Diaspora/Meta: Ju jeni si trungu i një peme që ka nevojë për çdo degë të tij…
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Mbrëmjen Gala “Të Pandarë për Shqipërinë” dedikuar vlerësimit me “Shqiponjën e Artë” të personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në botë të Samitit të Diasporës të organizuar në Tiranë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti për herë të parë në vendin tonë, që e ka kthyer Tiranën në qendrën më të madhe të pelegrinazhit kombëtar të mërgimtarëve shqiptarë dhe dashamirësve e miqve të tyre të vërtetë. Meta shprehu mirënjohjen e tij për atë që diaspora shqiptare ka bërë, ka arritur e që përfaqëson kudo në botë.
“Ndonëse larg, shpesh shumë larg Shqipërisë, në distancë dhe në histori, ju mundët të ruani në shpirtin dhe në mendjen tuaj origjinën e të parëve tuaj, ndërgjegjen kombëtare dhe kujtesën historike ndaj kombit tonë. Ndaj ne duhet të pohojmë me zë të lartë sot që jemi krenar për ju dhe përfaqësimit tuaj të denjë në botë”, – tha Kryetari i Kuvendit.
Gjithashtu Meta tha se kontributi dhe përvoja e diasporës, energjia, dashuria për atdheun, mendimet, shkollimi dhe sidomos arritjet e shqiptarëve të diasporës, janë gjithmonë të mirëpritura e të mirëseardhura.
“Ju jeni ambasadorët tanë të përhershëm të politikës, të ekonomisë, të sipërmarrjes, të kulturës dhe të arsimit në botë. Ne të gjithë duhet të punojmë njëkohësisht edhe me përkushtim për suksesin e përbashkët dhe duhet të ndodhemi pranë njëri-tjetrit, që suksesi të arrihet në një kohë sa më të shpejtë”, – theksoi Kryetari i Kuvendit, teksa citoi një pjesë të mesazhit të Papa Palit të VI-të në takimin që ai, në respekt të historisë së shqiptarëve, të traditave, të virtyteve, organizoi në Romë në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut me shqiptarët nga të gjitha vendet e botës së lirë.
“Urimi ynë, – tha Papa Pali i VI-të, – në këtë rast për të gjithë shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti juaj kreshnik, që keni trashëguar nga të parët tuaj. Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim që të jeni gjithmonë elementë mirëkuptimi dhe paqeje….”, – shtoi ndër të tjera Ilir Meta në fjalën e tij të mbajtur në mbrëmjen gala.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit,Ilir Meta*
Jam shumë i gëzuar që Tirana këto ditë është kthyer në qendrën më të madhe të pelegrinazhit kombëtar të mërgimtarëve shqiptarë dhe dashamirësve dhe miqve të tyre të vërtetë dhe jo vetëm. Ajo këto ditë ka qenë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në vëmendjen e të gjithë atyre që për shumë arsye nuk ishin në këtë kuvend të madh të shqiptarëve.
Dëshiroj t’ju falënderoj që erdhët në Tiranë për të kuvenduar së bashku për ju dhe sukseset tuaja, për arritjet e Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Malin e Zi, dhe për të vendosur së bashku se çfarë duhet të bëjmë më shumë, jo vetëm që imazhi i shqiptarëve në botë të zërë një vend edhe më të merituar, por edhe se si të mund të ndodhemi më afër shqiptarëve që jetojnë larg nesh, dhe se si mund të lehtësojmë barrën dhe vështirësinë e tyre të mërgimit në vendet ku ata jetojnë.
Dëshiroj gjithashtu t’ju shpreh mirënjohjen time për atë që ju keni bërë, për atë çfarë ju keni arritur dhe që përfaqësoni në vendet ku jetoni, dhe keni ndërtuar në vatrat tuaja.
Ndonëse larg, shpesh shumë larg Shqipërisë, në distancë dhe në histori, ju mundët të ruani në shpirtin dhe në mendjen tuaj origjinën e të parëve tuaj, ndërgjegjen kombëtare dhe kujtesën historike ndaj kombit tonë.
Ndaj ne duhet të pohojmë me zë të lartë sot që jemi krenar për ju dhe përfaqësimit tuaj të denjë në botë.
Pikërisht për këtë, unë besoj se është çasti për të shprehur një detyrim të madh ndaj jush. Asnjëherë nuk është vonë për të kuvenduar, ashtu si ju keni bërë këto ditë, asnjëherë ne në Shqipëri nuk duhet të harrojmë se ju keni në çdo çast nevojë të ndjeni pranë jush shtetin dhe vendin amë.
Ashtu si trungu i një peme ka nevojë për çdo degë të tij, sado larg apo e vogël është ajo, ashtu dhe çdo degë e tij ndjen nevojën e mbështetjen në një trung të fortë dhe të shëndetshëm. Kjo është një marrëdhënie jetësore edhe midis diasporës dhe shtetit amë.
