Meta në SHBA: Jemi të vendosur për miratimin e reformës në drejtësi

Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua me përfaqësues të Kolegjit Zgjedhor Demokrat dhe Kolegjit Zgjedhor Republikan, me të cilët bisedoi mbi zhvillimet e fundit të fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve presidenciale amerikane. Fokusi i bisedimeve ishte në organizimin e fushatave zgjedhore në SHBA dhe veçanërisht në përfshirjen e të rinjve në politikë dhe në ekipet zgjedhore të secilës parti.  Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit z. Meta ishte i ftuar edhe në Institutin e Politikave Progresive ku mbajti një fjalë dhe iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni.

Meta theksoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria është e vendosur për të kontribuuar në luftën kundër terrorizmit dhe për të siguruar paqen përkrah SHBA-ve.  “Këtë vit ne festojmë 7-vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe ne jemi krenarë që shërbejmë së bashku me ju në luftën kundër terrorizimit në Irak dhe Afganistan duke kontribuuar me kapacitet tona modeste. Jemi të vendosur në bindjen për të siguruar paqen përmes operacioneve paqeruajtëse atje ku ka nevojë. Ne jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen që na jepni në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Shqiptarët lëvizin lirshëm tashmë në zonën Shengen dhe Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimit Evropian”, – deklaroi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje gjithashtu se të gjitha këto as nuk mund të imagjinoheshin apo ëndërroheshin 25 vjet më parë, periudhë kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të ndërprera. Gjatë fjalës së tij, z. Meta u shpreh se SHBA-të kanë qenë gjithmonë pranë Shqipërisë në ditë të mira dhe të vështira. “Demokracia jonë, shoqëria jonë, ekonomia e tregut, po maturohen dhe po zhvillohen herë me shpejtësi e herë më ngadalë. Ne kemi përparuar shumë po të marrim në konsideratë periudhën e errët të izolimit, dhunimin e të drejtave të njeriut, ekonomisë së centralizuar dhe kontrollit brutal të mendjes dhe zemrës. Në ato ditë të zymta ne u detyruam të hiqnim dorë nga miqtë dhe njëkohësisht të luftonim kundër perëndimit. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerat që ju përfaqësoni, ishin gjithmonë një spirancë shprese për lirinë tonë. Ne hymë në erën e demokracisë me një mungesë totale eksperience. Në këtë rrugëtim kemi bërë edhe gabime, ndonjëherë edhe serioze, por kemi nxjerrë mësime. Sigurisht, mund të kishim bërë edhe më shumë, por këto janë faktet. Gjithsesi, SHBA kanë qenë gjithmonë përkrah nesh, në ditë të këqija dhe në ditë të mira”, – shtoi Kryetari i Kuvendit.

Më tej, Kryetari i Kuvendit Meta e njohu auditorin me reformat e ndërmarra për të përmirësuar sistemin demokratik për të krijuar një klimë më të mirë për biznesin, për më shumë transparencë dhe për një pjesëmarrje më të madhe të publikut në mbikëqyrjen e punës së Parlamentit, Qeverisë dhe të institucioneve të tjera dhe çka është më e rëndësishmja për të garantuar pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Miqësia jonë nuk është arsyeja e vetme që unë jam këtu. Shqipëria është një faktor kyç për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit, që dikur ka qenë vatër e nxehtë konfliktesh dhe lufte. Por sot ne kemi hapur një kapitull të ri. Nuk ka më luftë dhe mund t’a themi me krenari që ne jetojmë në një rajon të ri që ka shpresë dhe që po punon për të ardhmen. E kemi kuptuar se në epokën e re të globalizimit vendet tona dhe ekonomitë tona janë të vogla për investitorë domethënës ndërkombëtarë”, – tha z. Meta, teksa u fokusua te klima e biznesit në vend dhe sfidat ekonomike rajonale.

