Merkel:Shqipëria pozitivitet në Reforma. Rama: Nuk tërhiqem, drejt BE
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=OFQgWFHSyT8″ width=”560″ height=”315″]
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154227294731523/
(Video e plotë e konferencës për media të Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama)
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur mesditën e së hënës në Berlin. Pas ceremoninë zyrtare të pritjes, Kryeministri doli në një konferencë të përbashkët për mediat me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Gjatë fjalës së saj në konferencë, Merkel uroi shqiptarët për Festën e Pavarësisë. “Dëshiroj t’u shqiptoj shqiptarëve urimet më të përzemërta në ditën kombëtare të tyre”,- tha Merkel.
Ajo shtoi se “Shqipëria është një partnere e rëndësishme dhe në ndihemi të lidhur ngushtë me të. Shqipëria është një aleat i rëndësishëm i NATO-s sot, që ka bërë reforma të shumta”.
Lidhur me procesin e integrimit, Kancalarja Gjermane tha se “Shqipëria është shndërruar në mënyrë të thellë vitet e fundit edhe nga reforma. KE i ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe i ka vlerësuar. Gjermania është përpjekur ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimet e tanishme duke dërguar përfaqësues në misionin Euralius. Kjo ka bërë që reforma juridike të vihet në funksionim. E rëndësishme që kjo rrugë të vazhdojë. KE ka përmendur 5 prioritet, këtu bën pjesë zbatimi i kësaj reforme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që janë hapa të përhershëm. Besoj se janë kryer gjëra të rëndësishme. Duhet shumë forcë dhe guxim për ta ndjekur këtë rrugë. Gjermania do të kontribuojë”, tha Merkel.
Fjala e plotë e Merkel:
Më lejoni ta përshëndes dhe njëherë zotin Edi Rama për një vizitë sërish në Gjermani. Ne duam flasim sot për zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri. E bëjmë rregullisht këtë shkëmbim bisedimesh. E zhvillojmë sot në ditën kombëtare të Shqipërisë dhe dëshiroj që kryeministrin dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, t’ju shqiptoj urimet mw të përzemërta në ditën kombëtare të tyre dhe t’ju uroj zhvillim të mbarë. Shqipëria është bërë një partner i rëndësishëm që para kthesës politike 26 vjet më parë, është bërë një aleate e fortë në NATO, me të cilën ne ndihemi të lidhur ngushtë edhe në marrëdhëniet bilaterale. Ne konstatojmë që Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore vitet e fundit dhe që ka ndwrmarrë hapa të rëndësishme në fushën e reformave dhe që i ndërmerr edhe më tej ato.
Komisioni Europian i ndjek në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në Shqipëri dhe në raportin e fundit për vendet aspirante e ka vlerësuar këtë zhvillim dhe unë dëshiroj ta uroj shumë përzemërsisht kryeministrin Edi Rama për këtë zhvillim. Republika Federale e Gjermanisë është përpjekur që ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimet e tanishme, p.sh duke dërguar përfaqësues në misionin EURALIUS, gjë që ka kontribuar që reforma juridike të mund të vihet në funksionim. Është e rëndësishme që kjo rrugë e nisur të vazhdojë. Komisioni Europian ka përmendur 5 prioritete dhe këtu bën pjesë zbatimi i qëndrueshëm i reformës së drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Këto janë hapa të përhershme që duhen kryer, duke patur parasysh edhe zgjedhjet që ka. Shqipëria do të vihet në kontakt me OSBE dhe unë besoj që këtu janë arritur gjëra të rëndësishme dhe ai që i shikon zhvillimet në Shqipëri e di që këtu kërkohet shumë forcë, shumë guxim për ta ndjekur këtë rrugë dhe ne do të flasim me njëri-tjetrin edhe më hollësisht se si do të ndihmojë Gjermania për më tej. I uroj përzemërsisht mirëseardhjen zotit Edi Rama!”