Shqipëria nuk është ajo që ka qenë në vitet ‘90, aq më pak ajo e viteve të pas Luftës së Dytë Botërore, apo e viteve të vështira të Luftës së Parë Botërore ku shumë nga ju, baballarët dhe gjyshërit tuaj, zgjodhën rrugë e vështirë dhe të pasiguritë të mërgimit.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vetëm pak ditë më parë ne morëm lajmin e gëzueshëm të hapjes së shpejti të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Kosova është sot shtet i pavarur, sovran dhe funksional, i angazhuar në rrugën e pakthyeshme të integrimit në strukturat euroatlantike. Të gjitha këto, janë arritur edhe në saj të kontributit, angazhimit dhe përkushtimit të pazëvendësueshëm të diasporës sonë.
Këto dhe të tjera lajme na gëzojnë të gjithëve, por në të njëjtën kohë na bëjnë të përgjegjshëm për angazhime dhe detyrime më të mëdha dhe të reja ndaj qytetarëve tanë.
Ndërtimi i një shteti edhe më demokratik, edhe më funksional, të një drejtësie të pavarur dhe të barabartë për të gjithë, të një ekonomie edhe më dinamike edhe më të integruar edhe tërheqëse ndaj investimeve, një shoqërie të shëndoshë dhe me arsim konkurrues, një të ardhme të sigurt dhe të një politike të jashtme pragmatike dhe në shërbim të interesave kombëtare, janë sfidat tona të përbashkëta.
Kontributi dhe përvoja juaj dhe vendet nga ju vini, energjia, pasioni dhe dashuria juaj për atdheun, mendimet, shkollimi, edukimi juaj dhe sidomos arritjet tuaja, janë gjithmonë të mirëpritura e të mirëseardhura.
Ju jeni ambasadorët tanë të përhershëm të politikës, të ekonomisë, të sipërmarrjes, të kulturës dhe të arsimit në botë.
Ne të gjithë duhet të punojmë njëkohësisht edhe me përkushtim për suksesin e përbashkët dhe duhet të ndodhemi pranë njëri-tjetrit, që suksesi të arrihet në një kohë sa më të shpejtë.
Në këtë mënyrë të rifitojmë kohën e humbur deri më sot dhe të mësojmë nga kombet e tjera si të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit për një të ardhme sa më të mirë.
Sot është e nevojshme të kemi një regjistër të plotë të diasporës sonë të shoqëruar me një studim gjithëpërfshirës mbi shtrirjen e saj gjeografike, mbi nevojat dhe problemet që ajo përballon, mbi nivelin e integrimit në vendet pritëse dhe sidomos për të marrë masa për ruajtjen e identitetit tonë kulturor, trashëgimisë, të gjuhës, mbi potencialet e diasporës sonë dhe njëkohësisht, për nxitjen e mundësive pjesëmarrëse në zhvillimin ekonomik të vendit.
Roli i diplomacisë publike dhe i zyrave tona konsullore e civile brenda jashtë në përmirësimin e shërbimeve ndaj diasporës është i rëndësishëm në fuqizimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve me shtetin amë dhe në procesin e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar.
Hartimi i politikave mediatike dhe mbështetja e rolit të mediave si një faktor i rëndësishëm në mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të përhershme me diasporën duhet të bëhen pjesë e këtij studimi dhe e programeve zbatuese shtetërore në strategjinë e përgjithshme për diasporën shqiptare.
Dëshiroj të përfundoj fjalën time të kësaj mbrëmje të bukur me një pjesë të mesazhit të Papa Palit të VI-të në takimin që ai, në respekt të historisë së shqiptarëve, të traditave, të virtyteve, por edhe të vuajtjeve të tyre në shekuj, organizoi në Romë në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut me shqiptarët nga të gjitha vendet e botës së lirë.
“Urimi ynë, – tha Papa Pali i VI-të, – në këtë rast për të gjithë shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti juaj kreshnik, që keni trashëguar nga të parët tuaj. Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim që të jeni gjithmonë elementë mirëkuptimi dhe paqeje….”.
Ndaj dhe unë dua t’iu falënderoj për angazhimin tuaj, për kontributin që keni dhënë në vazhdimësi. Jam i bindur se, edhe në emër të sakrificave dhe vuajtjeve të të parëve tuaj, por edhe tuajat, ju keni sjellë këtu një mesazh të shkëlqyer të mirëkuptimi të bashkëpunimit të gjithë përfshirjes dhe të paqes.
Jeni të mirëseardhur gjithmonë në evente të tjera. Faleminderit!
*Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse në Mbrëmjen Gala të Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare