Intervista e plotë e Presidentit Meta te “Opinion”

Presidenti Meta në një intervistë te Blendi Fevziu, ndër të tjera, theksoi fort disa kritika ndaj kryeministrit Rama. Pasi shpjegoi shkurt historinë e raportëve me Edi Ramën, pas insistimit të Fevziut, Presidenti theksoi se kur opozita po bënte mitingje të forta proteste në Tiranë, në vend që kryeministri të mundohej për të gjetur forma ulje tensionit në raport me atë situatë, ai provokonte. Bile, shtoi Meta, se Rama luajti dhe luan rol destruktiv dhe provokues ndaj opozitës.

 Intervista e plotë Presidentit Meta për emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu

Blendi Fevziu (Gazetari): Zoti President, mirëmbrëma dhe faleminderit për intervistën!

Presidenti Meta: Mirëmbrëma!

Gazetari: Presidenca ka njoftuar që nesër do të bëjë publike disa argumente ose një material lidhur me raportin paraprak ose draft-raportin e Komisionit të Venecias. Për çfarë bëhet fjalë?

Presidenti Meta: Që ditën e hënë besoj Zëdhënësi i Presidentit, zoti Blushi ka bërë të qartë se…

Gazetari: Që do të kishte një reagim nga Presidenca….

Presidenti Meta: …. që në respekt të transparencës me opinionin publik, por edhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, sikurse është vepruar në vijimësi, edhe për këtë draft-opinion të Komisionit të Venecias, do të ketë një dokument zyrtar publik të Institucionit të Presidentit, që do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët, të cilët janë të interesuar për të ditur opinionin e Presidencës përballë opinionit të Venecias.

Gazetari: Në fakt, ju vetë personalisht jeni dakord me draftin e Venecias?

Presidenti Meta: Unë mendoj se qëndrimi që do të bëhet publik nesër do të jetë një qëndrim zyrtar dhe do të ketë një letër timen si President i Republikës…

Gazetari: Drejtuar Venecias?

Presidenti Meta: …drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias dhe gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias me disa konsiderata për këtë draft paraprak. Do të ketë dhe disa pyetje që të ndihmohet më tej Komisioni i Venecias për shterimin e kësaj çështjeje dhe po kështu do të jetë i publikuar drafti i opinionit të Komisionit të Venecias dhe njëkohësisht dhe qëndrimi i Institucionit të Presidentit.

Gazetari: Në një intervistë që keni dhënë për gazetarin Çim Peka, keni deklaruar që ka mundësi që, me gjithë respektin, ‘shpresoj që Komisioni i Venecias nuk bëhet mbi bazën e lobimeve, fjalëve apo gjërave të tjera siç ndodh me ambasadat në Shqipëri’. Keni frikë se ka ndodhur këtë herë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë frikë për Institucionin e Presidentit sepse jam shumë i qartë në të gjitha veprimet publike që kam bërë lidhur me çështjen në fjalë. Ato janë bërë përballë qytetarëve shqiptarë pikërisht këtu ku ne po flasim së bashku. I vetmi shqetësim i imi është të ruajmë integritetin e Komisionit të Venecias, pasi mendoj që kjo do të ishte e dobishme për vetë Komisionin.

Gazetari: Po pse ju intereson integriteti i Komisionit dhe jo integriteti i institucioneve në Shqipëri zoti Meta?

Presidenti Meta: Nëse do ta kishim ruajtur integritetin e institucioneve në Shqipëri, do të kishim një situatë krejtësisht tjetër përsa i takon funksionimit të demokracisë në vend. Nuk do të kishim një temp të tillë. Nuk do të kishim një krizë të tillë. Nuk do të ishim pa Gjykatë Kushtetuese qëllimisht prej më shumë se dy vitesh.

Gazetari: Gjykatën Kushtetuese të gjitha palët e kanë votuar, përfshi dhe ju zoti President.

Presidenti Meta: Nuk do të ishim në kolaps institucional. Dhe pikërisht ajo që u votua në 22 korrik përpara tre vitesh kur unë isha Kryetar i Kuvendit me konsensus, u shkel me të dyja këmbët përgjatë këtyre tre viteve. Kjo është arsyeja që kaluam nga reformë në atë që unë e kam quajtur në të kaluarën stilistikisht ‘Ramaforma’, që është kjo krizë dhe ky kolaps.

Gazetari: Zoti President, ka një pretendim që ka mazhoranca që në fakt shkatërrimi i institucioneve ka ardhur nga fakti që, Presidenti i Republikës, pra ju personalisht jeni bërë palë me opozitën kundër mazhorancës.

Presidenti Meta: Në cilin rast?

Gazetari: Në rastin e anulimit të datës së zgjedhjeve, pra në fillim deklarimin pastaj anulimin e datës së zgjedhjeve…

Presidenti Meta: Si u bëra palë?

Gazetari: Dhe caktimi i një datë të dytë.

Presidenti Meta: Si u bëra palë unë me opozitën? Në ç’kuptim?

Gazetari: Në kuptimin që i shkuat pas fijes opozitës, e cila nuk pranonte të hynte në zgjedhje.

Presidenti Meta: Kjo nuk është e vërtetë.

Gazetari: Dhe meqenëse nuk hynte në zgjedhje, ju shtytë datën e zgjedhjeve.

Presidenti Meta: Kjo nuk është e vërtetë për arsye sepse ju e dini shumë mirë që opozita ka patur shumë kërkesa. Nuk ka patur vetëm çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve vendore. Madje kjo ka qenë më e parëndësishmja për ta.

Gazetari: Ka pasur largimin e Ramës.

Presidenti Meta: Ka patur dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Nuk e di, nëse ju keni dëgjuar ndonjëherë që unë të kem kërkuar dorëheqjen.

Gazetari: Ju mendoni se kishte të drejtë opozita?

Presidenti Meta: Më fal, nuk e di nëse ju keni dëgjuar ndonjëherë që unë kam kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ka kërkuar që të arrestoheshin politikanët, ministrat, deputetët që kanë qenë të përfshirë në dy çështjet zyrtare për vjedhjen e votave….

Gazetari: Për vjedhjen e votave në Dibër dhe Durrës.

Presidenti Meta: ….me bandat, me policinë. Unë nuk kam kërkuar asnjë gjë nga këto.

Gazetari: Pse nuk ju shqetëson vjedhja e votave zoti President?

Presidenti Meta: Patjetër. Po unë e shikoj shumë të pamundur që ata që vjedhin votat, të hetojnë veten. Pra, kjo më është dukur një kërkesë jorealiste nga ana e opozitës.

Shqetësimi im i vetëm si President i Republikës nuk ka qenë garantimi i tekave apo edhe i të drejtave të PD-LSI apo edhe i partive të tjera opozitare për t’u zgjedhur sepse kjo është një çështje që u takon dhe vetë atyre, nëse e kanë vullnetin për të marrë pjesë në një proces.

Shqetësimi im ka qenë shumë i qartë dhe mbetet i palëkundur: Të garantojmë të drejtën kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur, jo për të votuar. Për të votuar, kemi votuar 45 vite në komunizëm. Kanë qenë votime perfekte. Në qoftë se dikush mendon se zgjedhjet në kohën e komunizmit nuk kanë qenë perfekte, nuk kanë qenë të sakta, nuk kanë qenë të qeta.

Gazetari: Kanë qenë dhe me daulle…

Presidenti Meta: Për të zgjedhur dhe Kushtetuta jonë ka një koncept shumë të qartë se çdo të thotë ‘me të drejtë zgjedhje’ dhe ky është një koncept që bazohet automatikisht nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, që është detyrim.

Gazetari: Kush jua jep ju këtë të drejtë zoti President, që ta interpretoni këtë gjë që ‘kanë apo s’kanë të drejtë të zgjedhin’ shqiptarët.

Presidenti Meta: Mua këtë gjë ma ka dhënë Kushtetuta sepse Kushtetuta ka bërë të qartë që, i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë që cakton datën e zgjedhjeve është vetëm Presidenti i Republikës.

Gazetari: Duke ja përcaktuar ekzakt se kur është kjo datë.

Presidenti Meta: Nuk ka në Kushtetutën e Shqipërisë asnjë datë ekzakte për datën e zgjedhjeve vendore. Për këtë gjë mund t’i referoheni edhe komenteve që ka bërë Komisioni i Venecias ku ka bërë të qartë dallimin midis zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve vendore. Dhe ka bërë të qartë që afati i zgjedhjeve vendore është i deleguar me legjislacion. Pra, nuk ka në Kushtetutën e Shqipërisë asnjë afat të përpiktë apo eksplicit për çështjen e zgjedhjeve vendore. Kushdo që thotë diçka tjetër, thjesht gënjen.

Gazetari: Zoti President, ju vendosët që për hir të së drejtës së shqiptarëve për zgjedhje, pra për të zgjedhur…

Presidenti Meta: Për të gjithë qytetarët..

Gazetari: Për të gjithë qytetarët.

Presidenti Meta: Të të dy palëve. Të palëve që përkrahnin këtë opozitë, qoftë dhe për përgjegjësi të saj, nuk ishin arsye që shkonin të votonin, por edhe për shkak të atyre që ishin në Partinë Socialiste apo me partitë që donin të merrnin pjesë, të cilët një votim i tillë, i njëanshëm u cenon fshehtësinë e votës.

Gazetari: Patjetër. Padyshim. Jam krejtësisht dakord me këtë. Por, po i futem një logjike që vlen edhe për njerëz të zakonshëm, por dhe për partitë politike. Në këtë rast Ju e morët këtë vendim sepse dy ndër forcat kryesore politike nuk pranuan të futen në zgjedhje.

Presidenti Meta: S’është e vërtetë.

Gazetari: Po sikur në zgjedhjet e datës 13 mos hynte Partia Socialiste, do e shtynit prapë?

Që do të thotë që, nëse një forcë politike vendos të mos hyjë në zgjedhje për arsye të llogarive të saj të dobëta, le të themi, ose për një kalkulim. Presidenti do të jetë në funksion të kësaj partie?

