Ilir Meta nga Suedia në Danimarkë. Takon homologen Pia Kjersgaard
Nga Suedia në Danimarke Ilir Meta vazhdon takimet me homologet e tij. Gjatë një vizite pune sot në Kopenhagen, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në Folketinget nga Kryetarja e Parlamentit të Danimarkës,Pia Kjersgaard, me të cilën biseduan rreth marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimeve në rajonin e Ballkanit dhe integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit.
Kryetari i Kuvendit,Ilir Meta e falënderoi Kjersgaard për mbështetjen e Danimarkës në kuadër të axhendës së integrimit evropian të Shqipërisë dhe duke vlerësuar bashkëpunimin në të kaluarën, shprehu vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare. Në këtë kuadër Meta e ftoi Kjersgaard për një vizite në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.
Duke iu përgjigjur interesit danez mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian, Meta vlerësoi realizimin me sukses të reformës administrative-territoriale dhe vuri në dukje, që prioriteti kryesor i axhendës politike shqiptare është reformimi pa vonesa i sistemit të drejtësisë, si kryefjalë për forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar për krijimin e një klime më të favorshme biznesi për thithjen e investitorëve të huaj.
Në këtë kuadër,Meta shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mirëpritur më shumë kompani daneze në vend, të cilat sjellin ekspertizë dhe një teknologji tepër të avancuar.
“Ne mbështetemi te Danimarka, si në zhvillimin institucional e demokratik, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, – nënvizoi Meta. Fushat e turizmit, energjetikës dhe bujqësisë u vlerësuan si fusha prioritare të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar.
Kryetarja e Parlamentit të Danimarkës, znj. Pia Kjersgaard shprehu kënaqësinë për vizitën e Ilir Metes në Kopenhagen, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar si kyç në cilësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë drejtim, u ra dakord për konkretizimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe veçanërisht administratave reciproke.
Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, u vlerësua roli i Shqipërisë në mbarëvajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe u theksua rëndësia e avancimit të reformave të nevojshme në të gjitha vendet e Ballkanit.
Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit në kontinentin evropian si pasojë e krizës emigratore, Meta theksoi se Shqipëria vlerëson se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë krizën e refugjatëve si një sfidë të përbashkët të vendeve anëtare, së bashku edhe me vendet e Ballkanit të cilat përdoren si vende tranziti. Në këtë drejtim u nda bindja se sfidat e terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme janë sfida që kërcënojnë shoqëritë dhe kohezionin social të të gjitha vendeve të kontinentit evropian, dhe në këtë drejtim, Shqipëria mbetet e angazhuar maksimalisht së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, dhe është e gatshme ta intensifikojë bashkëpunimin e saj me Danimarkën.
Gjatë qëndrimit të tij në Kopenhagen, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, Henrik Sass Larsen si dhe u prit nga Ombudsmani i Danimarkës z. Jorgen Steen Sorensen, të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe asistencën e vazhdueshme ndaj institucionit të Avokatit të Popullit, që prej themelimit të tij në Shqipëri, institucion që i shërben mirëqeverisjes dhe proceseve demokratizuse në vend.