Ilir Meta: LSI, e cila ka shpirtin dhe forcën te rinia, do jetë parti e parë
Avantazhi më i madh i LSI në raport me PS dhe PD është se ka të rinjtë si bastoni vendimtar, i cili voton për forcën politike LSI. Ndaj në këto zgjedhje parlamentare LSI ka kandiduar numrin me të madh të rinjve. Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi sot një takim me 400 të rinj e të reja, që votojnë për herë të parë në Njësinë administrative Paskuqan.
Të pranishëm në këtë takim ishin kandidatët e LSI-së për qarkun e Tiranës, Luan Rama, Ylli Shehu, Edmond Stojku si edhe ish-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet, ish-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi rolin e të rinjve e të rejave, sidomos atyre që janë votues për herë të parë, duke nënvizuar se tani më me votën e tyre kanë mundësi për t’i dhënë një shans të rinjve të Shqipërisë duke votuar LSI-në. “Për të gjithë ju të rinjtë e të rejat, 25 qershori do të mbetet një ditë e lehtë për t’u kujtuar në të ardhmen, jo vetëm për arsyen se ju do të votoni për herë të parë në jetën tuaj, por edhe për një arsye tjetër, sepse do të nxirrni LSI-në forcë të parë si një mundësi historike për t’ju dhënë shansin të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë”, – u shpreh Meta.
Kandidati i LSI-së për qarkun e Tiranës, z. Luan Rama, në fjalën e tij përpara të rinjve e të rejave të Paskuqanit u shpreh se LSI-ja do të dalë forcë e parë, sepse është e vetmja forcë politike që mbështet rininë.
“Përse LSI do të dalë forcë e parë? Sepse në Shqipëri nuk ka asnjë force tjetër politike që bën më shumë se sa LSI-ja për rininë e Shqipërisë. Prandaj, edhe rinia e Shqipërisë duhet ta bëjë LSI-në forcë të pare për të ardhmen e vetë.
Përse Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë forcë e parë, sepse vetëm LSI-ja mund të bashkojë zemrat, vrullin, ëndrrat dhe aspiratat e të rinjve siç bën LRI-ja, siç bën LSI-ja”, – tha Luan Rama.
Kryetarja e LRI-së, njëkohësisht edhe kandidate për deputete e LSI-së në qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi u shpreh në fjalën e saj se Lëvizja Socialiste për Integrim është një mundësi për çdo të ri që të japë kontributin e tij për ndryshimin pozitiv të Shqipërisë duke nënvizuar maturën shtetërore e cila u ndryshua falë këmbënguljes së LRI-së.
“Së bashku me të rinjtë e LRI-së, nga Veriu deri në Jug, kemi hartuar një paketë propozimesh me pika konkrete se si ne ta ndryshojmë maturën shtetërore, për ta bërë një mature më transparente dhe për ta bërë një mature që ju dëshironi”,- u shpreh Floida Kërpaçi, duke shtuar se vendi ka nevojë për një program konkret që garanton punësimin e të rinjve dhe për këtë duhet mbështetur programi i LSI-së.
“Kemi nevojë për program konkret dhe kemi nevojë për një program që do të na kthejë shpresën, do të na japi shansin për një jetë më të mire, e këtë bën plani i punësimit të të rinjve. Një program që do të krijojë njëqind mijë vende të reja pune, duke na krijuar ne një shans për një jetë më të mirë dhe me një page më të mire. Ne do të marrim në dorë fatet tona”, – tha Floida Kërpaçi.