Presidenti Meta: Jam dakord. Atëherë, jam shumë dakord me ju. Mos harroni, pikërisht këtu, ditën që unë kam bërë publik këtë dekret, kam bërë të qartë qëllimet cilat janë sepse Shqipëria ka disa detyrime ndërkombëtare: Konventa e të Drejtave të Njeriut, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ku garantimi i lirive politik të shtetasve përfshi dhe zgjedhjet e lira, të ndershme dhe pluralizmi politik është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Dhe shumë angazhime të tjera.

Është detyra e Presidentit që të bëjë të mundur ose të bëjë të pamundurën që këto të drejta të mbrohen dhe të garantohen në mënyrën më konstruktive, pa patur parasysh këtu përveç aspektit të sigurisë publike, sigurisë kombëtare që janë çështje tjetër.

Gazetari: Një pyetje konkrete.

Presidenti Meta : Me këtë rast unë e kam bërë shumë të qartë. Për t’iu dhënë një mundësi të gjitha partive të opozitës që të përfshihen në këtë proces, por edhe në rast se nuk përfshihen, Presidenti iu kam thënë nuk është këtu për të mbrojtur tekat e tyre, sepse ata mund të mos duan as njëherë, dhe të mos regjistrohen nëse nuk duan, por ama t’i japim mundësinë… Më falni! Më falni! Ju lutem! T’i japim qoftë edhe kësaj që quhet opozitë e re, kam thënë, që të regjistrohet e të ketë kohë që kandidatët të …. kenë kohë dhe qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin midis dy kandidatëve.

Gazetari: Zoti President, pse nuk i thirrët partitë politike në një takim që të arrinin një marrëveshje?

Presidenti Meta: Unë i kam thirrur partitë politike. I kam thirrur në mënyrë të vazhdueshme partitë politike, dhe pengesa politike për të zhvilluar një tryezë të përbashkët….

Gazetari: Kush paraqiti pengesë?

Presidenti Meta: Më falni, por është e qartë ajo! Pengesa kryesore për të zhvilluar një tryezë të përbashkët, sepse unë nuk mund ta kthejë në Parlament Presidencën, nuk është kjo detyra ime – ka qenë këmbëngulja e Kryeministrit Rama për të mos ndryshuar datën 30 qershor, pra për të mos i dhënë një mundësi gjithë opozitës për t’u përfshirë në zgjedhjet vendore. Kjo ka qenë e para!

Dhe e dyta ka qenë këmbëngulja e zotit Basha për të mos u ulur në një tavolinë me zotin Rama, si kryeministër. Tani të vijmë te pozicioni i Presidentit: Në rast se kryeministrit thotë që unë jam gati të ulem në dialog, por unë nuk jap një mundësi opozitës që të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, pra që të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, ndërkohë që e gjitha kjo opozitë përfaqëson jo vetëm gjysmën e votave, 1 përqind është diferenca e zgjedhjeve të 2017-s, zgjedhje që kanë dalë me ato probleme që ju i dini, por po t’u referohemi zgjedhjeve të 2015-s, zgjedhjeve të fundit vendore, kjo opozitë, ky bllok opozitar përfaqëson dyzet e tetë përqind sipas të dhënave të KQZ-së, ndërkohë që Partia Socialiste me aleatët ekzistues përfaqëson 43 përqind dhe në qoftë se ju nuk u jepni një mundësi këtyre të regjistrohen për zgjedhjet vendore, apo për zgjedhjet e përgjithshme apo për kërkesat e tyre. Ndërkohë që në Parlament keni një situatë jashtëzakonisht problematike dhe në aspektin kushtetues, edhe në aspektin ligjor, përveç se në aspektin e legjitimitetit, sepse nuk të kanë ikur 60 deputetë. Të kanë ikur 182 deputetë, dhe kandidatë për deputetë në listat e opozitës.

Gazetari: Që është një gjë e paprecendentë? |Dhe që ju duhet të kishit bërë gjithçka që të mos ndodhte, zoti President.

Presidenti Meta: Është një gjë e paprecendetë! Unë kam bërë gjithçka, por ju e dini shumë mirë se kryeministri Rama nuk më ka dhënë mua asnjë mundësi për ta luajtur këtë rol, sepse e ka nxituar dhe ju duhet ta dini shumë mirë se zëvendësimi i këtyre deputetëve është kryer në mënyrë të paligjshme sipas legjislacionit tonë. Në qoftë se ai mendonte se unë do të kisha ndonjë ndikim te opozita, dhe nuk do të ishte keq që Presidenti të kishte një ndikim te opozita, për mazhorancën, ai duhet të priste dy ditë sa kthehesha unë nga Gjermania apo jo dhe do të kërkonte një proces për normalizimin e…

Gazetari: Zoti Meta a nuk keni ndonjë ndikim te LSI-ja, te partia që e keni themeluar vetë, e keni drejtuar vetë dhe sot drejtohet nga bashkëshortja juaj?

Presidenti Meta: Zero ndikim te Lëvizja Socialiste për Integrim! Dhe po jua them …

Gazetari: Ndikimi mund të jetë normal. Nuk po jua them që të bëni pakt. Ndikimi mund të jetë normal! Për djegien e mandateve.

Presidenti Meta: Po! Po! Zero ndikim për shumë arsye që janë të qarta për opinionin publik. Zoti Rama nuk ka lënë asnjë mundësi dhe asnjë përzgjedhjeje asnjë force të vërtetë opozitare, që të përmbushë misionin e saj në parlament.

Doni t’ju them dy fjalë për LSI-në meqenëse, meqenëse e keni merak?

Gazetari: Jo, ju pyeta për influencën që keni te LSI-ja.

Presidenti Meta: Për influencën te LSI-ja. Duhet të vinte këtu – kjo është një histori…, – një mik i përbashkët i zotit Rama. Në muajin mars apo diçka e tillë, Masimo D’Alema, dhe duke i shpjeguar disa probleme të situatës në vend, që kemi një situatë jo normale ku shkelet ligji, ku shkelet Kushtetuta, ku shkelet autonomia shqiptare, ku shkelet autonomia vendore, i them që situata është kaq absurde, që në Bashkinë e Skraparit, ku jam aq i lidhur, ku kishte aq probleme sa edhe LSI-ja kishte probleme me popullin, normale, unë i them që e kam të pamundur, sepse atje Prefekti, në mënyrën më të paligjshme, i ka ndryshuar buxhetin Bashkisë së Skraparit, që ka kompetencat e Këshillit, siç i ka Parlamenti në rastin e qeverisë dhe është bërë kaq kohë që janë bllokuar fondet, është bllokuar thesari, kështu që asnjë nuk jep asnjë përgjigje, asnjë gjë, janë bllokuar kopshtet, janë bllokuar çerdhet.

Probleme, nuk marrin dot ato shërbimet e domosdoshme, i thashë. Këta i kanë bërë gjithë letrat që duhet të bëjnë. I kanë bërë me ministrinë e Financës dhe kjo është e paligjshme dhe kjo është shumë e vështirë në kuptimin njerëzor, i thashë, ore se kur bëjnë atje te kjo zonë, çfarë na kërkon tine të respektojmë e të bëjmë këtë e këtë?! Përveç rasteve të tjera, Bashkinë e Librazhdit, nuk ka rëndësi. Bëra mirë që ia tregova këtë histori se edhe ai e kuptoi se është shumë e rëndë, orë si mund të ndodhin gjëra të tilla, sepse dihet pavarësia e pushtetit vendor. Dihen raportet e pushteteve. E vetmja gjë ishte se ditën tjetër, në mëngjes më mori kryetari i Bashkisë së Skraparit dhe ishte i çuditur se si i ishin zhbllokuar fondet.

Gazetari: Pas bisedës që u bë me zotin Rama?

Presidenti Meta: Po normalisht kështu i bie. Është tërësisht e verifikueshme. Jua përmenda këtë gjë për të kuptuar që shkaku kryesor i gjithë kësaj krize nuk është një krizë e re…

Gazetari: Sipas jush është vetëm zoti Rama?

Presidenti Meta: Jo, është paksa më e thellë! Është disavjeçare. Është pikërisht se zoti Rama e ka zgjedhur si strategji provokimin e konfliktit, vendosjen para faktit të kryer të opozitës dhe të të gjithë institucioneve të tjera që garantojnë një demokraci, po themi: mediat, shoqëria civile, institucionet e pavarura…

Gazetari: Po opozita, a ka përgjegjësi në këtë krizë zoti Meta? Zoti Basha a ka përgjegjësi? Zonja Kryemadhi a ka përgjegjësi?

Presidenti Meta: Patjetër! Absolutisht! Sepse ata kanë rënë viktimë e kësaj politike të faktit të kryer, me ose pa dashje, koha do ta sqarojë këtë gjë, se unë nuk mbaj dot përgjegjësi as për njërin dhe as për tjetrin, kanë bërë këtë lojë, sepse kanë lejuar uzurpimin e të gjitha institucioneve dhe të hapësirave demokratike…

Gazetari: Ndërkohë duket se ju keni pasur një kimi shumë të keqe me zotin Rama që në çastin që u zgjodhët President?

Presidenti Meta: S’është e vërtetë!

Gazetari: Edhe në fushatën zgjedhore të vitit 2017, pa marrë ende zyrtarisht postin e Presidentit dhe duket që raportet tuaja me Ramën janë vazhdimisht të…?

Presidenti Meta: Raportet e mia me Ramën nuk janë të këqija.

Gazetari: Raporte që kalojnë nga peshku dhe ngjala… Pjesa tjetër kanë qenë shumë e tensionuar.

Presidenti Meta: Raportet e mia me Ramën kanë qenë më shumë se dy dekada. Nuk dua t’i kthehem kohës kur unë isha kryeministër… Nuk është kjo çështja! Më pas kemi kaluar në opozitë dhe Edi Rama kurrë nuk do të ishte zgjedhur më 2007-n si kryetar i Bashkisë së Tiranës…

Gazetari: Në qoftë se nuk do të ishin votat e LSI-së?

