Meta takon Thaçin: Liberalizimi i vizave për Kosovën, mëse i merituar

Presidenti Ilir Meta është takuar sot në Tiranë me homologun kosovar, Hashim Thaçi. Në një postim në Facebook, Presidenti Meta shkruan se me Thaçin ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për rritjen e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Shumë i kënaqur të takohesha sot me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Brdo-Brijuni. Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nënvizuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal, si domosdoshmëri për integrimin europian. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, mëse i merituar”,- shkruan Presidenti Ilir Meta.

Meta takon Mogerinin: Integrimi europian është e vetmja rrugë përpara

Presidenti Ilir Meta është takuar dhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shkruan: “Kënaqësi të takohem me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që mund të kapërcehen vetëm me dialog e bashkëpunim, integrimi europian është e vetmja rrugë përpara. Prania e saj në Samitin e Brdo-Brijuni, tregues i rëndësisë që BE i jep bashkëpunimit rajonal”.

Po sot, kreu i shtetit është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit Brdo-Brijunit, së bashku më liderë të tjerë të rajonit. “I lumtur të takohem në Tiranë me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. E vlerësoj praninë e tij në Samitin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar një aktor kyç për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Marrëdhënie të shkëlqyera miqësore e historike midis dy vendeve tona”,- shkruan Presidenti Meta në Facebook.

Samitin e radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit organizohet në Shqipëri nga Presidenti Ilir Meta. Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale bashkëthemeluar nga Presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010. Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian. Në mbyllje të Samitit, Liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit.

SHKARKO APP