Ilir Meta bisedime tre ditore në Berlin për të bindur Gjermaninë për Statusin

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë 48 orë që po grinden për qëndrimin e një deputeti gjerman lidhur me mosmiratimin e hapjes së negociatave nga Bundestagu. Gunther Krichbaum, deputet i CDU-së në Gjermani tha se Bundestagu (Parlamenti Gjerman) nuk do të miratojë hapjen e negociatave me Shqipërinë, nëse nuk plotësohen 7 kushte. Pakënaqësia ndaj Kancelares Merkel zbriti në Tiranë për kontributet dhe politikat e saj për zgjerimin e BE, pas ikjes së Britanisë. Në CDU e zonjës Merkel ka doza zemërimi ndaj saj për synimet e zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas analistit Bernd Riegert, Merkel është në kufinjtë e stërmundimit për të mbajtur një Europë të bashkuar. “Edhe për sa kohë do të mjaftojë mënyra e saj modeste, herë pas here edhe jopasionante, për ta drejtuar BE? Në Spanjë, në Itali, në Hollandë, në Danimarkë dhe madje edhe në Greqi, qeveritarët janë të të njëjtit mendim se pa Merkelin në Evropë nuk bëhet asgjë. Në Poloni, në Austri, në Hungari, në Britaninë e Madhe dhe ndoshta së shpejti edhe në Francë, mendojnë ndryshe. Atje Madame Merkeli shihet për shembull si pengesë për ta përfunduar krizën e refugjatëve me përsosjen e kështjellës Evropë’- shkruan analisti i radios gjermane Bernd Riegert. Pra zemërimi në CDU ndaj saj vazhdon. E duan nga halli se nuk mund të nxjerrin kandidaturë tjetër me të mirë për në zgjedhje, por duan t’ia lidhin duart në raport me Ballkanin e Turqinë. Duket se nga gjuha që përdori Gunther nuk kishte miratimin e kancelares gjermane, por i bëri presion asaj që të mos pranojë Shqipërinë dhe nxori një paketë kritikash.

 Por pse nxitoi ky gjerman, ndërkohë që vetë Kancelarja Merkel mund t’ia thoshte të hënën në sy vetë zotit Edi Rama? Çfarë e bëri këtë gjerman të fundit të vijë para datës 29 nentor, ditë kur ka ikur gjermani i fundit i kohës së Hitlerit nga Shkodra? Ndonjë hall dashurie shqiptare? Jo, nuk besohet se për kaq gjë të provojë pluhurin e sheshit “Skenderbej” ku po punon Erion Veliaj. Ndonjë angazhim i madh për Europën dhe hallet e saj? Jo, pasi ka një grua-burrë në Berlin me emrin Angela Merkel. Atëhere pse erdhi? Duket hapur nga gjuha aspak diplomatike që ka përdorur se po kërcënon Kancelaren gjermane nga Tirana. Kanë problemet e tyre në CDU. Po pse ta hajë Shqipëria?

Në Tiranë sherri ka plasur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Është një qëndrim ku PD-ja sheh interesin e politik të ditës për shkak se disa nga kritikat e Krichbaum janë dhe qëndrimet zyrtare të opozitës për problemet në vend. Nga ana tjetër, PS-ja nuk e fsheh se pas deklaratave të deputetit gjerman mund të jenë dhe lobime të deputetëve dhe drejtuesve të opozitës.

Përkundër kësaj situate ku palët lodhen të kuptojnë nëntekstin e deklaratës së një deputeti gjerman, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndodhet prej disa ditësh në Gjermani aty ku do të merret vendimi për integrimin e Shqipërisë. Axhenda e kreut të Kuvendit përkon pikërisht me takime në Bundestag. Në dy ditët e vizitës së tij, Meta ka zhvilluar takime me drejtuesit kryesor të politikës parlamentare gjermane.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Kreu i Parlamentit Ilir Meta u takua me Presidentin e Bundestagut Gjerman Norbert Lammert (CDU) dhe me dy zv/Presidentet e Bundestagut Ulla Schmidt (SPD)  dhe Johannes Singhammer (CSU),me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të SPD, Niels Annen, njëkohësisht Zëdhënës për Politikën e Jashtme të Grupit Parlamentar të SPD, si dhe anëtarë të Komisionit Parlamentar të Çështjeve Evropiane.