Presidenti Meta: Jo votat e LSI-së! Jo! Kjo është tjetër gjë. Nuk ka lidhje ajo gjë! Në qoftë se Ilir Meta nuk do ta kishte tradhtuar Edi Ramën në atë moment, kur ndërkombëtarët kërkuan, sepse unë isha kryetar i LSI-së, ti e di shumë mirë se kemi ngrënë edhe një drekë kur u bë ajo certifikata, te “Piaca”, dhe që të sqarojmë këtë edhe për opinionin ngaqë ka shumë rëndësi edhe aspekti moral, edhe koherenca n të gjithë këtë histori. Dhe kur më kanë kërkuar që “Ti mos u rri këtyre qëndrimeve që mban Edi Rama për të mos hyrë në zgjedhje”! Se edhe atëherë nuk u hy në zgjedhje dhe ishte precedenti kryesor për zgjedhjet vendore, sepse ai do rrëmujë, sepse ai do…, por ti futu me LSI-në dhe me këto partitë e tjera! Unë i kam thënë: “Ai kërkon një certifikatë!” Asnjeri s’e mban mend certifikatën…

Gazetari: Kërkonte që certifikatat të ishin të vulosura…?

Presidenti Meta: Nuk ka rëndësi! Një aspekt teknik! Këtu kemi një krizë të madhe. Këtu nuk kemi Gjykatë Kushtetuese! Këtu nuk kemi një Gjykatë të Lartë! Këtu kalojnë PPP-të brenda natës me nga 400 milionë Euro pa letra, pa dokumente. Më fal! Dhe i kam thënë: “Jo! Ti kërkon këtë gjë dhe kjo gjë duhet realizuar. Jo, me kanë thënë ata! Edhe po iu realizua kjo gjë…”

Gazetari: Ai do të kërkojë një gjë tjetër…?

Presidenti Meta: Jo! Ai prapë nuk do të hyjë! Prandaj ju lutemi shumë, mendoni për këtë vend! Shikoni! Dhe i kam dhënë fjalën: Ka qenë ambasadori gjerman në atë kohë, një burrë shumë serioz. Shiko, do të bëjmë këtë gjë, në qoftë se pasi e merr certifikatën, na jepet certifikata, si opozitë, në qoftë se ekziston ky rrezik. Në qoftë se ndodh kjo gjë atëherë, unë i kam thënë, do të hyj në zgjedhjet e tjera që do të shtyheshin, dhe u shtynë, dhe ai le të bëjë çfarë të dojë!

Çuditërisht, mbasi ne kemi marrë atë certifikatën këtu, ku rrinim dy delegacionet sa hanim pica andej, sa hanim byreqe andej, te dhoma tjetër…

Gazetari: Ka qenë Presidenti Moisiu…?

Presidenti Meta: Po, po, Presidenti Moisiu, dhe erdhi një përfaqësues i BE-së këtu për të negociuar mes palëve. Pastaj ditën tjetër kemi qenë të “Piaca”, më duket se ka ardhur edhe Ben Blushi… Dhe kur vjen edhe zoti Rama… A vjen apo mori në telefon më duket… Thotë që “Fola me Profesorin! Me Gjinushin, sepse ai i dinte më mirë këto çështjet teknike dhe ai (Berisha) prapë ka për t’i vjedhur zgjedhjet!

Dhe unë që i them: “Shiko, tani, se ti vazhdon me këtë punë! – I kam thënë. Unë isha deputet. Unë jap dorëheqjen si deputet. Kandidat për kryetar bashkie jam unë, i thashë, dhe pastaj, ti vazhdo, i thashë, kandidat për kryeministër në vitin 2009, sepse unë kam dhënë fjalën, i thashë, nuk bëj dot shaka me këtë punë, me mua nuk luan dot asnjeri! As ti dhe as tjetri! Kjo është e vërteta.

Gazetari: Ndërkohë ju përmendni një bisedë të vitit 2017…?

Presidenti Meta: Dhe unë në qoftë se i dhashë një mundësi Edi Ramës atëherë që nuk isha as president, më falni, nuk kishte as një arsye që të mos i jap një mundësi jo thjesht opozitës, sepse këtu bëhet fjalë për të gjithë opozitën e vitit 2017, por pse nuk mund të mos ua japë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë që të paktën të kenë kandidatë formalë…

Gazetari: Qoftë edhe duke shkelur Kushtetutën…?

Presidenti Meta: Jo, nuk është çështje e shkeljes së Kushtetutës!

Gazetari: Ose edhe duke e tejkaluar, siç thotë Komisioni i Venecias…?

Presidenti Meta: Jo! Jo! E para ka tejkaluar Komisioni i Venecias kompetencat e saj dhe misionin…

Gazetari: Keni shkelur Kushtetutën? Ose siç thotë Komisioni i Venecias, keni tejkaluar kompetencat tuaja si President i Republikës? Ka tejkaluar Komisioni i Venecias kompetencat e saj?

Presidenti Meta: Jo! Jo! Është shumë e sigurt.

Gazetari: Ka tejkaluar Komisioni i Venecias kompetencat e saj? Përse?

Presidenti Meta: E dyta: Do ta sqarojmë nesër në mënyrë zyrtare.

Gazetari: Përse? Është lobuar? Ka pasur presion?

Presidenti Meta: Së dyti, nuk ekziston termi “tejkalim” në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gazetari: Po ka shkelje apo jo?

Presidenti Meta: Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ekziston “shkelje” dhe “shkelje e rëndë” dhe Presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë dhe krim të rëndë.

Gazetari: Keni frikë se do t’ju shkarkojnë?

Presidenti Meta: Zero! Kështu që në këtë drejtim, në Kushtetutën e Shqipërisë është e qartë se i vetmi institucion që cakton zgjedhjet, është Presidenti i Republikës. Ju flisni sikur të ishim në një situatë normale. Sikur ishim në Irlandë…

Gazetari: Jo, ishim në një situatë, kur u duk, sikur vetëm opozita,….

Presidenti Meta: Jo, më falni! Kushtetuta është një dokumentet jashtëzakonisht i rëndësishëm, me të cilin nuk mund të luajë askush. Dhe ku është shumë e rëndësishme të garantohen parimet themelore të saj.

Parimi themelor i saj, mbi të cilin ndërtohet gjithë Kushtetuta jonë, është pluralizmi politik. Edhe Ramiz Alia, i cili ka qenë në këtë zyrë më 1991, i shtyu zgjedhjet edhe pse e dinte që Partia Demokratike donte karrigen e tij, i shtyu dy muaj…

Gazetari: Më fal që të jemi korrekt. I shtyu Ramiz Alia, zoti President, mbasi opozita e asaj kohe bllokoi gjithë Shqipërinë me grevën e përgjithshme kur as lëviznin trena, as lëviznin autobusë. Ramiz Alia çdo shtyrje e ka bërë nën presion dhe jo me koshiencë të plotë. Në janar të vitit 1991 opozita bllokoi qarkullimin, funksionimin normal të Shqipërisë….

Presidenti Meta: Ju e keni shumë gabim këtë gjë. Ramiz Alia u soll për atë situatë si një burrë shtetit, sepse mund ta kishte vendin drejt një gjakderdhjeje në emër të respektimit të Kushtetutës, në emër të respektimit të ligjit, të respektimit të procedurave.

Situata këtu ka qenë e ngjashme dhe po ua them unë këtë gjë pse ka qenë. Dhe Ramiz Alia është sjellë shumë herë në mënyrë më të përgjegjshme se sa është sjellë Kryeministri ynë. Ti me të drejtë fajëson opozitën dhe unë e fajësoj që iku nga Parlamenti. Dhe unë jam dakord me ty dhe më shumë se ty dhe ia kam thënë, edhe zotit Berisha kur është hedhur kjo ide për herë të para para një viti e ca, edhe Lulzim Bashës, këtyre të LSI-së as që nuk diskutohet që ia kam thënë këtë gjë se kjo është një marrëzi, etj.

Që ky është një budallallëk i madh, nëse do ta bëni për të gjitha ato arsye që keni, sepse nuk keni të bëni me një njeri që do të reflektojë. Përkundrazi, do të shfrytëzojë këtë hapësirë, do të korruptojë ca këtej e ca andej, një opozitë fasadë dhe bota do ta ketë të vështira ta kuptojë, sepse bota ka 500 halle, që nga Koreja e Veriut, që nga Irani e të gjitha me radhë.

Tani unë kam një pyetje për ty: Dakord kjo është një opozitë totalisht e papërgjegjshme, që del në rrugë dhe që njofton më datën 16 shkurt miting kombëtar, më datën 20 mars miting kombëtar etj., dhe mbledh këtu dhjetëra mijëra njerëz. Për hir të së vërtetës, nuk ka opozitë në Ballkan që mbledh kaq shumë pavarësisht përpjekjeve të televizioneve për t’i denigruar, kjo dihet me porositë që janë bërë.

Nuk ka rëndësi, por ata janë njerëz, janë qytetarë, janë taksapagues paguajnë taksa për qeverinë e zotit Rama. Tani unë kam një pyetje për ty, në një situatë të tillë ky Kryeministër, i cili e di se në qershor do të merret një vendim për Shqipërinë për çështjen e negociatave me BE-në. Që Shqipëria nuk ka përmbushur shumë detyrime, që i thonë ata përfaqësuesit e Bundestagut zyrtarisht shikoni mundësinë për zgjedhje gjithëpërfshirëse, sepse kjo është shumë e rëndësishme për rrugën europiane të Shqipërisë. Tani si shpjegohet që ata lënë miting në Tiranë më datën 16 në orën kaq, ky lë miting në Berat në të njëjtën kohë se nuk do t’ua lërë as televizionet.

Gazetari: Nuk po them se kjo është gjë pozitive, por çështja është te roli juaj si President i Republikës….

