Mesazhi i Metës për shqiptarët: Timoni perëndoi bashkë me bandat e Rilindjes

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka komentuar përfundimin e procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare. Në një mesazh të shpërndarë nga zyra e shtypit e LSI, Ilir Meta shprehet se timoni perëndoi bashkë me bandat e rilindjes.

“Timoni perëndoi bashkë me bandat e Rilindjes. Shqipëria foli. Të gjithë në këmbë për të mbrojtur verdiktin e shqiptarëve”,– shkruan Ilir Meta.

Pak më herët, Kryeministri Edi Rama u dërgoi deputetëve të PS-së një mesazh ku deklaronte se “kishte fituar timonin”. Mesazhi i Edi Ramës është bërë publik në mediat afër Partisë Socialiste. Procesi i votimit ka më pak se një orë që është mbyllur. Nuk ka asnjë të dhënë të saktë ku mund të referohesh sesi është ndarë vota. E vetmja e shifër e saktë është fakti që shumica e shqiptarëve i ka bojkotuar këto zgjedhje.

Ndërkohë nënkryetari i LSI-së, Luan Rama u ka bërë thirrje komisionarëve dhe numëruesve të LSI-së që të mbrojnë çdo votë gjatë procesit të numërimit.

Në një mesazh në Facebook, Luan Rama komenton dhe sondazhet e para që kanë dalë në disa media. Ai thotë se “nuk ka sondazh që të mund të tjetërsojë votën e qytetarëve! Komisionerët, vëzhguesit dhe të gjitha grupet tona të vëzhgimit mendjen vetëm tek procesi, për të mbrojtur çdo votë!”,– shprehet Luan Rama.

SHKARKO APP