Meta: Rinia nuk mund të hipi në një autobus me një shofer mavi dhe mavri

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se qytetarët e gjithë vendit do të ndëshkojnë me votë abuzimin me pushtetin që bëri Rilindja.

“Ata që dikur thoshin mos votoni LSI se do të na shkojnë me PD, tani i thonë PD-së na votoni që të shpëtojmë nga LSI. Rilindja përfaqëson drejtimin më antipopullor dhe më përjashtues ndaj Fierit dhe gjithë Shqipërisë. Sepse mavia është në shërbim të oligarkisë”,- tha Ilir Meta.

Meta tha se “Mavia i do shqiptarët të varfër që t’i blejë një herë në 4 vjet”.

Kreu i Kuvendit tha se shqiptarët do t’i votojnë masivisht kundër mavisë dhe papërgjegjshmërisë që ka drejtuar vendin në këto 4 vjet.

Duke iu referuar rastit të dhunimit të një 18-vjeçari në Zharrëz, Meta i çoi edhe një mesazh Ruçit, kur tha se fierakët nuk e durojnë dot dhunën.

“Këtu janë gjithë ata që e kuptuan se mavija punon për oligarkinë dhe xhepat e saj, ata që se pranojnë dot dhunën presionin për të mos votuar për alternativën që duan. Janë ata që dhuna ndaj një 18 vjeçari në Zharrëz, që u godit pabesisht nga kreu i mavisë atje në Zharrëz, me projektin e të 9-it në listë. Nuk mund të pranojnë fierakët se iu kujton dhunën që Berisha bëri Berisha në ‘94 në Libofsh”, tha ai.

https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1612559818757270/

Fjalimi i plotë i Ilir Metës:

 Përshëndetje rinia e mrekullueshme e Fierit dhe populli i mrekullueshëm i Fierit. LSI forcë e parë, LSI forcë e paparë!

Ishte një mbrëmje e mrekullueshme dje ku nga qyteti kryesor bregdetar i Shqipërisë, Durrësi, konfirmuam që LSI-ja edhe në Durrës do të jetë forcë e parë më 25 qershor ashtu si edhe në Tiranë.

Por jo rastësisht mitingun e fundit mitingun e fitores, jo vetëm në Fier por në të gjithë Shqipërinë e lamë këtu në qytetin e Fierit, këtu në kryeqendrën historike të socialistëve dhe të progresistëve. Kam ardhur që fëmijë këtu në Fier me rininë eurosocialiste, kam bërë me dhjetëra mitingje, edhe me PS-në edhe me LSI-në, por asnjëherë ky shesh nuk ka qenë kaq i madh kaq i bukur dhe me kaq shumë të rinj e të reja.

Asnjëherë ky shesh nuk ka qenë kaq i kuq dhe me kaq shumë shpresë. Dhe kjo ndodh, sepse këtu nuk janë bashkuar vetëm anëtarët simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, por këtu janë shumë më tepër, janë të gjithë qytetarët e ndershëm të Fierit, janë të gjithë socialistët e ndershëm të Fierit, që u tradhtuan dhe u mashtruan nga mavija.

Janë të gjithë ata që e kuptojnë se mavija punon vetëm për oligarkinë dhe për xhepat e saj. Janë të gjithë ata që nuk e pranojnë dot dhunën ndaj qytetarëve të Fierit, presionin për të mos votuar për atë alternativë që ata duan, janë të gjithë ata të cilëve dhuna ndaj një 18-vjeçari në Zharrës, ndaj Orgest Grembit, i cili u godit pabesisht me lopata dhe leva nga kreu i mavisë atje në Zharrëz në bazë të një platforme dhune nga kreu i mavisë Tiranë dhe nga i nënti në listë këtu në Fier. Nuk mund të pranojnë fierakët se ajo u kujton dhunën që Berisha bëri në 1994 në Libofshë.