Presidenti Meta: Rolin tim e kam bërë unë dhe do ta sqaroj prapë, por duhet të sqarojmë rolin destruktiv me ndërgjegje provokativ të Kryeministrit, jo për ta normalizuar situatën demokratike në vend, por për ta agravuar dhe për ta nxjerrë atë jashtë kontrollit me pasoja mjaft shqetësuese.

Mirë për këta dhjetëra mijëra qytetarët këtu që dilnin domethënë ai nuk ka asnjë lloj respekti, po për ata policët aty që vendoseshin para Kryeministrisë, që vendoseshin para Parlamentit, nuk i vinte keq? Kur me një fjalor provokonte protestuesit. Presidenti, sepse ju duhet të shikoni të gjitha qëndrimet e mia, që nga lënia e mandatave të opozitës edhe deri te nxjerrja e dekretit.

Gazetari: Por ndërkohë nëse ju shohim në vazhdimësi keni pasur vazhdimisht konflikte me Ramën, asnjë konflikt në nivele të tjera. Nuk i dekretuat një ministër, nuk i dekretuat një ministër të dytë, në fillim zotin Lleshaj e pastaj zotin Cakaj…

Presidenti Meta: Nuk mund të dekretojë Presidenti i Republikës një kandidat për ministër që ka papajtueshmëri me Kushtetutën. Nuk mund të jesh edhe gjeneral dhe ministër. Nuk jemi këtu në vendet më të pazhvilluara afrikane dhe qëndrimi i Presidentit tregoi qartë se ata si qeveri nuk ishin treguar korrekt me mua. Kur ata sollën propozimin për të liruar zotin Lleshaj nga gjeneral, atëherë unë bëra veprimin tjetër. Nuk mund të bëja unë një shkelje kushtetuese. Sepse kjo gjë ishte bërë publike nga ish-Presidenti Nishani, që e dinte këtë situatë dhe nga të tjera. Atëherë këtu nuk është problemi i Presidentit, këtu është problemi i qeverisë e cila provokon Presidentin për të shkelur Kushtetutën

Gazetari: A keni bërë ndonjë tentativë personale jashtë pjesës institucionale me aktorët kryesorë politikë? Që do të thotë, a jeni takuar me kryeministrin Rama? Keni folur për një darkë vetëm për vetëm dhe a keni biseduar kështu siç po thoni tani? Dhe çfarë përgjigjeje keni marrë se me siguri edhe ai ka argumentet e tij?

Presidenti Meta: Qëndrimet e mia janë sistematike.

Gazetari: Përtej atyre zyrtare, iu pyeta për anën tjetër….

Presidenti Meta: Por do flas në fillim për anën zyrtare, sepse në radhë të parë ne do të gjykojmë qëndrimet publike zyrtare, sepse ato janë edhe të verifikueshme edhe në raport të transparencës me opinionin.

Janë bërë të gjitha veprimet, jo vetëm nga ana ime me secilin prej tyre, qoftë me zotin Rama si Kryeministër, qoftë me zotin Basha si kryetar i opozitës, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të gjenim një zgjidhje për këtë gjë. Që zgjedhjet vendore të bëheshin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Sepse një gjë duhet ta dish, ta dini ju dhe të gjithë. Në rast se nuk do të kishte dalë ai dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, jo vetëm që në Shqipëri do të kishte një përplasje të paevitueshme…

Gazetari: Përse do të kishte përplasje?

Presidenti Meta: Sepse 30 qershori ishte dita e ballafaqimit me forcë….

Gazetari: Përplasjen e evituan disa deklarata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës….

Presidenti Meta: Vetëm dekreti i Presidentit Ilir Meta ka evituar përplasjet!

Gazetari: Përse jeni të bindur që do të kishte përplasje?

Presidenti Meta: Kjo është 100 % kështu siç po e them unë.

Gazetari: Kishit informacion apo bindje?

Presidenti Meta: Unë i kisha të gjitha informacionet. Janë edhe të klasifikuara ato informacione, që nga përpjekja për të djegur Parlamentin, që nga përpjekje të tjera….

Gazetari: …Po kush donte ta digjte Parlamentin? Se ju keni folur për një model Rajshtagu…

Presidenti Meta: Zotëri, më dëgjo më vëmendje. Çfarë interesi mund të ketë një Kryeministër normal i një vendi i cili dëshiron të çelë negociatat me Bashkimin Europian, që një opozite që ka dalë në rrugë t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë? Opozita lë miting sot në Tiranë, ai lë miting nesër në Berat. Opozita lë miting prapë sot në Tiranë para institucioneve, ai lë miting në Vlorë. Çfarë interesi ka? Kur ai mitingun mund ta bëjë edhe një ditë tjetër dhe nuk ka nevojë që t’i provokojë ata.

Gazetari: Po pse qenka provokim të mbledhësh mbështetësit e tu në një vend tjetër krejt ndryshe nga ai ku është mbledhur opozita?

Presidenti Meta: Sepse në momentin që t’i ata i ke përballë Kryeministrisë i ke përballë Parlamentit, përballë institucioneve shtetërore….

Gazetari: …Ti takon mbështetësit e tu në një qytet 100 kilometra më larg….

Presidenti Meta: Jo, kjo është të flasësh në kushtet e papërgjegjshmërisë. Ti të jesh Kryeministër, ke për detyrë të qeverisësh vendin e para. E dyta, ti si Kryeministër nga pikëpamja kushtetuese je Kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ata të gjithë paguajnë taksa për qeverinë tënde dhe një nga arsyet kryesore është që ky zotëri i ka identifikuar të dyja, kryetari i mazhorancës dhe Kryeministër.

Gazetari: Ka mëri personale mes Jush dhe zotit Rama?

Presidenti Meta: Zero! Çfarë mërie duhet të kem unë ndaj Ramës? Unë po të kisha mëri nuk do të kisha bërë koalicion me Ramën. Të mos harrojmë se ne para vitit 2013 kishim ngjarje edhe më të rënda në planin personal, sepse ai ishte orkestruesi kryesor me gjithë enturazhin e tij për 21 janarin.

Gazetari: Dhe ju e falët?

Presidenti Meta: Nuk kam mbajtur gjë unë. Se ju këtë thoni, e mban ky Berishën, e mban ky Ramën dhe vazhdoni e votoni. Unë respektoj votat e qytetarëve shqiptarë.

Gazetari: Kur jeni ulur vetëm për vetëm, keni folur për një darkë në Pallatin e Brigadave, i keni thënë që zoti Rama jemi në një situatë të tillë, çfarë zgjidhje do të kemi? A keni folur normalisht?

Presidenti Meta: Atëherë, para se të kalojmë te këto, më datën 24 maj ka një deklaratë zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Merreni dhe shikojeni, që është një paralajmërim jo vetëm për të gjetur një zgjidhje, por edhe për të treguar që unë do ta luaja rolin tim në mënyrë që vendi të kishte një mundësi për të dalë nga kriza. Pastaj duan apo nuk duan palët është çështje e tyre.

Dhe pas deklaratës zyrtare të CDU-CSU-së lidhur me këtë situatë ku ata kërkojnë një dialog, kërkojnë një marrëveshje, kërkojnë mundësinë edhe të një date të re gjithëpërfshirëse për zgjedhjet vendore dhe thonë se sa e rëndësishme është kjo për të garantuar rrugën europiane të Shqipërisë, ka një deklaratë nga Presidenti i Republikës, i cili mbështet këtë qëndrim. Mbështet një rol moderator të tyre për të qenë të pranueshëm nga të dyja palët etj., dhe shpreh gatishmërinë e tij si i vetmi institucion që ka të drejtë të caktojë datën e zgjedhjeve për të caktuar një datë të re zgjedhjesh në varësi me dakordimin e mundshëm të dy palëve, duke i nxitur…

Gazetari: Por partitë nuk ranë dakord, pse u bëtë ju aktor në këtë mes zoti President ….

Presidenti Meta: Sepse partitë për fat të keq nuk u dakorduan ngaqë kishin një marrëveshje me dashje / pa dashje për ta çuar vendin në përplasje.

Gazetari: Kishin marrëveshje PS-ja me PD dhe LSI?

Presidenti Meta: Nuk po them marrëveshje me dashje apo pa dashje, këtë do ta tregojë koha. Kishin një kalkulim sepse mendonin që përfitonin nga përplasja.

Gazetari: Pra, ju mendoni se palët ishin të gatshme të përplaseshin dhe ju shmangët përplasjen?

Presidenti Meta: Palët u përplasën. Harroni ju sa policë u dëmtuan, harroni ju gishtat e asaj polices së re që u këputën, apo ju i harruat këto?

Gazetari: Dhe ju shmangët përplasjen zoti President?

Presidenti Meta: Harruat ju Sait Dollapin, një nga udhëheqësit kryesorë të opozitës që u rrah në mënyrën më barbare dhe jo profesionale nga policia përpara kamerave dhe që edhe mund të humbiste jetën, sepse kishte bërë një operacion në zemër. Dhe ka ndërhyrë Presidenti i Republikës dhe ka bërë presion në media edhe policisë që të dërgohet urgjentisht në spital dhe pasi ka shkuar në spital ka bërë ndërhyrje kirurgjikale. Por të kishte ndodhur diçka tjetër do të ishte tjetër historia e Shqipërisë.

E pra, Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës, që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e disa ndërkombëtarëve, që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë edhe palaço të vriteshin shqiptarët dhe pastaj të thonin: Po Presidenti çfarë bëri?

Gazetari: Pse mendoni ju se i kishit këtë rol që të paqtonit shqiptarët dhe të zgjidhnit këtë krizë?

Presidenti Meta: Ajo ishte detyra ime dhe detyrën time e kam bërë me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Të gjithë ata që jo vetëm flasin shqip, por edhe që ndihen shqiptarë.

Gazetari: A jeni i bindur që e keni bërë mirë zoti Meta dhe që nuk jeni bërë palë në këtë krizë?

