Mesazh, Ramës/ Meta flet nga Shkodra në 4 vjetorin e firmosjes së Koalicionit
Ilir Meta ka zgjedhur sot me paramendim Shkodrën, në ditën përvjetorit te firmosjes së katër viteve me parë të koalicionit me PS. Gjithçka duket e menduar mirë. Kur të gjithë presin mendimin dhe përgjigjen e LSI, nëse do të vazhdojë prapë koalicionin politik për zgjedhjet e reja me PS, aq me tepër që sot bëhen fiks 4 vjet nga bashkimi i Ilir Metës me Edi Ramën, kryeparlamentari Meta e dha përgjigjen. Kushdo që kupton nga lëvizjet, e jo vetëm nga fjalët, e ka marrë përgjigjen. Pikërisht nga qyteti ku u firmos katër vite me parë marrëveshja historike mes PS dhe LSI, sot, Ilir Meta e ka dhënë mesazhin për Edi Ramën dhe PS. Mesazhi ka të bëjë me shumë se duhet urgjent të gjejnë zgjidhjen PS-ja dhe sidomos nga kryeministri Rama për të futur opozitën në zgjedhje. Dihet tashmë se çfarë kërkon opozita: Qeveri teknike, pra pa Edi Ramën kryeministër, një qeveri të gjithëvotuar dhe votime të pranuara nga të gjithë. Ndonëse PD nuk shquhet shumë për zgjedhje të rregullta, pasi ishte vetë ajo që në vitin 1996 degjeneroi votimet. Por kjo nuk do të thotë se të vazhdojmë pafund në spitalen e zgjedhjeve të vjedhura, të blera dhe të manipuluara. Jemi në vitin 2017 dhe nuk ka më kohë për t’u marrë se si bëhen zgjedhjet, ndaj duhet mbyllur njëherë e mirë ky kapitull shkatërrues për demokracinë e përfaqësimit. Shqiptarët duan mirëqënie, punë, stabilitet, duan të jenë europianë. Nuk duan sherrnajë për kutitë e votimit, pasi është makabritet që po na e risjell prapë kjo klasë politike e etur për korrupsion, vjedhje dhe batërdi ndaj njërëzve të thjeshtë.
Tamam, kur duket se po shkohet në përplasje fizike mes turmave për shkak të duelit Rama-Basha, dhe kur data 18 prill mbetet data finale e regjistrimit të opozitës në zgjedhje, Lulzim Basha doli e tha se “kjo është luftë për jetë a vdekje”. Nuk vonoi dhe doli Edi Rama duke thënë se PS do shkojë në zgjedhje, pa opozitën dhe shigjetoi edhe LSI. “Do shkojmë edhe vetëm”-slogani i PS, slogan si në maj 1996 i PD-së që edhe pasi e majta iku nga votimet, ajo vazhdonte e vetme ti binte murit me kokë.
Ndërkohë që PS dhe Rama presin si do të veprojë LSI, sot e morën përgjigjen nga Shkodra, nga qyteti që i bashkoi katër vite me parë, duke bërë kryeministër Edi Ramën. Ilir Meta tha se “jemi përpara një momenti të rëndësishëm që është ai i kapërcimit të një ngërçi politik i cili mund të na çojë në një drejtim të gabuar. Ky është shqetësimi kryesor të ndihmojmë një dialog proaktiv politik që gjithë procesi i zgjedhjeve të ardhshme të hyjë në shinat e normalitetit dhe qytetarët shqiptarë të votojnë në mënyrë të qetë, të drejtë e të barabartë dhe vendi të ketë pas këtyre zgjedhjeve një moment të ri të forcimit të institucioneve dhe avancimit të reformave”.
Dhe i pyetur nga “Ora news” se “Po sa i arritshëm është ky dialog?” ai u përgjigj: Padyshim që më shqetëson thellë. Besoj të gjithë ndjejnë një shqetësim. Ky është dhe një detyrim ti shërbejmë të gjithë dialogut dhe të tregojmë fleksibilitet dhe përgjegjshmëri për interes shumë më të madh sesa i secilit prej nesh dhe çdo force politike që është interesi i qytetarëve shqiptarë dhe i demokracisë dhe të ardhmes së vendit tonë.
Me pas i pyetur se “A e ka një plan LSI dhe Meta si kryetar Kuvendi për ta zgjidhur brenda kësaj periudhe të shkurtër?, Ilir Meta tha: Të gjithë duhet të kontribuojmë sepse bëhet fjalë për një çështje të përbashkët të të gjithëve.
Pra Ilir Meta i ka kthyer përgjigje PS dhe Edi Ramës se për momentin më i rëndësishëm është ulja në tryezë me opozitën për të gjetur gjuhën e dakortësisë, bashkërisht, se sa firmosja me PS e koalicionit të ri, pasi firma nuk do shumë punë për t’u rivënë, natyrisht me kushte të reja.
Por, duket se Meta thotë mes rrjeshtave nga Shkodra, që urgjent të zgjidhim problemin me opozitën, sepse e majta përherë e gjen përbashkimin edhe me 18 prill në darkë.
Pa opozitën nuk ka zgjedhje, dhe pa zgjedhje nuk mund të ketë edhe firmë!
J.V.
(marrë nga www.spjv.it)