Meta-Kryemadhi gjykohen nga një gjyqtare që hetohet personalisht nga SPAK!
Gjyqi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka filluar. Gjyqtare është Irena Gjoka, ajo gjykon palët, akuzën e SPAK dhe palën e akuzuar . Por alarmi është se gjyqtarja nuk mund të jetë mbi palët në procesin gjyqësor, sepse është personalisht nën hetim nga SPAK!
Ka diçka thellësisht të gabuar në mënyrën si Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të çojë për gjykim çështjen ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Dhe nuk është thjesht një debat juridik. Është një alarm për mënyrën si po funksionon drejtësia në Shqipëri.
Faktet janë kokëforta pasi vetë gjykata pranon se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka marrë dëshminë e një prej personave më të përmendur në dosje, Adrian Shatku. Një emër që citohet qindra herë – por që nuk është pyetur. Ky nuk është thjesht gabim procedural. Pse nuk e kanë pyetur? Gjyqtarja e pikasi këtë të metë thelbesore por heshti se përballë ka atë që akuzon në sallën e gjyqit, por që heton edhe vetë gjyqtaren!
Sado e drejtë të jetë një gjyqtare brenda ndergjegjes së saj, prapë se prapë kur shikon prokurorin në sallë, prokuror që e heton gjyqtaren për një hetim që po zhvillohet ndaj saj, ajo nuk mund të bëjë heroinën; do të vendosë siç do SPAK.
Për të qenë korrekt me të vertetën Irena Gjoka nuk ka shkelur ligjin dhe kot që e hetojnë, ajo nuk ka bërë asnjë krim në Greqi. Kushdo mund të dënohej në Greqi, pa e ditur dhe ka qindra raste. Ajo nuk ka bërë krim, nuk ka vjedhur, nuk ka fallsifikuar. Asnjë nuk ka të drejtë që e akuzon Irena Gjokën për gjyqin në Greqi, është thjesht një lojë politike keqdashëse ndaj saj. Në mos qoftë edhe lojë brrylash për ti zënë vendin e gjyqtares!
Por le të vazhdojmë me gjyqin ndaj Meta-Kryemadhi.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, refuzohet edhe marrja e dëshmisë së kryeministrit Edi Rama, një nga zyrtarët kyç që lidhet me vendimmarrje në këtë çështje. Kur përjashtohen dëshmitarët kryesorë, çfarë mbetet? Një dosje e mbështetur në interpretime dhe jo në prova.
Avokati dhe palët në gjykatë pyesnin nën zë: ku janë provat ndaj Metës? Ku është firma? Ku janë komunikimet? Ku janë transaksionet? Nuk ka! Dhe megjithatë ai mbahet në paraburgim dhe çështja shkon për gjykim.
Rasti Ilir Meta që ka dy vjet në paraburgim, aqsa edhe këshilli i Europës reagon për standatin e paraburgimit në Shqipëri, tregon se ka keqdashje. Të mos harrojnë edhe mënyrën e arrestimit të ish-presidentit, që edhe armiqtë e tij thonë se është skandaloz.
Roli i gjyqtares Irena Gjoka ngre pikëpyetje të forta, duke e lenë të lenë të paragjykuar gjykimin e saj. Kur një gjykatë pranon boshllëqet e hetimit, por sërish i hap rrugë gjykimit, lind një dyshim i vetëm: a kemi një gjykatë që kontrollon prokurorinë, apo një gjykatë që i bindet asaj?
Nëse një gjyqtare si Irena Gjoka vendoset nën hetim nga prokuroria që ka në dorë fatin e saj profesional, atëherë nuk kemi më drejtësi – kemi varësi.
Çështja “Meta–Kryemadhi” nuk është më për Metën. Është për një sistem që duket se ka humbur busullën. Një drejtësi që nuk mbështetet në prova, që anashkalon dëshmitarët kyç dhe që perceptohet si e ndikuar, nuk është reformë – është zhgënjim.
Ndaj nëse duan një gjyq korrekt, Ilir Meta duhet liruar dhe të mbrohet në gjyq pa pranga. Nëse ai nuk bind gjykatën, dhe me pas shkallët e tjera të gjyqësorit, le ta vuajë burgun!
Por në këtë mënyrë e me këta aktorë, gjykatë-prokurori, ku gjyqtarja mezi merr frymë sa shikon prokurorin në sallën e gjyqit, nuk ka drejtësi të pavarur.
KOHA JONË SONDAZH

