Mesazhi i koduar i Presidentit: Kim Philby s’ishte sovjetik, aleatët tanë do e zbulojnë shumë shpejt

Presidenti Meta gjatë intervistës së dhënë për gazetaren Sonila Meço ka përcjellë dhe një “mesazh të koduar”.  “Kim Philby nuk ishte sovjetik dhe as bashkëshortja e tij nuk ishte sovjetike. Kështu që unë jam i bindur që edhe aleatët tanë do t’i gjejnë Kim Philby-t e rinj, të cilët kërkojnë të komprometojnë imazhin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe si një vend i qëndrueshëm në këtë rajon”, – ka deklaruar ndër të tjera Meta duke dashur kësisoj të përcjellë një mesazh mjaft të fortë.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetarja: Dakord, por si President i Republikës, si kreu më i lartë i shtetit shqiptar, kur ju përmendi këto forca le të themi të jashtme, të cilat sipas jush kanë ndikim në atë që është duke ndodhur në Shqipëri….

Presidenti Meta: ….Patjetër, sepse situata në Shqipëri duhet të ishte shumë më normale…

Gazetarja: …E para, mos është një rënie edhe në pozitat – dikur e bënte edhe Kryeministri Rama, kur fliste edhe nga Brukseli për faktorë terciarë, të cilët mund të krijojnë destabilitet në Shqipëri. Ai asokohe përmendte Rusinë dhe faktorë të tjerë të lindjes, ju nga ana tjetër përdorni Sorosin? Mos është një rënie në pozitat e një konspiracioni tipik të vendeve të vogla, ku politika nuk mban dot përgjegjësitë e veta?

Presidenti Meta: Unë nuk vuaj dot nga këto gjëra, por një gjë e di mirë unë nga historia, besoj që e dini edhe ju, që Kim Philby nuk ishte sovjetik dhe as bashkëshortja e tij nuk ishte sovjetike. Kështu që unë jam i bindur që edhe aleatët tanë do t’i gjejnë Kim Philby-t e rinj, të cilët kërkojnë të komprometojnë imazhin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe si një vend i qëndrueshëm në këtë rajon.

Dhe absolutisht do të reflektojnë, sepse precedenti i dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës është i papranueshëm për mua si President dhe ka qenë dhe mbetet gjithmonë i papranueshëm edhe mosregjistrimi i tyre në zgjedhje është i papranueshëm.

Ashtu sikurse mos-hetimi i atyre dosjeve, 184, etj., është i tmerrshëm dhe askush nuk ka penguar, të paktën që nga ikja po themi e zotit Llalla edhe deri tani, pra dy vjet, për të mos treguar vullnet për të hetuar këto dhe për të hetuar dhe çështje të tjera e për të vënë përpara drejtësisë cilindo politikan, deputet, ministër, qytetar, drejtor, që ka marrë pjesë në një masakër zgjedhore apo është përfshirë me elementë të krimit të organizuar për shantazh, për blerje votash, etj., përpara drejtësisë, në qoftë se duam vërtetë domethënë që këtu të ketë një vend të sundimit të ligjit, edhe të sundimi të popullit. Dhe populli sundon vetëm përmes votës së lirë dhe të barabartë.

Gazetarja: Në fakt, mezi po presim krijimin e shtetit të së drejtës, sepse jemi bërë shtet vetëm i ligjit dhe ligji që ndërtohet siç po do sot vetëm një mazhorancë…

Presidenti Meta: Të ishte një mazhorancë do ishte mirë, por është i një personi.

Gazetarja: Dakord, të një personi. Ju thoni “deep state”, që do të thotë kapja e shtetit, shtet paralel, grusht shteti. Zoti Basha në fakt, pas deklaratës suaj lidhur me çështjen e Sorosit dhe ndikimit të kësaj organizate edhe në destabilitetin aktual shqiptar, është shprehur se nuk duhet ta kërkojmë fajin te faktorët e jashtëm.

Presidenti Meta: Sigurisht, disa faje ka edhe zoti Basha dhe opozita në këtë drejtim. E para, sa i takon reformës në drejtësi ata duhet të kishin qenë shumë më të qartë gjatë gjithë kohës që negocionin për reformën, duhet të mbanin shënime. Sepse ti shkon e flet me përfaqësues të EURALIUS, pastaj OPDAT, pastaj të ambasadës e pastaj ikën e flet një tjetër dhe thotë “jo po ramë dakord për këtë dhe nuk ramë dakord për atë”, këto janë çështje serioze.

