Mesazhe urimi dhe solidaritet. Shqiptarët festojnë Krishtlindjen

Ceremonia e Festës së Krishtlindjes ka nisur dje në mbrëmje. Besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë lutur për më shumë paqe dhe mirësi. Ashtu si dhe festat e tjera në vend, Krishtlindjet janë një ngjarje që dëshmon bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Urimeve dhe solidaritetit të kësaj feste të madhe, veç besimtarëve kristianë u janë bashkuar edhe qytetarët e besimeve të tjera, duke e bërë edhe më të veçantë këtë ditë.

Ceremonia në katedralen e Shën Palit në Tiranë

Besimtarët katolikë në katedralen e Shën Palit në Tiranë u lutën për më shumë paqe e mirësi në meshën tradicionale të Krishtlindjes, që u kremtua nga Arqipeshkvi i Arkidioqezes Tiranë-Durrësit, Imzot Xhorxh Frendo.

Ora News - Gëzuar Krishtlindjen! Besimtarët festojnë lindjen e Krishtit

Duke folur para besimtareve ai tha se është një festë e madhe, e familjes dhe dashurisë.“Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia.

Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore”, tha Imzot Xhorxh Frendo. Jezusi tha ai u kujdes për njerëzit e sëmurët, çdo njeri që kishte nevojë dhe ai kërkon nga ne të imitojmë shembullin e tij.

E diela në mbrëmje ishte vigjilja e Krishtlindjeve, një festë me orgjinë romake që festohet çdo vit në natën mes datës 24 dhe 25 dhjetor dhe përgjatë tërë datës 25. Simbolika u rimor nga të krishterët për të përkujtuar lindjen e Jezu Krishtit dhe pas Pashkëve, ringjalljes, është festa më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të krishterë.

Narrativa tradicionale e Krishtlindjeve, që përshkruhet në Testamentin e Ri, thotë se profecia parashikoi lindjen e Jezusit në një stallë në Betlehem, si biri i Jozefit dhe Marias.

Në fakt dita dhe muaji i lindjes së Krishtit nuk dihen, por rreth shekullit të katërt kisha perëndimore zgjodhi datën 25 dhjetor, si një simbolikë për të përkujtuar ardhjen e Zotit në tokë në formën e njeriut, për të shlyer mëkatet e njerëzve.

Gjithsesi sot festa e Krishtlindjeve është zhveshur shumë nga simbolika thjesht fetare dhe në shumë vende, përfshirë Shqipërinë që doli nga një periudhë e gjatë ateizmi shtetëror, Krishtlindja festohet nga të tëra dhe është ditë pushimi zyrtare, ku familjet bashkë mblidhen përreth një dreke festive, për të shkëmbyer dhurata.

Janullatos sot Meshën e parë si shqiptar

Ora News - Meta e bëri shqiptar, Janullatos e krahason me verën e vjetër

Këtë mëngjes Fortlumturia e tij Anastasi udhëhoqi qindra besimtarë ortodoksë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Kjo ishte Mesha e parë e Krishtlindjes që ai kremton si shtetas shqiptar.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos në meshën për Krishtlindjen ka falenderuar Presidentin Ilir Meta për vendimin e dhënies së shtetësisë shqiptare. Në fjalën e tij, kryepeshkopi Janullatos krahasoi vendimin e Presidentit me “verën e cila sa më shume vjetërohet aq më shume vlera merr”!

Anastas Janullatos: Dua tju vë në dijeni se dje se shefi i kabinetit të Presidentit Meta, Arben Cici, më dha një letër të Presidentit Ilir Meta ku mu vu në dijeni se mu dha shtetësia shqiptare

Shpreha gazimin tim për këtë akt. Falënderimet e mia për Presidentitn, shtova që qysh nga çasti që u bëra kryepeshkop dhe erdha në Shqipëri ndihem si një nga qytetarët që ka përgjegjësi për këtë vend.

Ky vendim që mori presidenti gëzon mijëra ortodoksë në mbarë vendin që presin të marrin prej shumë vitesh që të marrin këtë lajm.

Përfundoj fjalën time duke thënë se disa gjëra, siç është vera kur shkon koha, ato përfitojnë vlerë më të madhe. Përvoja ime prej 25 vitesh, presidenti i përshkruan me mirësjellje brenda letrës, i shton rëndësi këtij vendimi që ka marrë.

Mesha në Vatikan, Papa ia dedikon emigrantëve

Emigrantët ishin mesazhi kryesor i papës Francesku gjatë mesazhit të tij të Krishtlindjeve. Kreu i Vatikanit i bëri thirrje të krishterëve që të mos injorojnë vështirësitë e njerëzve që janë larguar nga tokat e tyre.

