Meta: Basha-Rama u bënë si vëllezër. Votoni LSI. Rama parti e milionerëve
Pas paktit Rama-Basha, që mesa duket ka vulosur aleancën PS-PD që shkon edhe pas zgjedhjeve, dy krerët e partive aktuale kryesore po ndjekin një strategji të çuditshme zgjedhore. Së pari, nuk flasin për programe, por bëjnë humor dhe barcoleta me njeri tjetrin. Nuk ka sulme, siç ndodh kudo, mes opozitës dhe partisë së kryeministrit. Dje Rama shkoi përtej imagjinatës së socialistëve të thjeshtë kur nga Vlora, në drekë me peshkatarët, ngriti një dolli për mikun e tij të ri Lulëzim Basha. Prej disa javësh Bashën e quan mikun e ri dhe e thotë hapur se e kishte paragjykuar. Tani ka filluar të thotë se “nuk është djalë i keq ky Luli”. Pas marrëveshjes së 18 Majit, Rama shprehet me Bashën se mund të merret vesh për shumë gjëra. Duke treguar për miqësinë e re me Bashën, duke hedhur ndonjë batutë duke ngrenë peshk në Vlorë ose paidhaqe në Gjirokastër, duke folur për gratë dhe burrat dhe pa përmendur asnjë program, Rama po çon Partinë Socialiste në zgjedhje, për herë të parë pa program dhe pa bilanc.
Në të njëjtën linjë është edhe Lulzim Basha. Pasi siguroi disa ministri teknike dhe pasi po merr çdo ditë drejtori, ai ka hyrë në një fushatë pa program dhe pa ide. Basha ka vetëm një slogan, Republika e Re. Një parrullë që më shumë ngjan si përsëritje e fushatës së Edi Ramës në vitin 2013 që quhej Rilindja. Gjithçka në fushatën e Bashës është vetëm formë dhe aspak përmbajtje. Themi formë, sepse ka ndërruar ngjyrën e simboleve të partisë. Nuk flet më për qeverisjen kriminale të Edi Ramës, ka larguar emrat e njohur të PD-së dhe përsërit të njëjtat fjalime. Ndryshimi është se ka censuruar veten duke hequr dorë nga akuzat që i bënte dikur Ramës për kanabisin, koncesionet, kriminelët në qeverje dhe krimin e organizuar që kishte kapur administratën. Të gjitha këto u fshinë nga fjalori i PD-së pas pazarit të 18 majit mes Ramës dhe Bashës. Edhe Basha, ashtu si Rama nuk është i sigurt në fitore. E vetmja garanci është marrëdhënia speciale që ka Rama me Bashën. Për sa kohë ngrenë dolli për njëri-tjetrin duket se e kanë gjetur gjuhën për vazhdimin e ndarjes së tepsisë pas zgjedhjeve. Por prapë nuk ka gjë të sigurtë, pasi ka informacione të besueshme se Sali Berisha ka thënë se sa të jem gjallë nuk ka bashkëqeverisje me Edi Ramën pas zgjedhjeve. Siç duket Rama po e mashtron Bashën.
Së dyti, strategjia e Ramës dhe Bashës veç fushatës që ngjan me modelin tallava, (batuta, muzikë në mitingje dhe më pas aheng) PS dhe PD i bashkon një pikë tjetër; sulmi frontal ndaj LSI.
Ky model fushata e ka detyruar LSI-në të zbres në terren me të gjitha bateritë. E gjendur nën sulme të njëpasnjëshme, LSI ka nisur reagimet duke e bërë qartë dallimin mes saj dhe forcave të tjera. Ndërsa ndryshimi mes PD dhe LSI është më i thjeshtë për shkak të kampeve dhe ideologjive të ndryshme, përplasja me PS është me ashpër. Kjo pasi janë të dyja parti që i përkasin të majtës, por edhe vijnë në këto zgjedhje pas një bashkëqeverisje 4 vjeçare.
Dje Ilir Meta nga Berati vendosi vijën e qartë ndarëse mes LSI-së dhe PS-së së Edi Ramës. Si socialist në bindje, Ilir Meta e di se e majta dhe PS nuk barazohet më me Edi Ramën dhe Rilindjen. Listat e kandidatëve të PS, heqja e emrave të njohur si Arta Dade, Valentina Leksaj e shumë socialistë të tjerë që u spastruan gjatë viteve të fundit nga partia, janë treguesi se PS-ja e Ramës nuk është më ajo e socialistëve. Ndaj dje, Meta deklaroi se LSI-ja është partia e socialistëve të vërtetë. Ndërsa ajo që ka mbetur sot në PS-në e Edi Ramës është vetëm një grumbull individësh që kanë interesa ekonomike. “LSI është partia e socialistëve dhe jo oligarkëve”,- tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Përballë strategjisë së PS dhe PD, Meta dje ka dhënë një arsye më shumë për të votuar LSI-së. Duke cituar deklarimet e Ramës dhe Bashës se shqiptarët duhet të votojnë PS ose PD, Meta u shpreh se këto dy parti tashmë janë e njëjta gjë, ndaj shqiptarët duhet të zgjedhin një alternativë tjetër. “Tjetër gjë thoshin para dy javësh, tjetër gjë thonë tani. Basha thotë votat po s’na i dhatë ne, ja jepni Ramës. E Rama thotë po s’na i dhatë ne, jepjani Bashës. Kur ju të dy qenkeni bërë vëllezër pse të çojmë votat dëm ne, kur kemi një alternativë tjetër. Alternativën e LSI, që është alternativa e rinisë, alternativa kundër oligarkisë. Ta marrin me qetësi dhe dashuri, timoni iku! Tani të marrin një tepsi si timon, e të jenë të kënaqur sidoqoftë edhe me kaq”,- tha Meta.
Tani në fushë ka dy ditë që ka zbritur vetë Ilir Meta. Ka ndryshuar loja. Përplasja mes dyshes Rama-Basha dhe Ilir Metës duket përplasje titanësh. Tashmë Rama dhe Basha janë një.