Meta në Kongresin dhe Senatin e SHBA. Çfarë bisedoi pas ardhjes së Trump?
Donald Trump nga dje është Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndryshimet politike në SHBA janë një proces që pritet të ketë ndikim në gjithë botën. Pikërisht për atë që përfaqëson Donald Trump në politikën botërore dhe mënyrën sesi arriti një fitore sfiduese për në Shtëpinë e Bardhë janë të shumta pikëpyetjet lidhur me zhvillimet ndërkombëtare. Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera në rajon dhe BE nuk e ka fshehur paqartësinë që do të sjellë “Epoka Trump” në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në marrëdhëniet direkte me Tiranën zyrtare. Pavarësisht se strategjia e Trump nuk ka dhënë detaje për vende me peshë, gati të parëndësishme ndërkombëtare si Shqipëria, për Tiranën zyrtare është më shumë se i rëndësishëm vazhdimi i raportit të marrëdhënieve speciale me SHBA-të.
Është herët për të thënë se çfarë do të ndryshojnë në këto marrëdhënie, megjithatë nuk ka vend për shumë paqartësi. Janë disa sinjale nga administrata e re në SHBA dhe nga politikanët me peshë në Senatin dhe Kongresin Amerikan, që japin garanci se marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatin strategjikë do të vijnë duket njohur ritme të reja, pozitive. Dilemat në Tiranën zyrtare janë të pranishme pas akuzave që bëri para fushatës elektorale në SHBA, Edi Rama kundër Donald Trump. I druhen frikës nga ndonjë hakmarrje nga Shtëpia e Bardhë.
Këto ditë Kryetari i Kuvendit, numri dy i shtetit Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta ishte i pranishëm dhe në ceremoninë zyrtare të betimit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Në këtë ceremoni, ndryshe nga sa folën mediat të caktuara në Tiranë për çështje biletash, Meta ishte i ftuar nga përfaqësues të Partisë Republikane Amerikane. Pjesë e kësaj partie është Presidenti i ri Trump, por edhe politikanët më me ndikim në vendimmarrjen amerikane në Senat dhe Kongresin e SHBA. Ky fakt edhe pse në Tiranë shkaktoi pak xhelozi, në situatën e re të “Epokës Trump” është garancia e vazhdimit të marrëdhënieve speciale mes SHBA dhe Shqipërisë. Kur numri dy i shtetit ka akses në elitën e politikëbërjes amerikane, ky është një zhvillim që duhet të qetësojë këdo që mendon se me ardhjen e Trump marrëdhëniet strategjike do të ndryshojnë.
Prezenca në ceremoni e kreut të Kuvendit ka simbolikën e posaçme për vlerësimin që i bëhet nga politikanët amerikanë. Por po kaq të rëndësishme janë dhe mesazhet që kreu i Kuvendit ka marrë nga përfaqësuesit e institucioneve ligjvënëse të SHBA në takimet që ka zhvilluar këto ditë. Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Kreu i Kuvendit është takuar me disa personalitete të rëndësishme të Senatit dhe Kongresit amerikan. Vlen të përmendet si më kryesori takimi me Presidentin e Senatit, Orrin Hatch. Për shkak të sistemit dydhomësh të ligjvënësve, Senati është vendi ku kalojnë politikat kryesore të SHBA. Ndaj deklarata e Presidentit të Senatit se SHBA se do t’u kushtojë vëmendje marrëdhënieve me Shqipërinë, është një garanci më tepër për partneritetin mes dy vendeve.
Po kaq i rëndësishëm ka qenë dhe mesazhi i Kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Ed Royce, gjatë takimit me kreun e Kuvendit Ilir Meta. Një nga zërat kryesorë të politikës së jashtme amerikane në Kongres është shprehur se “aleanca solide SHBA-Shqipëri duhet forcuar më tej në përballje të sfidave të përbashkëta globale e rajonale”.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe zyrtarë të tjerë gjatë takimit me kryeparlamentarin Ilir Meta, ku veç politikës së jashtme është diskutuar dhe për zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, Pete Sessions, konfirmoi qëndrimin e SHBA për bashkëpunimin mes dy vendeve në forcimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit.
Aleancat mes shteteve dhe sidomos në rastin SHBA-Shqipëri funksionojnë mbi bazën e një partneriteti strategjik. Megjithatë, forcimi i marrëdhënieve me administratën e re në SHBA ka nevojë edhe për politikanë të sprovuar dhe diplomatë aktivë që të vendosin pikat e kontakteve. Vizita e Metës i kishte të gjithë këto elementët, por më të rëndësishme janë mesazhet që vijnë nga Uashingtoni.
Ilir Meta bëri takime të rëndësishme në Kongres dhe në Senatin Amerikan, të cilat janë një tregues i rëndësishëm për marrëdhëniet e reja të pas “Epokës Trump”. Çfarë folën kokë me kokë? Mbetet të presim ngjarjet, para datës 18 prill, në Tiranë. Zhvillime të rëndësishme politike priten në Shqipëri.
Qamil Xhani