E dyta, ai ka pasur gjithë përkrahjen time si Kryetar Kuvendi për të gjitha çështjet e drejta. Unë një herë e takova zotin Basha kur erdha nga SHBA, që u takuam te Rogneri, meqenëse mora një kërkesë që të insistoja sa më shumë për konsensus nga Ndihmës Sekretari i Shtetit. E takova dhe e pyes: çfarë do ti, sepse nuk po e kuptojmë këtë gjë, se më tha edhe zoti Vasili që kishte qenë në takim me zotin Rama e që ju kishit nja 5-6 kërkesa? Ai m’i tha dhe në fakt nga ato njëra ishte thelbësore, rekomandimi 86 nëse nuk gabohem që e kishte përmendur zoti Bylykbashi.

E pyeta se çfarë çështje ishte, sepse ai kishte edhe kërkesa të tjera që kishin lidhje me reformën zgjedhore, etj., dhe ma shpjegoi. I kam thënë shprehimisht: – Nëse më kërkon vetëm këtë gjë dhe ti voton këtë gjë zotëri, ti ke për ta marrë këtë kërkesë, por se mos më nxjerrësh ndonjë gjë tjetër? Jo, – më tha. – Ke folur ti, i thashë, me Doktorin, se mos thotë gjë ai? – Jo, më tha, edhe Doktori është dakord, nëse plotësohet kjo kërkesë ne do ta votojmë. – Këtë gjë ke për ta marrë i thashë, po se mos nxjerrësh ndonjë gjë.

Dhe unë e mbajta fjalën deri në fund për atë gjë, që ata e morën. Pastaj opozita – unë nuk i vë dot faj opozitës sepse e votoi reformën me 140 vota – LSI që sot është në opozitë, në atë kohë ishte në mazhorancë, votoi 7 ligjet me garancinë që ato 7 ligje nuk do të ktheheshin aty ku u katandisën. Dhe unë i kam thënë gjithmonë opozitës që ju duhet të vini me një qëndrim alternativ për reformën në drejtësi, sepse nuk mjafton vetëm kontestimi, që ne e kontestojmë këtë gjë. Dilni me një propozim tjetër, për rivendosjen e reformës në afate kushtetuese, që ishin shkelur dhe një iniciativë e tillë është marrë në fakt nga grupi parlamentar i LSI-së, pavarësisht se nuk është pranuar fare të shqyrtohet as për procedurë në Kuvend, por edhe opozita për mua ka ndjekur një rrugë jo normale.

Që do të thotë që Shqipëria sot ecën në dy rrugë pa pikë perspektive për t’u takuar.

Rruga e parë është rruga e kapjes së të gjitha pushteteve, rruga e dytë është deligjitimimi i çdo institucioni. Këto janë dy rrugë që i ndajnë shqiptarë, nuk janë dy rrugë që na ndihmojnë të jemi të bashkuar, as të hyjmë në Europë, as të kemi një jetë me të qetë, më të sigurt, më me perspektivë, etj. Kjo është artificiale, kështu që në këtë drejtim të dyja palët kanë përgjegjësitë e tyre dhe unë jam i qetë, sepse u kam dalë borxhit të dyja palëve.

Sa u takon ndërkombëtarëve, se vë re shpesh që thonë se Meta është kundër këtyre apo atyre. Unë kam një eksperiencë të gjatë me ndërkombëtarët, kam gati 30 vjet po themi, sepse edhe në Partinë Socialiste kam pasur një rol shumë të rëndësishëm, kam qenë Sekretar Ndërkombëtar, merresha me marrëdhëniet me jashtë që në vitin 1993. Tani, duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, se ndërkombëtarët do të pranojnë atë lloj demokracie dhe atë lloj drejtësia që do të pranojnë qytetarët shqiptarë. Nuk duhet të mendojmë tani ne që ata nuk do t’i zërë gjumi pse ne e katandisim shtetin në këtë lloj situate.

Gazetarja: Qytetarët shqiptarë nuk kanë asgjë në këtë histori. Në ka më të padëgjuar në këtë histori janë qytetarët shqiptarë, pavarësisht se flitet në emrin e tyre….

Presidenti Meta: Prandaj unë kam dhënë këtë zgjidhje për këtë situatë që nuk është normale. Që ne kemi një Parlament, ky që është, që nuk duhet të ishte. Është edhe për faj të opozitës, por edhe për faj të atyre që e shtynë opozitën që të shkonte atje ku nuk duhet të shkonte. Është edhe për faj të gjithë këtyre situatave që kanë të bëjnë me 30 qershorin, edhe për shumë të tjera.

