Mesazhet e studentëve për kryeministrin Rama: Plotëso kërkesat! (FOTO)
Studentët kanë nisur sot protestat kundër qeverisës për plotësimin e kërkesave të tyre për ndryshimin e situatës në arsim.
Ditën e sotme gjithë universitetet në vend kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protesta. Në hyrje të godinave të universitetet në gjithë vendin, të rinjtë kanë vendosur parrulla me mbishkrimin “Bojkoto!”.
Protesta më e madhe është zhvilluar në Tiranë para godinës së Kryeministrisë. Studentët kanë deklaruar se qeveria “Rama” nuk ka plotësuar asnjë kërkesë nga ato që kanë paraqitur në muajin dhjetor.
Me thirrje dhe pankarta kundër qeverisë “Rama” studentët deklarojnë se protestat do të vazhdojnë derisa qeveria të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre.
Nisja e protestave në janar është shoqëruar dhe me incidentet. Një pjesë e rektorëve, të porositur nga zyrtarët shtetërorë u kanë bërë presion studentëve për të vijuar mësimin. Gjithashtu, pedagogë të ndryshëm, që kanë interesa me qeverinë, kanë kërkuar vijimin e mësimit. Mes studentëve ka pasur dhe të rinj të FRESSH që kanë thyer bojkotin, për të krijuar idenë se mësimi vazhdon rregullisht. Por pavarësisht këtyre ndërhyrjeve nga qeveria, studentët në mënyrë masive kanë bojkotuar mësimin dhe kanë vijuar protestën.
Studentë thonë se rezistenca do të vijojë çdo ditë dhe nuk do të tërhiqen derisa qeveria “Rama” të plotësojë kërkesa.
(Në fotot më poshtë, disa nga parrullat kryesore të studentëve në protestë)
Ndërkohë lëvizja “Për Universitetin” ka theksuar me një parrullë gjigante para kryeministrisë thelbin e kërkesave për Edi Ramën që po mbajnë gjallë protestën:
Ul tarifat e masterit!
Vota studentore 50%!
Dyfisho buxhetin!
Jo para për privatët!
ANULO LIGJIN!
Studentët kanë dalë me një Pakt të tyre mbi Universitetin nisur nga Pakti i miratuar nga qeveria Rama. Dokumentin ata ja kanë nisur Kuvendit, kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Arsimit dhe Universiteteve publike. Për kërkesën e parë lidhur me tarifat, ku qeveria prozon shkallëzim të tyre për ciklin bachelor, studentët kërkojnë që kjo skemë shkallëzimi të zbatohet dhe për masterin.
Ata kërkojnë një plan afatgjatë nga qeveria, që synon rritjen e buxhetit. Studentët kanë objeksionet e tyre edhe lidhur me 7 kërkesat e tjera.
Pakti i studentëve për arsimin