Presidenti Meta dekoron Frattinin: Mik dhe avokat i Shqipërisë për anëtarësim në NATO e BE

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Franco Frattini me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kreu i Shtetit Shqiptar, Ilir Meta i akordoi ish-ministrit italian të Punëve të Jashtme dhe ish-Komisionerit Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë dekoratën e lartë me motivacionin: “Në mirënjohje të kontributit të tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin europian dhe euroatlantik, dhe në veçanti për udhëheqjen e procesit historik të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian.”

Në ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë dhe përfaqësues të bashkësive fetare shqiptare, personalitete të politikës e medias.

Fjala e Presidentit Ilir Meta:

Është kënaqësi e veçantë, që në këtë ditë që përkon me lumturimin e Shën Nënë Terezës, të nderojmë sot të gjithë së bashku një mik të çmuar, zotin Franco Frattini. Shqipëria dhe Italia janë dy vende të lidhura hershëm me pafundësi nyjesh historike, kulturore, ekonomike, politike, por mbi të gjitha njerëzore.

Kjo marrëdhënie është zgjeruar e forcuar me një dinamikë të jashtëzakonshme pas viteve ‘90, duke arritur në nivelin më të lartë të Partneritetit Strategjik në shkurt të vitit 2010. Zoti Frattini, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Italisë, ka padyshim rolin dhe mirënjohjen tonë të merituar për këtë “pranverë të re të miqësisë shqiptaro-italiane”.

Kjo stinë e re e marrëdhënieve tona është pasuruar me projekte të shumta, gjithnjë e më ambicioze, në përmbushje të angazhimit politik që përmban partneriteti ynë strategjik. Një nga projektet që e mishëron më së miri këtë dokument esencial të bashkëpunimit tonë është Gazsjellësi Trans-Adriatik, që prek një fushë me rëndësi strategjike si energjia, jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë Europën. TAP është gjithashtu tregues i zbatimit konkret të këtij partneriteti, falë vullnetit të ndërsjelltë. Zoti Frattini është magjistrat nga profesioni.

Në Itali ai njihet edhe si Prokuror, sot është edhe Kryetar i Dhomës Gjyqësore të Anti-Mafias dhe Emigracionit në Këshillin e Lartë të Shtetit, por ne shqiptarët e njohim më shumë si Avokat. Në të gjitha detyrat dhe postet e tij politike zoti Frattini ka qenë një nga avokatët më të zëshëm por edhe bindës për avancimin e Shqipërisë, por edhe të rajonit tonë në proceset integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Angazhimi i tij për një rajon gjithëpërfshirës, më bashkëpunues dhe në përparim të vazhdueshëm drejt BE-së, ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Në veçanti ne i jemi mirënjohës për rolin e tij vendimtar si Zëvendëspresident i Komisionit Evropian dhe Komisioneri për Drejtësinë, Liritë dhe Sigurinë, që ideoi dhe nisi zbatimin e procesit të liberalizimit të vizave për Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që më pas, si Ministër i Jashtëm i Italisë, ka qenë protagonist kryesor në mbështetjen e zbatimit të plotë dhe përfundimtar të këtij procesi.

Për ne shqiptarët, qytetarët më të izoluar të Europës përpara 30 vjetësh, lëvizja pa viza drejt BE pati një impakt dhe përjetim të jashtëzakonshëm emocionesh, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të rajonit. Falë këtij procesi dhjetëra mijëra familje u ritakuan pas vitesh të tëra ndarjeje. Çlirimi psikologjik nga izolimi dhe nga frustrimi i radhëve të gjata përpara ambasadave qe i patregueshëm, edhe pse njerëzit harrojnë shpejt. Por mbi gjithçka, liberalizimi i vizave u risolli atyre dinjitetin e merituar si qytetarët e tjerë europianë.

Shqipëria e ka vendosur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si prioritetin e saj më parësor dhe strategjik. Vitin e ardhshëm ne do të kemi një tjetër mundësi për të avancuar marrëdhënien tonë, duke shpresuar dhe duke punuar për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Ne i kemi të gjitha mundësitë, siç ndodhi me liberalizimin e vizave, që përmes rezultateve konkrete në reforma kyçe për vendin ta hapim edhe këtë dritare të re të marrëdhënies sonë me BE.

I nderuar z.Frattini,

Ky vit për ne shqiptarët është viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i personalitetit më të madh që kombi ynë ka nxjerrë dhe që i ka kaluar kufijtë tanë, duke qenë një figurë e njohur jo vetëm në Itali, por edhe në të gjithë Europën. Dhe është kjo figurë që ka përcaktuar edhe identitetin europian të kombit tonë.

