Mentor Nazarko: Presidenti Meta, integritet i lartë institucional
Mentor Nazarko, analist politik, sot në Top Channel me gazetarin Denis Dyrnjaja ka folur në lidhje me dekretimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm nga Presidenti i Republikës.
Tashmë jemi në orët e fundit të afatit kushtetues, kur presidenti Meta duhet të vendosë për herë të dytë mbi fatin e ministrit të Brendshëm, nëse do të jetë Sandër Lleshaj ai që do ta drejtojë këtë dikaster, apo nëse do të ketë sërish një refuzim. Presidenca, ndërkohë, shpalli dekretin për shkarkimin e zotit Lleshajt nga grada e Gjeneralit, parantezë e një firme të pritshme për ta zyrtarizuar ministër shkruan edhe Top Channel.
“Duke abstraguar nga emrat e kryeministrit dhe presidentit të sotëm, e gjithë kjo që ndodhi do të duhet lexuar si një përpjekje e Presidencës për të imponuar respekt institucional. Çdo kryeministër duhet ta respektojë presidentin, duke u konsultuar me të për emrat që vendos për ministër, e sigurisht duke dhënë arsye për emërimin apo shkarkimin e dikujt. Ky është një komunikim krejt normal ndërinstitucional, për të cilin në fakt u desh kalimi i dy afateve kushtetuese, për gati dy javë. Gjithashtu është edhe një moment për të kapërcyer atë, që nga Presidenca është interpretuar si një problem i krijuar me të ashtuquajturën ndarje e pushteteve civile nga ato ushtarake”, u shpreh analisti Mentor Nazarko.
Por a mund të thuhet se, qëndrimi i Metës i ktheu në një kuptim legjitimitetin publik presidentit, si figurë institucionale? Vallë presidentët e mëparshëm e kishin çuar Presidencën, apo postin e tyre drejt një koncepti honorifik?
“Unë vet kam punuar me presidentin Mejdani, i cili e kishte këtë dinjitet dhe e ruajti edhe me një kryeministër i Fatos Nano, në periudhën e parë të tij korrik-gusht 1997 deri në shtator të vitit 1998. Ai kryeministër kishte mbi 2/3-at e Parlamentit, kishte autoritet moral dhe politik, pasi nuk ishte i njollosur nga ato afera që do të vinin më pas. Mejdani, 6 muaj pasi Nano ishte kryeministër i refuzoi atij të emëronte menjëherë, pa kurrfarë motivacioni, 8 ministra dhe imponoi standardin e konsultimit paraprak për të paktën 4 role ministrash; si ai i Brendshëm, i Jashtëm, i Drejtësisë dhe i Mbrojtjes”, solli në kujtesë Nazarko.
Këtë, analisti e quajti si zbatim i rregullave kushtetuese të pashkruara, edhe pse presidenti në kohën e Mejdanit kishte më shumë kompetenca kushtetuese. Prej atëherë, Presidenca ka ardhur duke u dobësuar, në kontekstin institucional dhe kushtetues.
“Mejdani ka qenë në fakt president me paketën kushtetuese në fuqi deri më 28 nëntor 1998, e pastaj me Kushtetutën e re që hyri në fuqi me kryeministër Majkon e më pas Metën. Në këtë kuptim, ai ka treguar se e ka respektuar dhe i ka imponuar respekt rolit të presidentit. Kjo është e domosdoshme, nëse ne do të flisnim se Rama ka vendosur kontrollin në të gjithë shtetin”, deklaroi më tej Nazarko.
Duke lënë mënjanë pasqyrën institucionale, a është kjo në kontekstin politik një “thyerje hundësh” ndaj kryeministrit?
“Edhe mund të jetë e tillë, por kur analizojmë procese ne duhet të merremi edhe me pasojat në interesin publik apo në aspektin kushtetues e institucional të vendit. Praktikisht ne kemi një president, tek i cili dhe para të cilit, kryeministri duhet të matet mirë kur të bëjë veprimin e radhës. Edhe në rast se, në fund të fundit do të ketë shkëmbim nderesh, ‘ti më emëro këtë, që unë të të emëroj atë’, edhe kjo është dialektikë institucionale”, tha Mentor Nazarko.
Nazarko deklaroi se kjo ndoshta mund të ishte një lojë e Metës për të treguar se ai ka autoritet dhe nuk është thjesht një lodër, duke gjetur kështu artificën e të qenit ushtarak.
“Megjithatë, nga ky veprim i tij, që mund të ketë frymëzim personal, ka një përfitim praktika e funksionimit të shtetit shqiptar. Pasi kryeministrit i duhet të matet mirë tashmë sa herë t’i drejtohet presidentit për diçka. Sigurisht ka edhe llogari politike, nuk ka një vijë ndarëse të prerë me thikë mes karrierës së Metës si kryetar i LSI-së, apo si president. Ai ndoshta bën llogari edhe për të ardhmen e tij politike, kështu që asgjë nuk është e paligjshme në këtë”, u shpreh Nazarko.