Mesazhi i zyrtarit të lartë të DASH: Luftë qeverisjeve të korruptuara në Ballkan
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar edhe një herë interesin e tyre për forcimin e demokracisë në vendet e Ballkanit.
Angazhimin e SHBA e ka shprehur Wess Mitchell Ndihmës/Sekretari i ri Amerikan i Shtetit që pason në detyrë paraardhësit e tij Viktorja Nuland, e dorëhequr me 25 janar 2017 sapo Trump erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Duke folur për vendet e ish-bllokut komunist, Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Wess Mitchell ka kritikuar qeverisjet autoritare dhe korrupsionin në rritje. Wess Mitchell, Ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit: “Në një farë mënyre ne dhe Perëndimi në përgjithësi, është në lufte me ata që kanë realizuar në praktikë idetë e tyre për qeverisje autoritare në disa shtete në Europë dhe Azi. Ata i kanë krijuar mundësi të përdorin forma hibride të qeverisjes. Korrupsioni në çdo shtet në tranzicion mbetet një problem i sigurisë tonë kombëtare. Ka faktorë të jashtëm gjeopolitikë që po përpiqen të shfrytëzojnë problemet e qeverisjes në këto shtete. Do t’i kërkoj Moskës t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në Ballkan”.
Me marrjen e detyrës së shefit të ri për Ballkanin duket se kanë nisur edhe orientimet e reja ndaj zhvillimeve politike në këto shtete. Qëndrimet e ambasadorit Lu duket se kanë qenë pjesë e orientimeve të politikës së re të SHBA në Ballkan.Në Shqipëri ambasadori Lu, kërkoi publikisht nga qeveria aktuale të reagojë ndaj 4 klaneve dhe 20 familjeve që kontrollojne trafikun e drogës dhe të dënohen peshqit e mëdhenj që po pengojnë vettingun.
Po sot Ambasadori Lu ka deklaruar sot se ka kërkuar shtyrjen e mandatit të tij në Tiranë. I pyetur nga News 24, nëse do të largohej nga Shqipëria në muajin janar, kohë në të cilën përfundon edhe mandati i tij si ambasador, Donald Lu është shprehur se do të qëndrojë sërish në Shqipëri.
Ai ka thënë se do të larohet në verën e vitit 2018. “Kam në plan të largohem nga Shqipëria në verën e vitit 2018. Deri atëherë, kemi shumë më tepër për të bërë së bashku”.
Pyetje: Ambasador Lu, në janar ju mbushni tre vjet në Shqipëri. A do të largoheni atëherë?
Përgjigje: “Ka qenë një nder i madh për mua dhe familjen time që kemi qenë këtu në Shqipëri në këto dy vite e gjysmë. E kemi shijuar aq shumë mikpritjen shqiptare sa kam kërkuar të qëndroj edhe më gjatë në këtë vend të bukur. Kam në plan të largohem nga Shqipëria në verën e vitit 2018. Deri atëherë, kemi shumë më tepër për të bërë së bashku”.
Po përse vjen sot kjo deklaratë e ambasadorit? Deklarata e fundit mbi vazhdimin e misionit të diplomatit duket se lidhet me disa aludime mediatike, që e lidhin “shpërthimin” e Ambasadorit me fundin e mandatit të tij. Në media afër qeverisë deklaratat e Ambasadorit në Rrëshën dhe në 20-vjetorin e shkollës së Magjistraturës vinin si pasojë e mbyllje së misionit të diplomatit.
Këto zëra i ka rrëzuar sot vetë Ambasadori duke deklaruar se misioni i tij në Shqipëri do të zgjatet. Gjë që do të thotë se qëndrimet e tij nuk kanë qenë të rastësishme, por pjesë e një projekti shumë më të madh amerikan në Shqipëri këto vite.
Këtë e përforcon edhe një deklaratë e bërë këto ditë nga Wess Mitchell, Ndihmës/Sekretari i ri Amerikan i Shtetit, i cili foli për luftë ndaj qeverive të korruptuara.