Presidenti Meta: Zero palë! Palë këtu është vetëm një njeri në këtë krizë, i cili donte zgjedhje me një palë, i cili donte votues vetëm me një palë….

Gazetari: Edi Rama?

Presidenti Meta: Po. Ilir Meta kërkoi që të gjithë qytetarët shqiptarë të shkonin të votonin. Jo vetëm atyre, që kjo e drejtë mund t’u mohohej për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit, Nard Ndokës, etj., por edhe atyre që duan të votojnë për Partinë Socialiste apo Partinë e Unitetit Kombëtar të shkojnë të votojnë si qytetarë europianë në mënyrë të fshehtë.

Sepse votimet me një kandidat nuk janë të fshehta, nuk janë demokratike.

Gazetari: Por kështu krijohet precedenti që nëse njëra palë nuk hyn në zgjedhje Presidenti mund t’i shtyjë ato…

Presidenti Meta: Precedenti është krijuar në vitin 2007, nuk është ky rast kur u krijua precedenti. Tani situata është shumë e rëndë se në vitin 2007, sepse asokohe ne kishim Gjykatë Kushtetuese….

Gazetari: Atëherë data e zgjedhjeve u shty pas një marrëveshjeje mes partive….

Presidenti Meta: Po edhe tani kishte një marrëveshje për të përplasur shqiptarët. Kjo është shumë e qartë. Nëse unë ju thërras që ta zgjidhim këtë marrëveshje, të lëmë një datë dhe ju nuk doni e vazhdoni të tregonit forcën…. marrëveshja ishte.

Shikoni kronikat e kohës dhe shikoni policët e lënduar, shikoni qytetarët e lënduar, kthejuni pamjeve tuaja televizive kur Tirana ishte me gaz, sikur të ishim në Gaza dhe jo në mes të Europës. Shikoni se sa policë janë ndjekur nga Prokuroria për tejkalim kompetencash, shikoni thirrjet edhe të ambasadave, që edhe policia duhet të sillet në mënyrë proporcionale etj.

Shikoni more zotëri, thirrjet e 5 udhëheqësve të komuniteteve fetare në Shqipëri, shikoni se çfarë thonë ata. Mirë Ilir Meta mund të ketë interes, mirë edhe Edi Rama ka një interes dhe ju keni një interes. Po këta udhëheqësit e komuniteteve fetare shikoni se çfarë thonë: Mos e çoni kombin drejt vëllavrasjes! Mos na çoni prapa në ‘97-n. Janë deklaratat e tyre, sepse udhëheqësit fetare nuk kanë asnjë interes politik. Ata jetojnë me hallexhinjtë, ata jetojnë me fukarenjtë.

Dëgjoni OSBE/ODIHR-in se çfarë thotë, e thotë shumë qartë. Njerëzit tanë, pra vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it, në takimet që patën me të gjitha palët përgjatë gjithë spektrit politik arritën në mendimin se duhej një marrëveshje për të shpëtuar zgjedhjet, për të shpëtuar besimin te demokracia.

Gazetari: Zoti President, çfarë biseduat me z. Rama? A ju dha ai një argument ai për qëndrimin që mbante?

Presidenti Meta: Unë dua të them disa gjëra. Unë nuk e kam menduar kurrë sinqerisht deri në 10 qershor apo qoftë edhe një ditë më mbrapa që Edi Rama vërtetë e mendonte që të shkonte në zgjedhje vendore pa opozitën. Mendoja që ky do të fitojë kohë, t’i vërë këto ndoshta në një situatë pak si më të vështirë, duke afruar 30 qershori dhe pastaj ky do të vijë edhe vetë dhe do të thotë të gjejmë një mundësi, të caktojmë një datë dhe pastaj vijnë apo nuk vijnë ata, kjo është punë e tyre. Pra, mendoja që ky do ta bënte një përpjekje sido.

Gazetari: E kishit analizë këtë gjë apo e kishit biseduar?

Presidenti Meta: E kisha biseduar disa herë dhe më thoshte kemi kohë. E vërteta kjo është, sepse kemi biseduar disa herë.

Gazetari: Ju thoshte se kemi kohë?

Presidenti Meta: Po, më ka thënë kështu. Unë nuk di të gënjej, nëse ti ke ndonjë politikan në Shqipëri që të thotë se Ilir Meta më ka gënjyer, në rregull. Por unë nuk di të gënjej. Më thoshte se kemi kohë.

Gazetari: A e pranonte zoti Rama në bisedat private që vendi ishte në krizë?

Presidenti Meta: Ai nuk e pranon edhe sot, thotë që është Europa në krizë, nuk jemi ne. Ne po shkëlqejmë, ne po lulëzojmë…. Ai po ta kishte pranuar këtë gjë dhe po të kishte atë ndjenjë përgjegjësie, që duhet të ketë, jo një Kryeministër, i cili ka shumë përgjegjësi ndaj vendit, por një qytetar normal kurrë nuk do të ishin këto situata.

Gazetari: A kishte frikë nga përplasjet civile Edi Rama? Flas për atë që është shprehur në takimet me ju…

Presidenti Meta: Unë nuk e di se nga çfarë kishte frikë ai, por është gjëja më e lehtë kur të tjerët të vijnë e të bëjnë miting para Presidencës unë të iki në Skrapar dhe të mbaj fjalime kundër atyre që bëjnë miting këtu.

Gazetari: Në takimet private a kishte Rama frikë për destabilitet në vend?

Presidenti Meta: Unë nuk mendoj tani pas gjithë këtyre zhvillimeve që atij i dhimbset shumë stabiliteti apo destabiliteti i Shqipërisë. Nuk e mendoj, sepse po t’i kishte këto ndjenja të përgjegjshme ai nuk do ta kishte lënë kurrë situatën të vinte deri në këtë pikë. Ai është i vetmi Kryeministër në këto 30 vjet që nuk pranon dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për asnjë nga krizat dhe pasojat që ai prodhon.

Gazetari: Sepse ai konsideron krizë artificiale të krijuar nga opozita me ndihmën tuaj…

Presidenti Meta: Po, patjetër. Nga opozita, media, armiqtë ndërkombëtarë, të gjithë këta bashkë.

Gazetari: Ndërkohë me zotin Basha a keni biseduar gjatë kësaj kohe?

Presidenti Meta: Mendoj se kam diskutuar dhe qëndrimet e mia kanë qenë të qarta për të.

Gazetari: Por ai vetë si reagonte?

Presidenti Meta: Reagimet e tij kanë qenë dhe janë publike, unë nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë, edhe për opozitën. Dhe nuk kam pasur qëllim…

Gazetari: Por ju e shihnit që opozita nuk hynte në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe shtyrja e zgjedhjeve nuk e zgjidhte këtë gjë…

Presidenti Meta: Po opozita e re? Do të kishte kohë të vendoste kandidatë në të gjithë Shqipërinë apo jo? Të jemi seriozë. Sepse ti në shumicën e bashkive nuk kishe formalisht asnjë kandidat alternativ dhe në pjesën tjetër, në 20 e ca bashki ti kishe kandidat nga një parti e cila sipas raportit të OSBE/ODIHR-it është regjistruar në mënyrë të paligjshme. Atëherë zgjedhje me një kandidat?

Dhe unë nuk e kuptoj PS-në se është e pakënaqur pse unë bëra këtë dekret, sepse ata donin t’i merrnin zgjedhjet ashtu siç ishte pa opozitë, pas asnjë kundërshtar dhe kjo është gjëja më e lehtë kur mendon pa përgjegjësi për vendin, për komunitetet kudo, sepse ky konflikt do të shtrihej kudo e kështu me radhë. Por unë nuk i kuptoj këta të opozitës së re ç’patën me Presidentin? Sepse në kushtet kur ti mendon se kjo opozita tjetër nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi, ti ke mundësi të regjistrohesh, të fitosh hapësirë, të zgjedhësh disa kandidatë të tjerë.

Gazetari: Zoti President, a ka pasur një marrëveshjes mes jush dhe zotit Berisha për të rakorduar lëvizjet mes opozitës dhe Presidentit të Republikës? Zoti Rama ka folur për këtë…

Presidenti Meta: Asnjë marrëveshje. Ju thoni se me zotin Rama gjithmonë i kam pasur marrëdhëniet e këqija. Por zoti Rama para pak muajsh tha se ky është Presidenti më i mirë dhe më bëri me turp apo jo? Para pak muajsh e tha, doni ta nxjerr atë deklaratën t’i them Blushit tim të bëjë një kërkim dhe t’ua japë atë deklaratë publike.

Gazetari: Keni qenë i mirë atëherë kur u bë ajo deklaratë…

Presidenti Meta: Atëherë, i shkon pas avazit dhe je i mirë. Kur mban një qëndrim, ku preken interesat e tij dhe jo të vendit, jo të qeverisë, jo të shtetit, jo të Partisë Socialiste, por të atij personalisht, sigurisht që je komplotist.

Gazetari: A ka pasur një marrëveshje mes jush dhe zotit Berisha?

Presidenti Meta: Zero marrëveshje midis meje dhe Berishës! Zero marrëveshje midis meje dhe Lulzim Bashës! Zero marrëveshje mes meje dhe Monika Kryemadhit! Dhe mund t’ju them se edhe ajo më ka gënjyer për çështjen e mandatave kur unë kam qenë në Gjermani dhe i kam shkruar në “whatsapp” se kjo është një marrëzi, nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Ajo më tha: pa problem se edhe po ndodhi kjo mund të jap vetëm unë dorëheqje për arsye solidariteti, etj., po ata të tjerët nuk do t’i lënë mandatet. Dhe në fakt ndodhi gjë tjetër.

Gazetari: Ju ka gënjyer zonja Kryemadhi?

Presidenti Meta: Që më ka gënjyer është çështja e saj, nuk është ky problemi im. Çështje transparence.

Gazetari: Po me zotin Berisha keni folur për këtë situatë? Qoftë edhe si konsultim?