Ndërsa Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në konferencë, u ndal në proceset dhe reformat e vendit duke theksuar se këto nuk shihen si detyra, por si detyrime ndaj qytetarëve dhe partnerëve tanë. “Reforma në drejtësi, është vetëm detyrë e kryer në letër, tani është koha për ta implementuar. Shqipëria mirëkupton dhe mbështet kushtin e KE që shoqëron rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave”,- tha Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar dhe se integrimi i vendit nuk është një kërkesë e Europës por amanet nga të parët dhe borxh për fëmijët shqiptarë.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në deklaratën e përbashkët për mediat me kancelaren Merkel:
E nderuar zonja Kancelare!
E dashur Angela!
Faleminderit për ftesën për të ardhur në Berlin sot, më 28 Nëntor, Ditën e festës tonë kombëtarë të Pavarësisë, 104 vjet pas shpalljes së saj, dhe në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, në rrugëtimin drejt integrimit të plotë me Bashkimin Europian.
Faleminderit po ashtu, për faktin që me gjithë angazhimet e jashtëzakonshme që ju keni, keni gjetur përsëri kohën që të takohemi zyrtarisht për të tretën herë në harkun e tre viteve. Shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë dhe kudo ku jetojnë në rajonin tonë, ju janë thellësisht mirënjohës për mbështetjen e fuqishme që Gjermania dhe ju personalisht i keni dhënë krijimit të kushteve për t’i dhënë paqes në Ballkan një cilësi të re bashkëpunimi rajonal.
Procesi i Berlinit është kthyer në një hapësirë të re komunikimi e ndërveprimi mes shteteve e qytetarëve të rajonit tonë dhe zyra e bashkëpunimit rinor rajonal ngritur në Shqipëri me modelin frymëzues franko-gjerman, është vetëm një prej treguesve kuptimplotë të këtij procesi historik.
Unë nuk ju them asgjë të re, duke nënvizuar edhe sot faktin se kjo situatë e re premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që ka Europa për ne, gjë që ju e keni konstatuar dhe nënvizuar vazhdimisht. Por, po ashtu dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive për rajonin tonë, as ne dhe as miqtë dhe partnerët tanë europianë nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, sepse në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian.
Procesi i integrimit europian për ne, për popujt e rajonit tonë, të cilët janë tërësisht europianë, edhe pse shtetet tona nuk janë ende anëtare të BE, duhet të jetë një proces sa më i ndershëm dhe sa më i parashikueshëm.
Shqipëria e shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne nuk kemi hyrë në këtë rrugë, sepse na i ka imponuar Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse na i kanë diktuar etërit themelues që e kanë krijuar shtetin shqiptar 104 vjet më parë, si shprehjen e një vullneti të hershëm, për t’u ndarë nga Lindja e për t’u bashkuar me Perëndimin. Ashtu siç na e ka diktuar dhe na e dikton çdo ditë interesi i gjeneratave pasardhëse për të jetuar në një shtet demokratik që garanton liritë dhe të drejtat e çdo qytetari.
Prandaj, ne nuk i kemi parë asnjëherë detyrat tona të shtëpisë në rrugën e integrimit europian, si një barrë që e kanë ngarkuar të huajt, por vetëm si një borxh që ua kemi fëmijëve tanë. Me këtë vetëdije ne kemi kryer gjatë këtyre tre vjetëve reforma të thella modernizuese dhe me mbështetjen e pakursyer të miqve tanë europianë, në radhë të parë të Gjermanisë dhe tuajën personalisht, ne kemi kaluar këtë vit një reformë madhore kushtetuese, Reformën e Drejtësisë. Marrja e statusit të vendit kandidat 2 vjet e gjysëm më parë na shërbeu si një motivim i veçantë për kryerjen e kësaj reforme, e cila me plot të drejtë konsiderohet kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Unë sot jam shumë krenar që pasi u takuam më parë në Berlin dhe ju ma bëtë shumë të qartë që – për t’u bërë një vend anëtar i BE, ne e kemi gjithë mbështetjen tuaj, por na duhet me patjetër Reforma në Drejtësi, – sot ne e kemi në kartën tonë kushtetuese të kryer këtë detyrë. Por është vetëm një detyrë e kryer në letër, sepse tani është koha për ta implementuar. Jemi shumë mirëkuptues, Shqipëria e mirëkupton, dhe e mbështet plotësisht kushtin e Komisionit Europian që shoqëron rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, që të fillojmë zbatimin e ligjit të Vettingut për gjykatësit e prokurorët.