Mund të jetë edhe për fajin tim, nuk e përjashtoj këtë, pavarësisht se unë mendoj që i kam bërë të gjitha veprimet e mia, edhe kur kam qenë Kryetar i Kuvendit, dhe kam bërë çdo gjë si Kryetar Kuvendi që opozitë të mos dilte nga Parlamenti, edhe pse në atë kohë opozita ishte shumë më e parëndësishme në Parlament se sa tani. Sepse në atë kohë Rama-Meta kishin 84 vota, por prapë unë kam qenë shumë i durueshëm.

Pse? Sepse opozita duhet të jetë atje, sepse opozita fjalën ka dhe nëse e teproi me fjalë nuk u bë qameti. Qytetarët të ndëshkojnë me votë nëse e teprojnë me fjalë, por ne kemi për detyrë të sigurojmë këtë bashkëjetesë demokratike të lindur që në dhjetor të vitit ‘90 dhe ta forcojmë e jo ta vëmë atë në pikëpyetje dhe të ecim drejt kthimit të një partie-shtet.

Gazetarja: Megjithatë, ajo që kjo reformë në drejtësi ka prodhuar, të paktën deri tani pa paragjykuar se cilët kanë qenë faktorët që e kanë çuar deri aty, është që ne kemi të krijuar një shtet mono-partiak, një shtet të kapur….

Presidenti Meta: …Më fal, unë kam një pyetje për ju. Dje ishte 3-vjetori i reformës në drejtësi. Në cilin aktivitet ishte i ftuar Presidenti i Republikës?

Gazetarja: Nuk ishit i ftuar të përurimin e godinës së re të drejtësisë?

Presidenti Meta: Kryetari i Shtetit ku ishte i ftuar? Mirë si Kryetar Shtetit, po si ish-Kryetar Kuvendi?

Gazetarja: Nuk iu kanë ftuar?

Presidenti Meta: Po një meritë nuk e kam unë për këtë Kushtetutë që u bë me 140 vota?

Gazetarja: Nuk keni marrë asnjë ftesë?

Presidenti Meta: Nuk ka rëndësi kjo gjë. Mund të bëja dhe unë një aktivitet tjetër, por ç’të bëja unë, kur të bëja vetëm kritika….

Gazetarja: Pra, Presidenti i Republikës nuk është ftuar?

Presidenti Meta: Më vjen keq, unë nuk di të kem patur ndonjë ftesë. Dhe çfarë keni dëgjuar ju shqetësimet për reformën në drejtësi publikisht kohët e fundit, të cilat kanë ardhur pas ashpërsimit të krizës politike në vend, këto janë shumë pak nga sa kanë dëgjuar partnerët tanë në këto zyra kur vijnë e takohen me mua prej gati 2 vjetësh apo edhe më përpara që kam qenë në postin e Kryetarit të Kuvendit, në mënyrën më të hapur, më të ndershme, më transparente dhe më të dokumentuar.

Duke u thënë që shiko se kjo reformë po ecën në drejtimin e gabuar, ia kam thënë që në fillim të tetorit Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin të Komisionit Europian, zotit Danielsson, i cili është njeri shumë serioz. Pasi më ka folur për sukseset e reformës, për rezultatet e vetting-ut, i kam thënë dakord, por keni parasysh problemet që kemi. Se problemet më duket se nuk i keni të qarta. Një, dy, tre, katër, pesë. Jemi pa Gjykatë Kushtetuese i kam thënë, krahasuar me këto që po ua them juve, atij i kam dhënë shumë më tepër informacion atij. Dhe unë jam President i Republikës dhe njerëzit më pyesin mua se kur do kemi Gjykatë Kushtetuese. Nuk di çfarë t’u them, nuk di çfarë të bëj dhe kjo do ta përshkallëzojë situatën, por nuk është gjë e mirë.

I kam thënë, të lutem sill një mision nga BE-ja të bëjë një vlerësim të gjithë zbatimit të reformës. Si është reforma dhe si është zbatuar dhe çfarë mund të korrigjojmë në mënyrë që kjo të jetë një gjë e suksesshme për Shqipërinë në radhë të parë, të jetë e suksesshme edhe për ju, sepse ju doni një sukses, të jetë e suksesshme për të gjithë partnerët tanë….

Gazetarja: Dhe cila ka qenë përgjigja e tij?

Presidenti Meta: Unë mund të flas për atë që i kam thënë unë. Nuk kam të drejtë të them se çfarë përgjigje kam marrë apo nuk kam marrë.

SHKARKO APP