Papa i krahasoi emigrantët me marinë dhe Jozefin duke treguar historinë se si ata udhëtuan nga Nazareti drejt Betlehemit, por nuk gjetën vend për të qëndruar.

“Shumë emigrantë- tha Papa -detyrohen që të largohen nga vendet e tyre, t’ia mbathin, për shkak të liderëve që derdhin gjak të pafajshmish pa u menduar dy herë”. Mbrojtja e emigrantëve në të gjithë botën ka qenë një nga prioritetet e papës Francesku gjatë papatit të tij.

Urimet e politikanëve shqiptarë për festën e Krishtlindjes

Edi Rama: Mirëmengjes dhe gëzuar 

Kryeministri Edi Rama, përmes një video, uron gëzuar Krishtlindjen. Kryeministri Edi Rama: “MIRËMËNGJES dhe KRISHTLINDJE TË GËZUAR”.

Lulzim Basha: Zoti e bekoftë Shqipërinë 

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155421414566523/

Edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Lulzim Basha: “Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shërbëtorëve të Zotit në kishat, katedralet, dhe manastiret e dioqezave shqiptare, në vendlindje dhe diasporë, Krishtlindje të Gëzuar dhe të Bekuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”!

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/1731631303554710

Kryemadhi: Një dritë shprese po vjen

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar gjithë besimtarët për festën e Krishtilindjes. “Urimet më të mira në këtë vigjilje të shenjtë! Një dritë shprese me emrin Jezus Krisht po vjen pranë Nesh. Shpresa, harmonia, dashuria mbizotërofshin te Ju dhe familjet tuaja të bekuara. Ditët do të kenë lodhje, strese, lot, por dhe buzëqeshje e lumturi, mjafton që shpresa për Jetën të mos humbasë kurrë, prandaj dhe jeta që na dhuron Zoti është e bukur”.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/posts/1477194095726661

Qindra qytetarë ndoqën në sheshin “Skënderbej” koncertin e festës së Krishtlindjes

Sheshi “Skënderbej” ka qenë të dielën në mbrëmje më i gëzueshëm se kurrë më parë. Krahas atmosferës festive që sjell aty thuajse çdo ditë fshati i Krishtlindjeve, sot në mbrëmje qytetarët e Tiranës ndoqën koncertin kushtuar natës në prag Krishtlindje. Artistë të njohur shqiptarë si Kastriot Tusha, Eva Golemi, Manjola Nallbani, Suzana Frashëri, Ramona Tullumani, Ardita Menisi dhe instrumentist solist Zeqir Sulkuqi, por edhe Orkestra Philharmonike dhe kori Pax Dei nën drejtimin e Suzana Turkut, performuan këngë dhe pjesë të zgjedhura jo vetëm shqiptare, por edhe me famë botërore.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përcolli urimin e tij për të gjithë besimtarët që festojnë Krishtlindjet, ndërsa theksoi se ato janë momente gëzimi, por edhe reflektimi për këdo për të qenë më solidar dhe më të dashur me njerëzit. “Në këtë vigjilje Krishtlindjesh dua t’iu uroj të gjithëve atyre që e festojnë, por edhe atyre që nuk janë besimtarë, Krishtlindje të gëzuara dhe shpresoj që shpirti i secilit do jetë pak më i butë, mendja pak më e hapur, zemra pak më e mirë”, tha Veliaj.

Më tej, ai shtoi se Krishtlindjet përcjellin për këdo mesazhin se asgjë nuk është e pamundur nëse ekziston dëshira. Ndaj, tha kryebashkiaku Veliaj, ky mesazh i shkon sot për shtat edhe Tiranës. “Unë e di që ka njerëz që kanë ende dyshim, që janë ende skeptikë, por di të them që historinë e bëjnë optimistët, ata besojnë që më e mira është përpara dhe ata që besojnë që bashkëpunimi na bën më të mirë. Nëse do të vazhdojmë me këtë frymë nuk ka asgjë që na ndal që të kemi Tiranën e ëndrrave tona”, u shpreh Veliaj.

Veliaj bëri të ditur se kjo atmosferë festash do të vazhdojë edhe në javën e ardhshme, që do të kurorëzohet me koncertin e madh me rastin e Vitit të Ri. “Gjithë javën tjetër kemi përgatitur një numër aktivitetesh, do të vijojmë në datën 31 me një koncert të madh këtu dhe fishekzjarret, kurse në datën 1 me të sapolindurit për të vazhduar me një vit me plotë energji dhe me punë të mbara për Tiranën. Qofshi gjithmonë të lumtur, gëzim, hare dhe shëndet për familjet e çdo shqiptari në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP