Presidenti Meta: Pa zgjedhje normale mos prisni hapje negociatash
Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai deklaroi se qëndrimi i tij gjatë gjithë karrierës në politikë ka qenë i qartë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Duke u ndalur te pritshmëritë e vendeve të BE në muajin tetor për negociatat, Presidenti tha se pa zgjedhje normale më 13 tetor Shqipëria nuk mund të marrë çeljen e negociatave.
“Për çështjen e integrimit, siç ka shqiptarë që mendojnë ndryshe ka dhe ndërkombëtarë që mendojnë ndryshe. Unë e kam thënë disa herë dhe po jua them prapë dhe do t’jua them prapë. Nuk realizohet integrimi në BE as me lobingje dhe as me qoka. Janë disa standarde të Kopenhagenit që nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë, sepse nëse ndryshojnë ato, nuk ka më Europë”,- tha kreu i shtetit.
Presidenti Ilir Meta, gjatë konferencës për mediat, ka komentuar vendimin e mazhorancës për ta dërguar kërkesën për shkarkimin e tij në Komisionin e Venecias. I pyetur nga gazetarët nëse ka frikë nga përgjigjja e një institucioni ndërkombëtar, Kreu i Shtetit është shprehur me bindje se as nga Komisioni i Venecias dhe as nga Bienalja e Venecias nuk ka frikë.
Ndër të tjera, ai ka sjellë në vëmendje gjyqin e qeverisë me Francesko Becchettin, duke thënë se do të jetë një kosto e madhe për shqiptarët, nëse dështon Shqipëria. “As nga Komisioni i Venecias, as nga Bienalja e Venecias, të cilën ua kam mbajtur sekret, por e vizitova tani që mora “Luanin e Artë” dhe është diçka frymëzuese. Nuk kam hallin e Venecias, por që të dalë mbi ujë gjyqi i Bechettit dhe që qeveria ta fitojë, se është faturë e madhe për shqiptarët, nëse ka dështim dhe të shikojë të hapë sytë për gjithë proceset e tjera që janë në gjykatat evropiane, sepse janë kosto të mëdha për të gjithë shqiptarët”,- ka deklaruar Meta.