Meta: LSI nuk nxit konflikte. Vendit i duhet stabilitet, të gjendet zgjidhje

Kryetari i Kuvendit dhe kreu i LSI, Ilir Meta, nga Bashkia e Skraparit ka dhënë mesazhe normaliteti për situatën politike. I pranishëm në prezantimin e projektit për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve të Çorovodës, Meta u shpreh se mesazhet e LSI janë për stabilitet dhe jo për nxitje të konflikteve politike.

“Mesazhi i LSI-së është mjaft pozitiv dhe këtë mesazh duan të gjithë shqiptarët. LSI është një forcë shumë bashkëpunuese. Të gjithë e shikojnë që LSI nuk nxit konflikte dhe LSI është e përqendruar në çështje konkrete që ndihmojnë të rinjtë, që ndihmojnë maturantët, që ndihmojnë studentët, që ndihmojnë ata që duan punë më të mira, që ndihmojnë zona të ndryshme të vendit”, – tha z. Meta.

Lidhur me krizën politike, kreu i LSI u bëri apel për dialog mes palëve që vendi të ecë në rrugën e stabilitetit dhe të paqes sociale.  Meta tha se është shumë e rëndësishme që në ditët në vijim të gjendet një zgjidhje mes palëve. Kreu i LSI-së garantoi se forca që ai drejton do të punojë gjithmonë për stabilitetin e vendit.

“Është shumë e rëndësishme të gjendet një zgjidhje në ditët që vijnë. Ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, të legjitimitetit të institucioneve dhe të paqes sociale. Të gjithë duam paqen sociale në familjen tonë, në vendin tonë, sepse pa këtë nuk ka as siguri, as arsimim më të mirë, as ekonomi më të mirë, as punë më të sigurta dhe padyshim nuk ka një perspektivë në këtë vend”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit.

Ilir Meta tha se të rinjtë, ashtu si edhe të gjitha familjet shqiptare, duan perspektivë dhe stabilitet. Kryetari i Kuvendit u shpreh se shqiptarët duan të prekin sa më shumë projekte, që ndryshojnë jetën e tyre cilësisht dhe që sjellin investime të tjera dhe hapin vende pune.

SHKARKO APP