Ashtu sikundër, as nuk e vë në diskutim që deri kur negociatat duhet të çelen zyrtarisht, progresi në 5 prioritet duhet të jetë i vazhdueshëm dhe ato mbeten udhërrëfyesi ynë deri në ditën e anëtarësimit në BE.
E në fund, e dashur Kancelare, unë dua t’u them se Shqipëria e kërkon dhe besoj që Shqipëria meriton nga BE të njëjtin luajalitet që i ka shprehur vijimërisht Bashkimit Europian me politikën e saj të jashtme 100% të përputhur me vendimmarrjen e BE, me politikën e saj rajonale, tërësisht të orientuar nga vlerat e BE-së dhe me politikën e saj të brendshme plotësisht të udhëhequr nga fryma europiane e zhvillimit demokratik dhe shoqëror.
Edhe një herë tjetër, unë dua t’ju shpreh bindjen time se, po aq sa Shqipëria dhe rajoni ynë sot ka nevojë për Bashkimin Europian, po aq dhe BE ka nevojë për Shqipërinë dhe rajonin.
Unë dua t’u siguroj ju dhe qeverinë tuaj se siç nuk e kemi shpërdoruar asnjë çast besimin dhe mbështetjen që kemi marrë këtu në Berlin, në rrugën tonë, do të vazhdojmë të punojmë për t’i çuar përpara reformat dhe për t’i zbatuar ato në realitetin e përditshëm të Shqipërisë, në mënyrë që më shpejt, se vonë të jemi të gatshëm që të bëhemi pjesë e BE.
Me mirënjohje për Ju dhe me shumë respekt për gjithçka Ju bëni që bota të bëhet më e mirë!
Kryeministri kërkoi që BE t’i përgjigjet Shqipërisë me të njëjtin lojalitet që vendi ynë ka treguar ndaj BE-së.
“Jam shumë i vetëdijshëm se nuk është fundi por vetëm fillimi i mbarë i një faze të re të përpjekjeve tona për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të BE. Ndaj Shqipëria e mirëkupton plotësisht kushtin e vendosur për çeljen e negociatave, zbatimin e vettingut. 5 prioritet përbëjnë një udhërrëfyes edhe pas anëtarësimit në BE. Shqipëria meriton nga BE të njëjtin lojalitet që ka treguar ndaj BE-së. Po aq sa Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Evropian po aq ka nevojë edhe BE për Shqipërinë dhe Rajonit. Me mirënjohje për ju dhe me gjithë respekt për gjithçka që bën që bota të bëhet më e mirë”, tha Rama.
Kushtet e Merkel ndaj Shqipërisë:
Ja kushtet e përsëritura nga kancelarja Angela Merkel në takimin me kryeministrin Edi Rama dhe mbështetjen që ajo ka dhënë për çeljen e negociatave:
1.Konfirmohet gadishmeria e Gjermanise per mbeshtetjen e rekomandimit te Komisionit Europian per fillimin e bisedimeve per anetaresim me Shqiperise, sapo te jete zbatuar ligji i Vettingut.
2-Keshilli pritet t’i kerkoje Komisionit raportim per ecurine e zbatimit te ketij kushti. 3.Keshilli pritet te nxise Komisionin qe te perfshihet ne nje proces te strukturuar me Shqiperine per te mundesuar nje pergatitje sa me te mire ne lidhje me detyrimet qe burojne nga procesi i negociimit.
3.Progresi i metejshem ne 5 prioritetet kyce i rendesishem per avancimin ne procesin e aderimit ne BE.
Konkluzioni: S’ka 7 pritshmeri por ka 1 kusht (vettingu) per te hapur negociatat dhe natyrisht nevojitet progres i metejshem per 5 prioritetet, zbatimi i te cilave do vijoje edhe gjate procesit te negociatave per anetaresim