Presidenti Meta: Unë qëndrimet e mia ua kam thënë me kohë, qyshkur kur e kanë hedhur idenë e djegies së mandateve prej një viti e ca, që kjo është një rrugë tepër e gabuar dhe e kam thënë edhe publikisht shumë kohë para se të ndodhte kjo gjë, që mos mendoni që askush në Bruksel nuk do të qëndrojë pa gjumë se do të djegë opozita mandatet parlamentare.

Se kur nuk ndjenjë pa gjumë ata, që u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm në mënyrën më antikushtetuese dhe më të shëmtuar këtu dhe kur nuk ndenjën pa gjumë ata që unë kam 3 vjet që u them se do të mbetemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo do të nxjerrë çdo gjë jashtë kontrollit e do të përshkallëzohet kushtetuese, etj., sigurisht që nuk kishte të qëndronin pa gjumë ata se lanë këta mandatet parlamentare dhe ikën.

Ata përkundrazi u gëzuan dhe e nxitën këtë proces të ndodhte brenda 24 orësh që të merrnin mandatet e tjera këta të tjerët dhe të dilte opozita që shpëtonte Shqipërinë.

Gazetari: Gabim është mos hyrja në zgjedhje dhe t’i japësh sot të drejtën një force politike që të administrojë e vetme 61 njësitë vendore në Shqipëri, është skandaloze. E kam fjalën për opozitën që e bëri këtë duke mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore…

Presidenti Meta: Opozita ua ka dhënë të gjitha atyre. Ama, këto që mori në zgjedhjet lokale mazhoranca është pushtet i paligjshëm, siç janë edhe shumë gjëra të tjera të paligjshme.

Gazetari: Kur thoni se mazhoranca ka marrë pushtet të paligjshëm në gjykimin tuaj, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të anulojë zgjedhjet….?

Presidenti Meta: …Sepse kjo është një qeveri sot e pahetueshme, sepse kontrollon tërësisht Prokurorinë. E kanë zgjedhur Kryeprokurorin me 69 vota në mënyrë anti-kushtetuese. Kjo është një qeveri tërësisht e pakontrollueshme, sepse Parlamentin e kontrollon kjo, nuk kontrollon dot Parlamenti qeverinë.

Dhe është një qeveri tërësisht e pagjykueshme, sepse ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë e çdo gjë tjetër me qëllim, kështu që jemi në një situatë ku llogaridhënia në Shqipëri sot është zero!

Gazetari: Zoti President, përse Prokuroria nuk ka vepruar në disa dosje sensitive siç janë ato të Dibrës apo dosja e Durrësit?

Presidenti Meta: Edhe unë po të isha Prokuror i Përkohshëm i Përgjithshëm, që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me 140 vota, dhe po të isha zgjedhur me 69 vota, unë nuk do t’i hetoja dot ato dosje.

Por kështu unë po të isha President i Republikës në këtë zyrë, jo me 87 vota që jam zgjedhur, por të isha me 69 vota në mënyrë jokushtetuese, unë do t’ia kisha firmosur çdo dekret Edi Ramës me qejfin më të madh.

Gazetari: Pse?

Presidenti Meta: Sepse kur dikush zgjidhet në atë mënyrë nuk ka se çfarë bën, nuk mund të dalë jashtë atij ndikimi politik.

Gazetari: Ka dy vjet që Prokuroria ka qenë në qendër të zjarrit që ka ndezur Shqipërinë. Hetimi i këtyre dosjeve, qoftë edhe një vendim….

Presidenti Meta: Nuk është i Prokurorisë zotëri! Faji është i atyre që dhunuan Kushtetutën, është i atyre ndërkombëtarëve që certifikuan shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe thanë që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, që është një term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë votuar me 140 vota, mund të zgjidhet edhe me 69 vota.

Gazetari: Si President i Republikës a e keni thirrur ju Prokuroren e Përgjithshme ta pyesni për këto çështje?

Presidenti Meta: Po nuk kam pse ta vë në pozitë të vështirë atë. Nuk kam asnjë problem me të, nuk është faji i saj. Unë një javë para se të mbaronte mandati i ish-Prokurorit të Përgjithshëm në konferencën për shtyp të Presidentit të atëhershëm të Malit të Zi kam thënë: Lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm apeloj të dyja palët të nisin dialogun në mënyrë që Prokurori i ri i Përgjithshëm të zgjidhet sipas standardeve dhe në respekt të frymës së Kushtetutës. Kaq mund të bëjë unë.

Gazetari: A keni frikë…?

Presidenti Meta: Unë për Gjykatën Kushtetuese kam kaq vite, dhe për gjithë problemet e tjera të reformës në drejtësi… se dikush mund të thotë pse ka ngritur këtë gjë, pse ka bërë këtë kritikë. Unë nëse kam thënë ndonjë gjë dhe ndaj dikujt dhe ndaj ndërkombëtarëve përpara se të them një gjë në publik, kam thënë 100 gjëra në mënyrën më të ndershme, më konstruktive….

Gazetari: Privatisht?

Presidenti Meta: Zyrtarisht e privatisht, por jo publikisht, në mënyrë që ne atë reformë që e nisëm me shpresa aq të mëdha dhe për të cilën jepen aq shumë para dhe nga institucionet ndërkombëtare dhe taksapaguesit europianë.

Gazetari: Sa paguhet për Reformën në Drejtësi, gjysmë miliardë euro?

Presidenti Meta: Pyesni ata të Delegacionit të BE-së… Që atë reformë ta bëjmë tamam, në mënyrë që edhe vendit tonë kjo t’i shërbejë, por edhe integrimit europian të Shqipërisë t’i shërbejë.

Gazetari: A keni frikë nga kjo reformë zoti President, personalisht? Ka pasur fjalë që SPAK-u e të tjerë do hetojnë zyrtarë të lartë, ku përmendet dhe emri juaj?

Presidenti Meta: Zero, zero dhe më mirë nga të gjithë këtë gjë e di Edi Rama. Sepse unë në raport me ligjin jam njeriu dhe politikani më i kujdesshëm në Shqipëri. Sepse dua gjithmonë të ruaj pavarësinë time dhe integritetin tim. Këtë e dinë të gjithë, pyet edhe zotin Rama, pyet edhe zotin Angjeli edhe zotin Demeti, të gjithë që kanë qenë ministra me mua.

Nuk ka kaluar kur ka qenë Ilir Meta kryeministër, nuk kalonte një vendim qeverie pa patur konsensus nga të gjithë ministrat. Dhe të vetmet çështje që kanë patur debate më të forta dhe për të cilat janë shtyrë 4 apo 5 herë mbledhjet e qeverisë derisa të bëheshin letrat në rregull kanë qenë çështjet që vinin nga Ministria e Kulturës, që nga çështja e fasadave, se janë aty procesverbalet, e kam edhe unë një kopje të tyre, ngaqë zotëria në fjalë nuk bënte dot letrat në rregull dhe nuk pranonte Ministri i Financave, nuk pranonte Ministri i Punëve Publike, zoti Demeti dhe shumë të tjerë që të miratonin letra, që nuk ishin në rregull dhe në përputhje me ligjin dhe rregullat financiare të shtetit.

Gazetari: Zoti Meta, jeni i sigurt që nuk keni frikë nga SPAK-u dhe as nga struktura të specializuara? Jeni i sigurt që nuk jeni përfshirë në afera korruptive gjatë karrierës tuaj?

Presidenti Meta: Zero, zotëri, jam totalisht i ndërgjegjshëm për këtë gjë! Zero shqetësim për këtë gjë, për shkeljen e ligjit në Shqipëri, në Amerikë, në Europë dhe kudo tjetër. Po të kisha shqetësim nuk do isha ky që jam.

Gazetari: Që do të thotë, nuk keni ju zoti Meta pasuri të paligjshme të regjistruara jashtë vendit?

Presidenti Meta: Zero, pasuria ime është ajo që dihet, që e ka marrë me firmën e Edit dhe të Lulit, Monika. Prona e prindërve të saj, pallati atje, kaq dhe asgjë tjetër. Të tjerat janë përralla, t’i gjejnë, t’i marrin, t’i sekuestrojnë.

Gazetari: A mendoni që SPAK-u, do sjelli një transformim në skenën politike shqiptare, duke ndëshkuar personat, që nuk janë ndëshkuar kurrë?

Presidenti Meta:  Zotëri, keni kaq kohë që flisni do bëhet kjo, do bëhet ajo. Këtu u bë një legjendë e madhe sa të iki ky Prokurori i Përgjithshëm që ishte më përpara do fillojë hataja.

U zgjodh Kryeprokurorja e re dhe nuk u zgjodh vetëm nga Edi Rama, por u zgjodh edhe nga EURALIUS dhe nga OPDAT-i. Se këto janë të vërtetat, në qoftë se ju nuk doni t’i thoni, nuk ndodhi as një çudi.

Por mos të harrojmë se, kur të zgjidhet Prokurorja e Përkohshme në këtë mënyrë antikushtetuese, hapur flagrante, e gjithë kolona e hetimit në një shtet, se nga ajo bazohet, kush i ka bërë procedurat për KLP, kush i bën pastaj procedurat për SPAK-un. Unë e kam të vështirë që ta besojë që do ndodhi diçka serioze, kur shikoj skandalin e Unazës së Re, që është një vepër kriminale, edhe nga pikëpamja korruptive dhe nga pikëpamja e dhunimit të të drejtave të njeriut me PPP-të, dhe kur shikoj dhe shumë çështje të tjera të cilat nuk marrin asnjë lloj përgjigje. Kur shikoj dy çështjet e zgjedhjeve, sesi bëhet gjithë ky ping-pong, për gati 3 vjet dhe shumë të tjera.

Gazetari: Zoti Meta, kur do marrë fund prekja e votës në Shqipëri?

