Meta, përgjigje Bashës: LSI është shtylla kryesore e stabilitetit politik në vend
Partia e Ilir Metës mbetet forca kryesore stabilizuese e vendit, ndërkohë që PS dhe PD duan ta fusin vendin në një krizë të pakthyeshme, për interesa pushteti personal. Gjuha e drunjtë dhe kacafytese mes Bashës dhe Ramës shikohet përditë, duke mos gjetur udhë dialogu, por vetëm “luftë shpatash”. Ndërkohë LSI ofron një gjuhë të thjeshtë popullore për dialog dhe për të gjetur mundësi kompromisi kombëtar në mënyrë që të zgjidhen hallet e njërëzve, si dhe të shkohet në zgjedhje të lira. Nuk ka duruar lideri i opozitës Basha dhe sulmoi kreun e LSI, pasi kreu demokrat kërkon që Meta të rrëzoj Ramën që të fitoj PD. Ilir Meta ka kërkuar nga PS dhe PD që të ulen për të gjetur pika të përbashkëta në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të gjithëpranuara. Por Lulzim Basha nuk duroi. Sulmoi duke prishur edhe ndonjë shteg kompromisi.
Ilir Meta nuk ka vonuar dhe i është përgjigjur nga Vlora deklaratës së egër të Lulzim Bashës nga çadra e opozitës. Deklarata e tij erdhi pasi Basha u shpreh të shtunën në media se “Ilir Meta ka qenë gjithnjë një patericë e Edi Ramës, ndaj nuk presim asgjë prej tij. Në cilin rast ka zgjedhur krahun e qytetarëve Meta deri tani?!” tha Lulzim Basha, i mërzitur se nuk po i kthen njeri përgjigje nga kampi i mazhorancës që të dalë nga çadra ku është futur prej ditësh.
Ndonëse në një takim rinor në Vlorë kreu i LSI ka gjetur mes rrjeshtave, me finesë, ti kthejë përgjigje Lulzim Bashës. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes Rinore për Integrim të Vlorës. Të pranishëm ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, Kryetari i KDK-së së LSI, Shezai Rrokaj, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi si edhe deputeti i LSI-së, Flamur Çelaj. Në fjalën e tij gjatë takimit, Ilir Meta tha se LSI është në radhë të parë parti e të rinjve e të rejave të familjeve më të thjeshta të shoqërisë sonë dhe se LSI është shtylla kryesore e stabilitetit politik në vend.
Dihet tashmë se LSI ka një mbështetje mjaft të fortë te rinia.
“LSI është në radhë të parë parti e të rinjve dhe të rejave, është vërtetë një shans për të gjithë. Është një parti që i drejtohet në radhë të parë të rinjve dhe të rejave të familjeve më të thjeshta të shoqërisë sonë. Mbështetja për LSI-në rritet, sepse të gjithë e shohin që LSI-ja është shtylla kryesore e stabilitetit politik në vend, është një shtyllë kryesore e paqes sociale, e dialogut dhe e bashkëpunimit. Ne nuk jemi një forcë oportuniste, që një herë i bëjmë qejfin njërit e një herë tjetrit”, – deklaroi z. Meta, ndërsa u zotua se LSI-ja do t’i japë mbështetje të rinjve në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri e jo jashtë.
“Për ne të rinjtë nuk janë një fasadë, për ne të rinjtë janë e sotmja dhe e ardhmja e Vlorës dhe e gjithë Shqipërisë. Ne duam t’i japim një shtysë të fuqishme angazhimit tuaj dhe gjithë të rinjve protagonizmit tuaj në mënyrë që askush prej jush të mos e shikojë të ardhmen jashtë Vlorës dhe jashtë Shqipërisë”, – u shpreh Kryetari i LSI-së.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Endrit Braimllari, tha se LSI është një mundësi dhe një shans për këdo dhe se Vlora, ashtu si edhe Shqipëria, ka nevojë për energjinë dhe solidaritetin e të rinjve dhe mesazhe pozitive që ato përcjellin.
“LRI çdo ditë forcohet dhe rritet gjithmonë e më shumë. Është shumë e qartë që LSI është forca e të rinjve. LSI është një mundësi dhe një shans për këdo. LSI ka qenë një mundësi për mua personalisht dhe shume e shumë të rinj anembanë Shqipërisë që sot janë anëtarë të këshillave bashkiakë, na përfaqësojnë në Parlament. Ju e keni këtë shans, ju e keni këtë mundësi. Vlora ka nevojë për energjinë tuaj, për solidaritetin tuaj dhe për të rinj që çojnë mesazhe pozitive. Forca jonë është ekipi”, – theksoi Braimllari.
Gjatë këtij takimi mori fjalën edhe Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, e cila tha se vendi ka nevojë për vizionin dhe energjinë e të rinjve dhe se LSI është partia e duhur për çdo të ri dhe të re.
“Jam e bindur se që të gjithë të rinjtë e Vlorës besojnë te LSI, sepse ne po punojmë për të krijuar një shans për të gjithë ju. Jam shumë e bindur se me vizionin tuaj, me punën tuaj, me sfidën që kemi ne të rinjtë për të sfiduar veten, mund të bëjmë shumë më shumë. Ky vend ka nevojë për vizionin tonë, për energjinë tonë dhe jemi në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe në partinë e duhur, në LSI. Çdo i ri e ndjen veten pjesë të LRI, sepse LRI ka punuar ndër vite për kauza rinore dhe do të vazhdojë ta bëjë”, – u shpreh Kërpaçi.