Media zvicerane: Rama një autokrat, drejtuesit e BE të mos habiten nga protestat

Një ditë pasi revista më e madhe europiane, Der Spiegel, shkroi se në rajonin tonë ka nisur Pranvera Ballkanike, që ka për synim largimin e liderëve autokratë dhe të korruptuar, vijnë edhe dy shkrime të tjera në këtë frymë.

Njësoj si shkrimi i Der Spiegel, që shënjestronte Brukselin me akuza se po përkrah liderët e korruptuar dhe autokratë, edhe gazeta irlandeze ‘Irish Times’ dhe ajo më e rëndësishmja në Zvicër, NZZ, shkruajnë se në rajon ka nisur Pranvera Ballkanike, edhe pse BE nuk po e pranon.

Madje të dyja shkruajnë se Brukseli ka mbetur i trullosur dhe i habitur nga kjo situatë.

“Terreni për këtë frustrim është i ngjashëm në të gjitha vendet. Ai ka një komponent ekonomik dhe një komponent politik. Ekonomia është në stanjacion, papunësia po rritet me ritme të larta dhe punëtorët e kualifikuar po shpërngulen në numër të madh.

Sistemi politikisht është vetëm nominalisht demokratik, por i mungojnë mekanizmat e kontrollit që përbëjnë një demokraci liberale.

Në vend të kësaj, fuqia e ekzekutivit është vendimtare dhe ajo mishërohet nga autokratët Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Milo Gjukanoviç dhe Milorad Dodik. Parlamenti është në rënie dhe gjyqësori nuk guxon të jetë i pavarur. Pjesa më e madhe e mediave raporton në frymën e qeverisë.

Zgjedhjet në këto rrethana janë thjesht plebishite, në të cilat udhëheqësit vetëm sa legjitimojnë pushtetin e tyre periodikisht.

Të katër vendet kanë gjithashtu një tipar të përbashkët, janë të gjitha vende kandidate për në BE. Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur negociatat e pranimit. Brukseli po sheh krejt i pafuqishëm situatën.

Kur zëdhënësja e Komisionit u pyet në fillim të javës nëse shihte një Pranverë Ballkanike në sfond, ajo e mohoi me forcë. Protestat kanë karakteristika të ndryshme, tha ajo, ndaj nuk duhen krahasuar.

Dhe si gjithmonë, kur gjërat shkojnë keq në Ballkanin Perëndimor, zëdhënësja e BE e ka gati frazën standarde: Rajoni ka një perspektivë të qartë europiane nëse vazhdon të reformojë vetveten,” shkruan Neue Zuercher Zeitung.

SHKARKO APP