Presidenti Meta pritet nga kongresmeni amerikan, Aderholt: SHBA, partneri kryesor strategjik

Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua me Kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.

“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike.

“Është e domosdoshme, – theksoi Presidenti Meta, – nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Presidentin Meta për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.

VIDEO/Takimi i Presidentit Meta me Kongresmenin Robert Aderholt

https://www.facebook.com/kohajone/videos/376052393207279/

Presidenti Meta takon kongresmenin Engel: Angazhim i pakursyer për çështjen shqiptare

Presidenti Ilir Meta në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit në Kongresin Amerikan nga kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Meta falënderoi kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Presidenti shprehu besimin se Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.

“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, u shpreh Presidenti Meta.

Kongresmeni Eliot Engel nga ana e tij e siguroi Metën për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.

SHKARKO APP