40 minuta, Lulzim Basha paraqiti atë që mund të quhet “vija e sjelljes” që do të ndjekë PD në opozitën e katër viteve të ardhshme.

Përveç akuzave me kanabis dhe kriminelë, në fjalimin e Bashës gjendet dhe përgjigja indirekte e disa pyetjeve që opinioni publik dhe vetë deputetë të PD kanë kërkuar nga Lulzim Basha që t’i sqarojë më kohë.

Për herë të parë, Luzlim Basha foli për marrëveshjen-pazar me Edi Ramën. Ndryshe nga Basha që dikur e cilësonte sukses këtë marrëveshje, sot kreu i PD-së e pranoi se doli i humbur nga pakti me Ramën. Më saktë, Basha pranon se Rama ja hodhi me dinakëri duke e futur në zgjedhje dhe “duke i manipuluar ato më pas”.

Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë çast e Ramanjishit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen dhe rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës”,- tha Lulzim Basha.

Ky është qëndrimi më i qartë i Bashës për marrëveshjen që është cilësuar si pazari “që i bëri gropën” PD në zgjedhjet e fundit. Për herë të parë, Basha pranon se pazari mes tyre nuk ekziston më.

Po sot Basha ka folur dhe për votat e PD që shkuan për Gramoz Ruçin në krye të Kuvendit. Basha deklaron se votat mund të jenë blerë ose tjetërsuar duke quajtur këtë veprim të Edi Ramës, si një tjetër akt që e dëmtoi pazari mes tye. “Nëse 25 qershori e vrau marrëveshjen e 18 majit, 9 shtatori (zgjedhje e Gramoz Ruçit me votat e PD) e varrosi atë përfundimisht”,- deklaroi Basha.

Pasi i bëri sot në Kuvend fjalimin e funeralit të marrëveshjes me Ramën, Lulzim Basha ka vendosur një prioritet të vetëm për këtë legjislaturë. Ai deklaroi kthimi i legjitimitetit të institucioneve është reforma për garantimin e zgjedhjeve të lira.

Nëse kjo reformë nuk do të realizohet, Basha premtoi se do të ketë protesta të mëdha dhe reagim mbarëpopullor. “Çdo përpjekje për të injoruar realitetin do ta kthejë revoltën e heshtur te 25 qershorit përmes bojkotit, në një kryengritje të vërtetë popullore për të zbuar këtë sistem të falimentuar politik me çdo kusht e në çdo mjet”,- deklaroi Basha.

Kërcënimi i Bashës vazhdoj edhe më tej kur deklaroi se populli mund të shqyejë dyert e gjirizit, duke nënkuptuar Parlamentin e dalë nga vota jo e ndershme.  “Nëse kjo nuk ndodh, nese kjo asamble nuk i kthen sendin e vjedhur popullit, përmes zgjedhjeve te lira dhe te ndershme, atëherë atij i lind e drejta ti shqyejë dyert e gjirizit dhe ta marrë përpara këtë gjëndër të së keqes që ka tash sa vjet qe fryhet e majmet ne kurriz te një Shqipërie që mpaket e rrudhet”,- deklaroi kreu i PD-së.

Fjalimi i Bashës sot ishte ai që mungonte prej kohësh nga kreu i PD-së. Që pas 17 majit dhe pas humbjes së zgjedhjeve, kreu i PD-së ka qenë i dyzuar në qëndrimet e tij. Nuk ka folur hapur për çfarë ka rënë dakord me Edi Ramën dhe nuk denoncoi ato që sot i quan manipulime të zgjedhjeve.

Pavarësisht se ka jo pak pikëpyetje, mënyra e vetme e ngritjes së PD është distancimi nga marrëveshja dhe krijimi i një alternative të vërtetë qeverisëse. Sot Basha e hodhi hapin e parë në Kuvend duke mbajtur fjalimin e distancimit nga Ramën. Tani duhet të bind me veprime se vërtetë marrëveshja ka vdekur, apo “fantazmat” e 17 majit do të enden akoma në korridoret e PS dhe PD.

Fjalimi i plotë i Lulzim Bashës

SHKARKO APP