Presidenti Meta: Kur ne të gjykojmë me përgjegjshmëri të lirë për të ardhmen e këtij vendi si shqiptar dhe kur të ndalojmë të huajt që të tallen me Kushtetutën tonë, të fusin dorën natën dhe ditën pastaj të bëjnë leksione, sesi mbrohet rendi ligjor, sesi forcohet shtetit ligjor etj. Ata, që tallen me Kushtetutën tonë, sepse nuk po them se e bëjnë të gjithë këtë gjë.

Gazetari: Ata që tallen me Kushtetutën tonë?

Presidenti Meta: Po, po… dhe që marrin përsipër të interpretojnë Kushtetutën tonë dhe që marrin përsipër të bëjnë politikë në vendin tonë pa u votuar nga qytetarët shqiptarë. I dini ju, të gjithë

Gazetari: Kush janë ata, më jepni emra? Zakonisht këtë rol e ka, o ambasadori i Shteteve të Bashkuara ose ambasadorët e BE-së?

Presidenti Meta: Unë më duket se jam i qartë në këtë çështje, nuk do rri të merrem me emrat e tyre. Për mua është i rëndësishëm stabiliteti i Shqipërisë, dhe unë kam bërë gjithçka për stabilitetin e këtij vendit. Është i rëndësishëm të mbrojë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, kam bërë dhe do bëj më të mirën në këtë drejtim. Është e rëndësishme unë të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë i pari, dhe e kam respektuar në mënyrë më të shkëlqyer. Do ti një shkelje?

Gazetari: Sipas Venecias i keni tejkaluar kompetencat zoti President…

Presidenti Meta: Nuk ekziston fjala tejkalim more zotëri kush e thotë këtë?

Gazetari: Venecia e ka thënë. Ju vetë keni thënë që keni respekt për Venecian…

Presidenti Meta: Zotëri, nuk ekziston fjala tejkalim. Fjala “exceeding” ka 700 kuptime, nuk ka asnjë fjalë tejkalim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka fjalë shkelje, “violation”, apo “serious violation”.

Gazetari: Nëse Venecia thotë se ka qenë vërtetë “violation”, çfarë do bëni do jepni dorëheqjen nga President i Republikës?

Presidenti Meta: Ore, zotëri në qoftë se çmendet Venecia, nuk kam ndërmend…! Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë, dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë. Respekti, ruhet gjithmonë . Në qoftë se Venecia vendos të çmendet, le të çmendet Venecia, unë nuk do çmenden të lë Shqipërinë në kaos.

Gazetari: Po nëse thuhet që ju keni bërë gabim që keni firmosur….

Presidenti Meta: Venecia të më thotë nenin që kam shkelur unë. Të më thotë a ka institucion tjetër në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që mund të caktojë datën e zgjedhjeve? Kaq! Dhe e dyta, a ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar vendimin apo dekretin e Presidentit për 30 qershorin? Këto të dyja. Kaq! Këtu mbaron gjithë historia.

Gazetari: Por gjithsesi kemi marrë arbitër dhe ju e pranuat në fillim…

Presidenti Meta: E ka marrë Ulësiu, po për aq kohë sa ata do jenë serioz do i pranoj. Nesër lexoni pyetjet e mia. Unë Kushtetutën e lexoj vetë, i kam sytë në ballë. Në qoftë se do të marrë një Kushtetutë këtu dhe më trego se kë nen të Kushtetutës kam shkelur.

Gazetari: Zoti President, ju ka rënë fati i mirë apo i keq, të ndodheni President i Shqipërisë, në një moment krize.

Presidenti Meta: Unë i lumtur për këtë gjë nuk jam.

Gazetari: Nuk keni pse të jeni të lumtur se është vendi në kaos.

Presidenti Meta: Se nuk jam i papërgjegjshëm, por unë jam krenar që historia më ka vendosur me një sprovë të jashtëzakonshme, që unë do ta përballoj me gjithë shqiptarët.

Gazetari: Si zgjidhet kjo?

Presidenti Meta: Populli shqiptar e zgjidh këtë krizë.

Gazetari: Populli shqiptar, si?

Presidenti Meta: Me votë! Votë për Parlamentin, që të ketë Parlament serioz se e gjithë bota e di se çfarë Parlamenti kemi. Votë për pushtetin vendor se janë zgjedhje të paligjshme. Votë edhe për Presidentin, unë kam qenë i hapur.

Gazetari: Duhet të ndryshojë Kushtetuta për këtë, sepse kjo nuk është serioze se thatë që në tetor ishit të gatshëm të votonit edhe për Presidentin, kur e dini që për këtë duhet të marri vendim Parlamenti.

Presidenti Meta: Po, kush i pengon të marrin vendim? S’ka asnjë gjë, është shumë e thjeshtë, këtu është ndryshuar Kushtetuta që u votua nga populli në 19980-n. U ndryshua brenda natës, pa pyetur as Venecia, u ndryshua në themelet e veta. Pse, kush do thotë që mos të votohet Presidenti nga populli? Askush nuk ka pse ta thotë këtë gjë, këtu ti tregon respekt për popullin.

Gazetari: Përtej rolit të Presidentit të Republikës, kriza zgjidhet vetëm me një marrëveshje për zgjedhjet apo kërkon një marrëveshje më të gjerë, që kërkon të shohë edhe Kushtetutën?

Presidenti Meta: Zotëri, kriza është shumë e gjerë. Për mua kriza zgjidhet duke filluar nga tronditja e themeleve të gjithë sistemit tonë që nga 2008-ta. Që nga prishja e balancave, që nga ato listat e mbyllura, sepse nuk jemi në një sistem të mirëfilltë parlamentar.

Gazetari: Duhen parë të gjitha këto?

Presidenti Meta: Për mendimin tim të gjitha këto duhen parë, por nuk është vendimi im se cili do të jetë vullneti i palëve në këtë çështje. Për mua është e rëndësishme vendi të rivendoset në shinat kushtetuese nga të cilat ka dalë i gjithë sistemi.

Gazetari: Ka dalë nga shinat kushtetuese?

Presidenti Meta: Po një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, për çfarë e do Kushtetutën, kush e interpreton? Unë e interpretoj kështu, ai e interpreton ashtu, ti e interpreton ashtu. Kush është shinë në këtë situatë? Qeveria. Shikoni se sa vendime kanë kaluar në këto dy vjet në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me gjithë Konventat Ndërkombëtare që janë të detyrueshme nga ana ligjore për t’u respektuar nga Shqipëria, në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të gjitha.

Gazetari: A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme zoti President?

Presidenti Meta: Tani unë nuk e di se si do zgjidhet kjo situatë pa zgjedhje.

Gazetari: Pra zgjedhjet janë zgjidhja e vetme?

Presidenti Meta: Zgjidhja e vetme, në qoftë se do duhej një fjalë, është rikthimi i sovranitetit qytetarëve shqiptarë. Sepse ata kanë humbur sovranitetin e tyre në këtë vend, për të thënë fjalën e tyre dhe për të zgjedhur ata që do i përfaqësojnë, dhe për të kontrolluar institucionet, që duhet të japin llogari para qytetarëve shqiptarë. Zero është sot llogaridhënia në Republikën e Shqipërisë. A mund të quhet një sistem demokratik kur niveli i llogaridhënies është zero?

Gazetari: Zoti President ju do të qëndroni në detyrë deri në fund të mandatit tuaj?

Presidenti Meta: Deri më 24 korrik 2022 jam këtu zoti Fevziu, dhe sa herë të kemi mundësi të bëjmë intervista, të ndjekim zhvillimet.

Gazetari; Po nëse Parlamenti ju shkarkon?

Presidenti Meta: Tani nuk po iu jap përgjigje nëse Parlamenti çmendet, sepse nuk është se s’ka pasur edhe momente të tilla. Por duhet të jeni të qartë që dhe në rast se Parlamenti e ka këtë dëshirë, nuk është thjeshtë vetëm te Gjykata Kushtetuese, por Parlamenti ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Referohuni deklaratës sime në Pogradec, sepse ju mendoni ndonjëherë se kur ngre tonin humbas kontrollin, por nuk është kështu. Dua thjesht të thyej ndonjë herë monotoninë.

Gazetari: Zoti Meta a e keni menduar ndonjëherë shpërndarjen e Parlamentit dhe a e keni këtë kompetencë?

Presidenti Meta: Unë do bëj çdo gjë që vendi të normalizohet sa më shpejt, siç e kam bërë në mënyrë të vazhdueshme. Unë do të sillem gjithmonë si President i Republikës së Shqipërisë, si një shtet i së drejtës dhe jo si një shtet i propagandës.

Gazetari: Që përfshin edhe shpërndarjen e Parlamentit? Se ju nuk e quajtët legjitim vetëm 82 vota ka, thatë.

Presidenti Meta: Unë ju thashë që 82 vota janë legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës. Kaq! Në qoftë se me 82 vota legjitime mjafton gjykimi i Presidentit të Republikës, le ta bëjnë kur të duan. Por tjetra, keni parasysh që unë jam betuar për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo do të thotë që unë jo vetëm që do sillem si President i Republikës së Shqipërisë, por në fund fare dhe si Presidenti i të gjithë shqiptarëve, jo shqipfolësve.

Gazetari; Një pyetje po dua përgjigje të sinqertë. Shihe një herë kamerën tamam, a jeni penduar që i keni dhënë votat dhe u bashkuat me Ramën në 2013-n, dhe a ishte dështim bashkimi i votave me të?

Presidenti Meta: Duhet të keni parasysh se këto vendimmarrje, se kjo histori mund të diskutohet gjithmonë, a jeni penduar që keni bërë këtë gjë me Fatos Nanon, marrëveshjen me Berishën.

Unë nuk pendohem për gjërat që bëj, sepse ato duhet të vendosen në kontekstin e kohës, në kontekstin e rrethanave dhe a i kanë shërbyer vendit. Dhe unë mund t’iu them që të gjitha aktet e mia në të kaluarën i kanë shërbyer vendit. Edhe akti i 2001-shit kur u fituan zgjedhjet, dhe Fatos Nano donte të bëhej President me insistim me votat e “Dushkut”, dhe Parlamenti Europian tha që po u zgjidh kjo çështje kështu, pavarësisht se qeveria është legjitime, Presidenti duhet zgjedhur me konsensus unë dhashë dorëheqjen. Nuk pranova të bëhesha kryeministër apo qoftë dhe Kryetari i PS-së dhe Nano të bëhej President në mënyrë që të krijonte problem me opozitën dhe me Bashkimin Europian.