Janë tre takime që për nga niveli i zyrtarëve janë më të rëndësishmit në parlamentin e Gjermanisë, janë kupola e deputetëve. Nëse ka një institucion ku mund të lobohet aktualisht në Gjermani ai është Bundestagu. Ndaj kreu i Kuvendit Ilir Meta ka vënë në zbatim diplomacinë parlamentare. Kjo lëvizje bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se vendimi për çeljen e negociatave të Shqipërisë do të merret fillimisht në Bundestag dhe më pas do të ketë miratimin e qeverisë së Kancelares Angela Merkel. Në vend të deklaratave të veçanta të deputetëve që mund të kenë qëndrime personale është më mirë të dëgjosh qëndrimet direkte të politikanëve që kanë peshë në politikën parlamentare të Gjermanisë.

Nga bisedimet me zyrtarët gjermanë Ilir Meta ka marrë mbështetje për procesin e integrimit nga Berlini. Presidenti i Bundestagut Lamert është shprehur se: “Shqipëria duhet të vazhdojë me implementimin e reformave të nisura sipas standardeve evropiane dhe në këtë drejtim mund të mbështeteni te përkrahja e Gjermanisë, ashtu si edhe në të kaluarën”. Zëvendëspresidentja Schmid ka theksuar se “perspektiva evropiane e Ballkanit duhet të avancojë dhe se Gjermania ka një rol kyç në këtë proces”. Ndërsa Kryetari i Komisionit të Jashtëm të SPD, Niels Annen pavarësisht zhvillimeve shqetësuese në disa vende Europiane, zgjerimi i BE-së është një opsion i hapur.

Të gjithë këto qëndrime që politikanët gjermanë i kanë deklaruar Metës kanë rëndësinë e tyre specifike në momentin që do të diskutohet  procesi i integrimit të Shqipërisë. Sigurisht, Bundestagu ashtu si çdo parlament i BE-së ka brenda tij parti dhe deputetë që janë kundër zgjerimit të mëtejshëm, sidomos kur vjen fjala për Ballkanin. Në fund çdo parlament voton edhe sipas situatës së brendshme politike, zgjedhjeve parlamentare apo dhe frikës që kanë vendet e BE-së ndaj zgjerimit të mëtejshëm.

Për integrimin e Ballkanit ka jo pak skepticizëm në Gjermani dhe vendet e tjera të BE. Shumë prej kritikave qëndrojnë, por ka dhe jo pak lobe negative të trashëguara përgjatë viteve për vende të veçanta. Ndaj në këtë situata ajo që ka më shumë rëndësi është komunikimi i hapur, takimet me palët vendimmarrëse dhe lobimi direkt siç po bën kreu i Kuvendit këto ditë në Berlin. Është më e ndershme të thuhen hapur gjërat me të gjitha palët, aty ku merren vendimet, sesa komenti i deklaratave të një deputeti të veçantë.

Integrimi nuk është një proces që bëhet dhuratë. Përveç reformave të bëra deri tani janë edhe lobimet institucionale të drejtuesve të shtetit. Të hënën do jetë kryeministri Rama në vizitë zyrtare në Berlin, direkt pas Ilir Metës.

Mbetet të shikohen të hënën lëvizjet e mimikës se Kancelares Angela Merkel  sapo të takojë Edi Ramën. Është rasti tani të marrim statusin. Në të kundërt as viti 2020 nuk na e jep më, sepse politika do kacafytet më keq, por e pëson populli.

E mira do ishte që të tre: Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha të ishin bashkë tek Kancelarja Merkel. Por kjo është politika shqiptare!

ilir

Foto: Nga takimet e kreut të Parlamentit Ilir Meta në Parlamentin gjerman

il22

 

 

.

meta3

SHKARKO APP