Mavia e tmerruar nga braktisja mbarëpopullore për shkak të mashtrimeve pa fund të premtimeve të pambajtura dhe të pabesisë të pandreqshme besoj se e dëgjuat që dje i bëri thirrje Partisë Demokratike për ta ndihmuar.

Të dashur motra dhe vëllezër të Fierit! Ata që deri para disa kohësh i thonin mos votoni me LSI-në se do të shkojë me PD-në, tani i thonë PD-së aman na shpëto nga ky uragan mbarëpopullor. Mavia do të ikë një herë e përgjithmonë nga drejtimi i Shqipërisë, që përfaqëson drejtimin më të vjetër, përfaqëson drejtimin më anti-popullor, përfaqëson një drejtim shtypës ndaj qytetarëve të thjeshtë, ndaj hallexhinjve, përfaqëson një drejtim përjashtues ndaj të rinjve dhe të reja të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë.

Sepse mavia është vetëm në shërbim të oligarkisë dhe të biznesmenëve të mëdhenj. Sepse mavia ka shkatërruar biznesin e vogël dhe ët mesëm me taksat që rriti, sepse mavia me taksat e larta mbi pagën dhe të ardhurat personale ka cenuar standardin e jetesës për mijëra e mijëra menaxherë dhe njerëz të cilët mund të çojnë shoqërinë përpara. Sepse mavia i ka shpallur luftë shtresës së mesme në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë. Mavia lufton vetëm për 6-7 oligarkë dhe i do të gjithë shqiptarët të varfër, i do të varfër që t’i blejë sa më lirë një herë në katër vjet me 50 euro, me 100 euro apo me vende pune 1-mujore me kontratë siç kanë bërë në Albpetrol, siç kanë bërë në OSHEE dhe në shumë ndërmarrje të tjera.

Sepse, dy janë rrugët e sundimit të mavisë: e para, varfërimi të gjithë shqiptarëve dhe e dyta jo vetëm fuqizimi i oligarkëve por edhe fuqizimi i bandave dhe i të fortëve kudo në të gjithë Shqipërinë si një mjet presioni dhe dhune ndaj njerëzve të ndershëm, ndaj njerëzve të thjeshtë që askush të mos ngrejë zërin dhe të kërkojë të drejtat e tij si një qytetar evropian. LSI do të fitojë sepse është partia e rinisë, LSI do të fitojë sepse duhet të ikë nga pushteti mavia dhe jo rinia e Shqipërisë. LSI do të fitojë sepse nuk do t’i bëjë rrush, kumbulla, palma, beton, reklama e fasada lekët e shqiptarëve, taksat e shqiptarëve, por se do të 10-fishojë subvencionimin për bujqësinë, se do të mbështesë turizmin se vetëm përmes zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit jo vetëm do të rritet ekonomia kombëtare por do të përfitojë edhe shumica e familjeve shqiptare, edhe në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë.

Motra dhe vëllezër fierakë, është kënaqësia të njoftoj për të gjithë Shqipërinë nga Fieri se LSI është forcë e parë, është forcë e paparë në Tiranë në Durrës në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë. Edhe 48 orë që të mblidhemi këtu për të festuar fitoren e LSI-së dhe të Shqipërisë, të gjithë në votime të dashur prindër fierakë, të dashur prindër shqiptarë, kam besim te pjekuria dhe te përgjegjshmëria juaj. Ju nuk mund t’i hipni fëmijët tuaj në një autobus me një shofer jo vetëm mavi, por edhe mavri. Fëmijët tuaj meritojnë një udhëtim të sigurt drejt bashkimit evropian dhe këtë e realizon vetëm LSI me të gjithë socialistët me të gjithë demokratët dhe më të gjithë shqiptarët e ndershëm. Poshtë oligarkia, rroftë Shqipëria, 1 milionë vota kundër oligarkisë më 25 qershor!

SHKARKO APP