Mediat Greke: Kryeministri shqiptar, Edi Rama po i hedh benzinë zjarrit
Shënimi i djeshëm në Facebook i Kryeministrit Edi Rama për historinë e Akropolit dhe Athinën shqipfolëse ka shkaktuar një stuhi mediatike në Greqi.
Gazetat kryesore në Greqi kanë sulmuar ashpër sot kryeministrin shqiptar. Gazeta “Eleftherostypos” shkraun se Edi Rama po i hedh benzinë zjarrit.“Me një ofensivë të paprecedent kundër Greqisë, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke për konfiskimin e pasurive greke në Himarë. Rama, në mënyrë ironike dhe fyese, thtoë se Akropoli është shpëtuar nga një shqiptar, por ngre edhe një tjetër çështje: se Athina ishte e banuar nga shqiptarët, duke mbështetur kështu teoritë me ekstreme të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar që çdo arvanitas është anëtar i minoritetit shqiptar”,- thuhet në artikull.
“Akropoli shpëtoi falë shqiptarëve është përgjigjja agresive e Edi Ramës ndaj çështjes së Himarës”- hapet artikulli i gazetës më të madhe në vend, “Kathimerini”, e cila në vijim përkthen të gjithë statusin e Kryeministrit në profilin e tij zyrtar në Facebook dhe sqaron se kjo përgjigjje i referohet urdhrit për largimin nga shtëpitë e tyre të 19 familjeve homogjene himariote duke bërë një paralelizëm të Athinës me të.
“Nuk bëjmë dallime për prishjet në Himarë” është titulli i artikullit të një tjetër të përditshmeje. “To Vima” thotë se për kryeministrin shqiptarë është e patakt ndërhyrja e Greqisë në një çështje të tillë dhe për këtë arsye ka thirrur në takim ambasadoren greke në Tiranë.
Ndërsa “Epirous” artikullit të saj i ka vënë titullin “Përshkallëzohet situata! Tirana zyrtare thërret në takim ambasadoren dhe Rama provokon Athinën”, një artikull ku theksohet se pas 15 vitesh marrëdhëniet mes të dyja vendeve gjenden në buzë të Greminës.
Me një mënyrë të tijën karakteristike, vijon artikulli, ai i ka kthyer përgjigjje Athines duke përdorur një gravurë të Akropolit të vitit 1670 dhe shkruan se qëndron në këmbë sot e kësaj dite falë një shqiptari të quajtur Gjergj Dushmani, i cili u kërkoi venecianëve që të mos e bombardojnë Athinën.
Mediat greke shkruajnë se Kryeministri shqiptarë nuk e njeh historinë dhe se Gjergj Dushmani nuk është shqiptarë, por është nga Korfuzi.
Ndërkohë, “To Ethnos” shkruan se “shqiptarët vazhdojnë të provokojnë me Himarën”. Të tjera medie shkruajnë mbi atë që e cilësojnë si përgjigjjen e pabesueshme të Edi Ramës mbi çështjen e Himarës duke iu referuar edhe qëndrimit zyrtar të ministrisë sonë të jashtme, por portali online i “Pro Neës” shkon më tej kur shkruan se “injoranti i historisë, Edi Rama sfidon: Akropoli qëndron ende në këmbë falë një shqiptari. Himara është Shqipëri”.
Statusi i Ramës në Facebook ka ndezur mediat greke, të cilat e kanë atë ndër lajmet kryesore duke i dhënë kështu akoma më shumë nxehtësi replikave që shkëmbehen në të dyja anët e kufirit prej disa javësh.
Tensione Shqipëri-Greqi/Ministria Greke: Shqiptarët ngatërrojnë historinë
Pas shkrimeve të ashpra me tone nacionaliste dhe fyese të mediave, nuk ka mungua dhe reagimi i Ministrisë së Jashtme Greke.
Deklarata e MPJ greke fokusohet më shumë në problemin e pronave në Himarë. Ndërsa indirekt i përgjigjet dhe Edi Ramës teksa thekson se lidershipi shqiptar nuk e njeh histroinë
“Zyrtarët shqiptarë nuk mund të pretendojnë “urbi et orbi” se të drejtat e minoritetit grek respektohen në të gjithë vendin, në të njëjtën kohë që ata i shkelin ato në praktikë, duke minuar ecurinë europiane të vendit të tyre. Faktet flasin vetë, lajmërimet për shembjet e shtëpive, në kuadër të planit rregullues të Himarës, janë dërguar në persona të minoritetit grek. Bëhet fjalë për një veprim që të çon në përfundimin se ka një plan për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek. Deklaratat e djeshme të zyrtarëve shqiptarë të çojnë në përfundime logjike të cilat bien në kundërshtim me kodet aktuale të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve, që janë në fuqi njëkohësisht në gjithë vendet demokratike e europiane. Udhëheqja shqiptare ka një konceptim të rremë të historisë një konceptim të rremë të historisë duke e ngatërruar me angazhimet e Shqipërisë, të cilat rrjedhin nga e Drejta Ndërkombëtare dhe ajo Europiane, për mbrojtjen e minoritetit grek, i cili është autoktonë dhe me të drejta legjitime”.
Statusi i Ramës në Facebook:
Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.
Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.