Meta për sulmin me vezë: Do veprohet sipas Rregullore së Kuvendit
Kryeparlamentari Ilir Meta ka komentuar sulmet e djeshme në Kuvend. Ai tha se po kërkohet të tërhiqet vëmendja nga reformat që pritet të miratohen. Në lidhje me ndëshkimin e deputetëve ai tha se do të veprohet sipas rregullores.
- Meta, a do të merren masa ndaj tre deputetëve që qëlluan me vezë dje në seancën plenare?
Mendoj se çdo përpjekje për të nxitur konflikte artificiale dhe akte aspak të pranueshme për mënyrën e funksionimit të Parlamentit duhet të marrin fund. Parlamenti duhet të funksionojë bazuar në rregullore, por edhe në frymën e përgjegjshmërisë dhe të vetëpërmbajtjes, pasi besoj se qytetarët tanë nuk i meritojnë këto lloj shfaqjesh dhe konfliktesh që nxjerrin nga vëmendja problemet e tyre më të rëndësishme. Por njëkohësisht edhe shpërqendrojnë të gjithë aktorët politikë nga reformat kryesore me të cilat ne duhet të ballafaqohemi dhe që duhet të çojmë përpara. Pra, kërkohet një klimë tjetër bashkëpunimi, përgjegjshmërie dhe natyrisht që kërkohet një etikë krejt tjetër nga ajo që qytetarët kanë vënë re dje në Parlament.
A do t’i shqyrtoni amendamentet e opozitës për ligjin për dekriminalizimin?
Besoj se ju të gjithë jeni dëshmitarë që gjithnjë ka qenë vullneti maksimal për të respektuar kërkesat e drejta të opozitës, bazuar në rregulloren e përbashkët, që është bërë me konsensus të plotë. Është e rëndësishme të mos ecim me paragjykime dhe me ultimatume, por të qëndrojmë në frymën e bashkëpunimit konstruktiv dhe interpretimit objektiv edhe të rregullores.
A do të merren masa ndaj deputetëve të PD-së? Jeni njohur me kërkesën e z. Ruçi besojmë…?
Jam njohur me kërkesën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, z. Ruçi dhe do të veprohet në bazë të rregullores.
Kur do të bëhet Byroja e Hetimit pjesë e punimeve parlamentare? Dje në Konferencën e Kryetarëve nuk është marrë në shqyrtim…?
Ne kemi qenë gjithnjë të gatshëm për ta çuar përpara këtë projekt. Kush do të jetë komisioni përgjegjës? Për mua nuk është kjo më e rëndësishmja, e rëndësishme është konsensusi për ta çuar përpara.