Mediat kryesore botërore flasin dhe shkruajnë për protestën e Tiranës
Të gjitha mediat botërore, por sidomos ato kryesoret, shkruajnë dhe transmetojnë nga Shqipëria se çpo ndodh.
Media kryesore amerikane Foxnews shkruan se partitë shqiptare të opozitës po mbajnë një protestë në Tiranë, duke kërkuar që qeveria të japë dorëheqjen dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mijëra përkrahës të opozitës së qendrës së djathtë nga e gjithë vendi u mblodhën të shtunën para ndërtesës qeveritare, duke mbajtur postera anti-qeveritare. Ata hodhën fishekzjarre, ‘bomba’molotov dhe mjete të tjera.
Opozita akuzon Kabinetin e Kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar.
Deputetët e opozitës hoqën dorë nga vendet e tyre në parlament në shenjë proteste. Socialistët drejtues kanë 74 vende në parlamentin me 140 vende.
Në qershor, Shqipëria pret një përgjigje nga Bashkimi Europian nëse do të fillojë negociatat e plota të anëtarësimit dhe gjithashtu të mbajë zgjedhje bashkiake.
Edhe mediat e tjera ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së mbajtur nga opozita përpara Kryeministrisë. Prestigjiozet ndërkombëtare “New York Times”, “Associated Press”, “Washington Post” kanë kujtuar se protestat e opozitës mbahen për largimin e qeverisë. Gazeta amerikane “New York Times” theksonte në lajmin e saj se protestuesit u përpoqën të thyejnë dyert e ndërtesës së qeverisë së Shqipërisë.
“Përleshjet me Policinë në protestën e opozitës shqiptare”, ishte titulli i gazetës amerikane “Washington Post”, që njoftonte publikun në Shtetet e Bashkuara në lidhje me demonstratën e sotme. Duke iu referuar agjencisë amerikane të lajmeve “Associated Press”, “Washington Post” shkruan se mijëra mbështetës të opozitës shqiptare, të shtunën, u përleshën me Policinë në një tubim antiqeveritar për të protestuar ndaj asaj që ata thonë se është një kabinet i korruptuar dhe joefikas, duke kërkuar dorëheqjen e saj dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, “Zëri i Amerikës” ka shpërndarë një video të momentit kur forcat e Rendit dhunojnë dhe arrestojnë më pas Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi.
“Një skuadër e shtuar policore, e armatosur dhe pajisur rëndë, arrestoi sonte në sheshin para Parlamentit Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi, edhe pasi u identifikua si politikan, duke hequr maskën antigaz nga fytyra, i veshur civil dhe i pambrojtur me vetëm një celular në dorë. Forca të shumta policore janë vendosur përpara institucioneve kryesore, Kryeministri dhe Parlament, gjatë protestës së opozitës”, shkruan VOA.
Po kështu mediat italiane, greke, gjermane, etj e kanë lajmë kryesor.