I thashë meqë do patjetër një detyrë kaq të lartë, bëhu ti kryeministër dhe President të bëhej një njeri për të cilën të binim dakord me opozitën, të vazhdojmë punën e integrimit europian, unë po bëhem Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër. Dhe kur formova LSI-në, pasi u binda që ishin shteruar të gjitha mundësitë për një situate demokratike në PS, dhe kam dhënë edhe dorëheqjen nga Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm.

Arsyet përsëri kanë qenë, se po tregohej një papërgjegjshmëri në atë kohë nga qeveria për integrimin në Bashkimin Europian, përsëri i bëra në shërbim të Shqipërisë se sollëm dhe një rrotacion paqësor në vitin 2005. Edhe në 2009-n, ku vendi u vendos në një krizë dhe pa votat e LSI-së nuk bëhej një qeveri dhe po të bashkohej LSI-ja dhe PS-në vetëm kriza do kishim, prapë i bëmë një gjë shumë të mirë Shqipërisë, dhe ndihmuam në procesin e integrimit europian.

Se statusi i vendit kandidat duhet të ishte marr që atëherë, por e bllokoi Edi Rama me atë historinë e Këshillit në qarkun e Fierit. Mori Shqipëria liberalizimin e vizave, u plotësuan me qindra dhe mijëra kritere. Në 2013-n prapë sjellja ka qenë shumë normale, jemi ndarë me Partinë Demokratike shumë normalisht kemi bërë një koalicion para zgjedhjeve tërësisht të moralshëm. Njerëzit e dinin që po të votohen këta do të qeverisin, po të mos na donin votonin prapë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Dhe për dy vjet deri në zgjedhjet vendore vendi ka patur zhvillime pozitive, pastaj se çfarë ndodhi dhe si ndodhi, ky është një gjykim që u takon të tjerëve, por për mua është e qartë që ishte një plan i tij për fat të keq për të kapur gjithë institucionet.

Gazetari; Po personalisht a jeni i zhgënjyer me Ramën se kam përshtypjen që bashkë njiheni para viteve 90?

Presidenti Meta: Unë nuk jam për të hyrë këtu në raportet e mia me Ramën. Për mua nëse Rama bën një gjë të mirë edhe sot dhe unë e vlerësoj dhe e përkrah. Nëse Rama i shërben interesit të Shqipërisë patjetër, nëse i shërben interesit të Kosovës patjetër. Po në qoftë se Rama, apo Basha, apo Kryemadhi apo kushdo tjetër bën një veprim tjetër është detyra ime, në radhë të parë si Presidenti i Republikës, por edhe si një politikan me përvojë dhe me detyrime ndaj këtij vendi, që t’u kundërvihem atyre në mënyrën sa më demokratike.

Gazetari: I qëndroni akoma idesë Zoti President, që Sorosi është shumë aktiv në Shqipëri dhe vazhdon të kontrollojë në nivele të larta qeveritare?

Presidenti Meta: Deklaratave që unë kam dhënë nuk u kthehem mbrapsht.

Gazetari: I qëndroni si ide? Sepse është thënë sikur diplomacia amerikane në Shqipëri drejtohej nga Sorosi, ndërkohë që më rezulton që edhe me administratën e re ka mbajtur të njëjtin qëndrim?

Presidenti Meta: Më duket se për këtë çështje kam qenë shumë i qartë, sikur jam shumë i qartë dhe jam shumë i ndershëm si politikan në raportet e mia për gati njëzetë e ca vjet dhe sot si President me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo me çdo lloj diplomati, por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asnjëherë nuk i kam gënjyer, asnjëherë nuk i kam cenuar interesat e tyre strategjike, dhe sa herë që kam menduar që janë duke gabuar ua kam thënë në sy, që po gaboni dhe kjo politikë do sjellë këtë pasojë që nuk është e mirë për vendin tonë, por dhe për ju. Sepse ne jemi një vend anëtar i NATO-së dhe duam të shkojmë në BE, dhe ne kështu nuk shkojmë dot në BE.

Gazetari: Ka shanse apo rrezik të bjerë prapë tërmet? Sepse u duk gati-gati si prej orakulli deklarata juaj?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje tjetër, sepse ndoshta i lodhëm qytetarët duke shpjeguar këto, jo dekreti, jo Rama, jo Luli, jo Monika, ky është një rast tjetër.

Gazetari: Për fatin e keq të shqiptarëve, jeta e tyre kështu është bërë.

Presidenti Meta: Nuk është se është bërë jeta e tyre, por shqiptarët kanë qenë pak të papërgjegjshëm për të mbrojtur të drejtat e tyre, dhe i kanë humbur hap pas hapi, e tani e gjejnë vetën në një sistem ku shqiptarët nuk kontrollojnë asgjë.

Rasti për çështjen e tërmeteve është një nga rastet më skandaloze të mungesës së përgjegjësisë të qeverisë në raport me qytetarët, jo me Presidentin, dhe të përgjegjshmërisë maksimale të Presidentit për një shqetësim serioz për të cilin ai kishte shumë arsye legjitime për të kërkuar nga qeveria që të ndiqte situatën dhe të përgatitej për një rast të tillë.

E kam firmosur vetë këtë dokument për Kryeministrin dhe Ministren e Mbrojtjes, pavarësisht se stafi më tha jo dhe ta firmosi Sekretari i Përgjithshëm. Unë kundërshtova dhe u kam thënë se kjo është një çështje serioze dhe duke e çuar unë si President kjo është një mënyrë për t’i nxitur edhe ata që ta marrin pak më seriozisht këtë çështje në nivelet më të larta. Dhe pas një ore pasi është nisur letra nga këtu, dhe ajo ka qenë thjeshtë për qëllime thjesht informuese, doli në media dhe u tha madje që është çmendur Presidenti.

Gazetari: Ishte dhe logjike që të mendohej nga një pjesë, sepse kur vjen një letër nga Presidenti që do ketë tërmet.

Presidenti Meta: Presidenti edhe mund të çmendet, edhe për çështjen e dekreteve themi që Presidenti u çmend. Që do të thotë që çdo gjë ishte në rregull, dekreti i parë ishte në rregull, opozita ishte regjistruar në zgjedhje, çdo gjë po ecte mirë.

Dhe vjen një moment që Presidenti thotë, meqë mua ma jep Kushtetuta këtë kompetencë dhe nuk ka kufizim Kushtetuta, që kjo zgjidhet me ligj të veçantë, unë tani mendoj këto zgjedhje meqë është pak si nxehtë t’i shtymë për nga tetori. Mund ta bëjë dhe këtë Presidenti, por atëherë Parlamenti mblidhet dhe ngre o komision mjekësor për Presidentin, dhe thotë ky është i çmendur dhe hajt ta çojmë në çmendinë, se nuk është për këtë punë.

Ose ky po shkel Kushtetutën, dhe e tillë do të ishte, një shkelje e rëndë e Kushtetutës, sepse të drejtat e qytetarëve po garantoheshin dhe gjithë forcat politike po merrnin pjesë në zgjedhje, kandidatë alternativë kishte, kështu që çfarë ka ky që po bën këtë gjë! Edhe kjo çështja e tërmetit tregon mungesën e madhe të përgjegjshmërisë në raport me qytetarët, sepse unë kisha një arsye. Se çova këshilltarët e mi, mund të çoni edhe ju kamerat, por jam i sigurt që nuk do t’ju lejojnë t’i jepni kronikat pastaj, janë ende disa shtëpi në fshatrat e Korçës, të Devollit, të Kolonjës nga tërmeti që ra në qershor ku nuk është rregulluar pothuajse asgjë, ka dhe disa që janë rregulluar.

Madje, para disa ditësh më kërkuan, më thanë hajde merru ti me ne se po nuk erdhe ti këtu ata nuk merren me ne. Nuk vajta se nuk doja të hapja një problem tjetër, por Presidenti ka të drejtë të shqetësohet dhe mund të mos ndodhi një gjë e tillë. Por çfarë e gjeti qeverinë se mori disa masa, se bëri disa verifikime, me institucionet përkatëse sizmiologjike në Itali apo në Greqi, apo diku tjetër. Por jo, shyqyr që na erdhi një mundësi që ne tani të diskretitojmë Presidentin, dhe ndërkohë që hapen këto gjëra, vazhdojnë PPP-të, kalojnë andej. Vazhdojnë këto problemet e tjera, nisen banane, kapet kokainë, dorëzohet oriz.

Gazetari: Është një problem shqetësues që besoj zoti President duhet të kishit mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Të paktën nga kalkulimet që bëmë ne një emision të para disa ditëve rreth 1.7 tonë kokainë është kapur vetëm në 3 vitet e fundit.

Presidenti Meta: E di, i kam ngritur këto çështje vazhdimisht. Dhe e kam mbledhur vjet unë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, sepse kisha dyshime për çështjen e aeroportit që do përsëritej vjedhja e parave. U morën masat aty janë të gjitha shkresat, prapë ndodhi ajo. Jo vetëm kaq, por dëgjova dhe një deklaratë fantastike, që kemi të dhënat që eurot janë djegur. Tani nuk e kuptoj, se si mund të rrezikonin jetën ata për të djegur eurot.

Gazetari: Kjo ishte deklarata e Ministritë të Brendshëm, i kërkuat shpjegime për këtë gjë?

Presidenti Meta: Nuk e di deklarata e qeverisë ishte, kontrollojeni.

Gazetari: Faleminderit zoti President!

Presidenti Meta: Faleminderit juve dhe teleshikuesve tuaj!

VIDEO/Intervista e Presidentit Ilir Meta 

SHKARKO APP