Ndaj kemi kënaqësinë sot që t’ju vlerësojmë me Dekoratën “GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEU”, në mirënjohje të kontributit të spikatur për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin evropian dhe euroatlantik e në veçanti për lidershipin që ju keni treguar për procesin historik të lëvizjes pa viza të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian. Jam i bindur në vazhdimin e kontributeve tuaja të sinqerta në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis dy vendeve tona, por edhe për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë edhe më tej.

Ju faleminderit!”

Pas marrjes së Dekoratës së lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Franco Frattini mbajti një fjalë përshëndetëse, duke shprehur falënderimet e tij për vlerësimin e bërë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe bindjen për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

“Z.President jam shumë i prekur për këtë dekorim kaq të lartë që ju më keni bërë, duke konfirmuar kështu miqësinë tonë personale, por gjithashtu dhe bashkëpunimin tonë të çmuar.

Z.President, unë kurrë nuk do ta harroj bashkëpunimin tonë që kemi pasur dikur në role të ndryshme por me një qëllim të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë një vend të përparuar në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së.

Jam thellësisht i nderuar dhe i lumtur që vij përsëri këtu në Tiranë si një qytetar i nderuar i këtij kryeqyteti të mrekullueshëm.

Jam shumë i lumtur që gjej këtu edhe një herë tjetër kaq shumë miq e kolegë të cilët u përkasin familjeve të ndryshme politike e të cilët kanë ecur së bashku përpara për të mirën e këtij vendi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë.

Ajo që ne kemi bërë së bashku nuk ishte dhe nuk është për hir të Brukselit, por është për të mirën e qytetarëve tuaj. Sepse ideja që ne kemi pasur në mendje, dhe kurrë nuk do ta imagjinoja një perspektivë ndryshe, përveçse e ardhmja europiane për Shqipërinë.

Shqipëria ka vetëm në rrugë, për t’u bërë një vend anëtar i BE-së dhe unë jam i sigurt dhe shpresoj që në muajin qershor të vitit 2019 ju do të filloni negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Unë e shikoj me sytë e mi kur kthehem në Tiranë, shoh një progres të madh të bërë nga ky vend. Gjithashtu më kujtohet shumë mirë nga vizita ime e parë këtu, kur ju sapo ishit emëruar Ministër në vitin 2003. Unë nuk e njoh më qytetin që nga ajo kohë, duke krahasuar progresin e bërë gjatë gjithë këtyre viteve nga 2003 e deri më sot.

Jam i sigurt që anëtarësimi në NATO gjithashtu shënoi një gur themeli shumë të rëndësishëm dhe kjo u arrit edhe një herë tjetër për shkak të bashkëpunimit të gjithë vendimmarrësve të këtij vendi, pavarësisht përkatësive të tyre politike. Gjithashtu dua ta theksoj edhe një herë këtë gjë, sepse rezultatet ishin të mira për të gjithë popullin dhe unë fuqimisht besoj që ky unitet i përbashkët kombëtar do të vazhdojë të avancojë në vendin tuaj për arritje të mëtejshme. Sepse pa unitet politik asnjë vend nuk mund të arrijë diçka dhe kjo është eksperienca ime si italian, si europian dhe duke iu drejtuar juve miqësisht, kjo është një pikë kyçe.

Unë mendoj që vendi tuaj do të vazhdojë të luajë një rol kyç si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Jam shumë i lumtur që gjej sot ambasador në Tiranë bashkëpunëtorin tim më të ngushtë që kam pasur në Bruksel dhe që ka punuar në Departamentin tim të Drejtësisë. Ai është sot ambasadori që prezanton BE në Shqipëri. Kjo është mënyra e duhur, lufta kundër kriminalitetit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër të gjitha organizatave mafioze apo krimit të organizuar dhe sigurisht duke punuar së bashku për të ndihmuar stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria ka një rol të rëndësishëm dhe duke iu drejtuar sinqerisht unë mendoj që nuk ka asnjë pengesë për të ecur përpara në progresin e këtij vendi. Unë do të vazhdoj të jem miku juaj, mik i vendit tuaj, do të përdor edhe pozicionin tim, do të jem avokati juaj në rrugën drejt anëtarësimit në BE e duke përhapur këtë mesazh në të gjitha konferencat. Pra, besoni te Shqipëria, besoni te shqiptarët dhe jam i bindur se do të arrini rezultate të mëtejshme.

Zoti President, u jam shumë mirënjohës për nderin që më keni bërë duke më akorduar dekoratën më lartë dhe ky është një nder i madh personal dhe është një ndjenjë e miqësisë dhe më bën akoma më të afërt me Shqipërinë”.

SHKARKO APP