Presidenti Meta dekreton ministrat e qeverisë “Rama 2” në kohë rekord
Të shtunën, sapo parlamenti u konstitua në mënyrë kushtetuese, PS dërgoi emrin e Edi Ramës si kryeministër. Kushtetuta thotë se Presidenti i Republikës dekreton si kryeministër emrin që sjell partia fituese e zgjedhjeve. Burime të besuara tregojnë se sapo shkresa nga kryeministria hyri në zyrën e protokollit në presidencë, mënjëherë është firmosur dekreti nga Presidenti Meta për emërimin e Edi Ramës si kryeministër. Nuk është se kishte ndonjë problem apo hezitim, porse nisur nga tradita e ish-presidentëve paraardhës, e vononin, aq më tepër se dita e shtunë dhe e dielë është ditë pushimi.
Sot, ditën e dielë, nuk ka vonuar Presidenti Meta dhe ka firmosur dekretin për emërimin e ministrave të qeverisë Rama 2. Presidenti Ilir Meta duket korrekt dhe praktik, sepse parardhësit e tij (jo të gjithë), siç thamë më sipër i vononin emrat e ministrave për ti dekretuar me marifete të ndryshme, nganjëherë edhe për inate politike. Nëse do të ishte për inat politik Presidenti Meta kishte plot të drejtë t’ia vononte apo edhe kthente një ministër të Edi Ramës, duke kërkuar natyrisht marifete kushtetuese. Por, me sa kuptohet, Ilir Meta shikon nga e ardhmja dhe ka harruar të shkuarën.
Nuk bën gabim, por edhe nganjëherë, edhe mund të kujtojë fushatën elektorale të këtij viti. Por jo ta kujtojë në presidencë, më mirë te Gjiri i Lalzit.
Të hënën, kuvendi do të mblidhet në një seancë plenare ku shefi i mazhorancës do të shpalosë programin e qeverisë. Më pas do të votohet qeveria dhe pas vizitës në Itali të Presidentit Meta ditën e martë, i ftuar nga presidenti italian, ditën e mërkurë, qeveria Rama do të betohet te Presidenti Meta.
Interesant mbetet momenti i betimit të kryeministrit Rama para Presidentit Meta, por me sa duket akulli i verës ka filluar të shkrijë vjeshtë!