“Sfida jonë është të jemi tërheqës për biznesin dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse punojmë së bashku, të integrohemi së bashku dhe më tej të integrojmë rajonin tonë në Bashkimin Evropian dhe në tregjet më të mëdha ndërkombëtare. Ne mund të jemi komplementarë për njëri-tjetrin në vend që të konkurrojmë me njëri-tjetrin mes ekonomive tona. Ne mundemi ta ndryshojmë këtë, dhe po e ndryshojmë me mbështetjen e partnerëve tanë në SHBA dhe në Bashkimin Evropian, duke u investuar në një ndërlidhje më të madhe rajonale përmes infrastrukturës dhe rrugëve të transportit, rrjeteve të energjisë, telekomunikacionit dhe përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare. Ne po i shembim muret historike në Ballkan, dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në këtë epokë të re, është e rëndësishme të jemi pragmatistë dhe të sigurojmë zgjidhjet më të mira për popujt tanë, duke i lënë pas kështu ndarjet e vjetra ideologjike që e bëjnë bashkëpunimin dhe komunikimin më të vështirë”, – deklaroi z. Meta.

Sipas Kryetarit të Kuvendit Meta, kjo është arsyeja që pjekuria dhe fleksibiliteti i vendeve modeste si Shqipëria janë demonstruar në trajtimin e disa çështjeve shumë të rëndësishme. Z. Meta vuri në dukje se goditja nga kriza ekonomike globale i vendeve pranë rajonit tonë  ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në marrëdhëniet tregtare. “Duhet të jemi inteligjentë dhe fleksibël për të siguruar një klimë tërheqëse për biznesin. Ambienti investues duhet të jetë i lirë, demokratik, i çliruar nga burokracia, nga korrupsioni, i çliruar nga pengesat e panevojshme, fleksibël në ofrimin e mundësive për investitorët e huaj duke marrë parasysh pozitën gjeografike si një mundësi në rajon dhe gjithashtu si një urë lidhëse midis lindjes dhe perëndimit”, – vijoi z. Meta, duke u ndalur më pas te reforma në drejtësi, që po finalizohet me ndihmën e partnerëve kryesorë të Shqipërisë dhe me ekspertizën më të mirë.

“Ne jemi duke ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. Një nga më kritiket për të ardhmen është reforma në drejtësi. Ne jemi me fat që jemi mbështetur në këtë proces nga ekspertiza juaj amerikane dhe nga asistenca e partnerëve tanë në Bashkimin Evropian. Ne i njohim mangësitë tona dhe të funksionimit të institucioneve tona dhe sistemi i drejtësisë është një prej tyre. Kjo është arsyeja përse ne jemi kaq të vendosur për ta miratuar këtë reformë sa më parë që të jetë e mundur dhe në të njëjtën kohë jam i bindur si Kryetar i Kuvendit që ne do ta finalizojmë atë brenda pak javëve. Ne jemi shumë pranë përmbylljes, për të ndërmarrë një reformë të gjerë dhe të sigurt të sistemit publik e cila do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të shtojë parametrat e sigurisë për investitorët e huaj”, – shtoi z. Meta.

Në fund, Kryetari i Kuvendit e vuri theksin tek rritja e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë dhe se Shqipëria ende nuk është prekur drejtpërdrejt nga vala e refugjatëve, por shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin modest në përballimin e kësaj krize.

“E fundit, është e rëndësishme që të rrisim bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë. Ndërtimi i mureve për të penguar ata që vijnë, nuk është zgjidhje. Është e vërtetë që çdo qeveri është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj, por ne kemi gjithashtu edhe detyrimin që të ndihmojmë ata që janë në nevojë dhe nën rrezikun e ekstremizmit, ashtu siç është situata për shumë nga refugjatët. Shqipëria nuk është prekur drejtpërdrejt nga kjo valë, por ata tashmë janë në kufijtë tanë dhe ne do të japim kontributin tonë modest për përballimin e kësaj krize. Por kjo duhet bërë në koordinim mes vendeve të Bashkimit Evropian, vendeve që përdoren si rrugëkalimi dhe me asistencën e organizatave ndërkombëtare”, – tha në përfundim Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta gjatë bashkëbisedimit me auditorin në “Progressive Policy Institute”.

meta shba2 meta shba3 meta shba4 meta shba5 meta shba6 meta shjba7 meta shba7 meta shba8

SHKARKO APP