Presidenti Meta vazhdon vizitën në Rajonin e Siçilisë te komuniteti arberesh i Italisë (fotogaleri dhe video)
Kryesore E Shtunë, 6 Nëntor 2021 20:27
Presidenti Meta vazhdon prej disa ditësh vizitën e tij zyrtare në Itali. Një vizitë në trevat arbereshe të Italisë, ku u prit nga personalitet më të larta të Rajonit të Siçilisë dhe nga komuniteti arberesh.
Vizita gjalleroi rrënjët shqiptare te arbereshët e Italisë.
Sot Presidenti Meta ishte në Contessa Entellina të Siçilisë, një nga Rajonet me të hershme të shqiptarëve në Itali.

Pas vizitës Meta shkruan:
“Shumë i emocionuar të mirëpritem ngrohtësisht nga qindra qytetarë në Contessa Entellina, një nga vendbanimet më të rëndësishme arbëreshe në Rajonin e Siçilisë, vendlindjen e studiuesve të ndritur Nikolla Keta, Matteo Sciambra, Lorenzo Tardo e Giuseppe Schirò, dhe që kremton 500-vjetorin e themelimit duke ruajtur kujtimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Krenar për këtë bashkësi, që me dashuri dhe përkushtim ruan prej shekujsh gjuhën, kulturën, traditat dhe ritet fetare, vlera të çmuara për të dy popujt tanë, por edhe një pasuri e vyer europiane dhe botërore”.
Ndërkohë paradite Meta postoi këtë shënim në profilin e tij në facebook:
“Santa Cristina Gela, ndonëse bashkësia më e vogël dhe më e re arbëreshe e themeluar në Rajonin e Siçilisë, është një vatër e rëndësishme e dashurisë për identitetin tonë kombëtar, ku mbahen të gjalla figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kultura, gjuha, veshjet tradicionale dhe zakonet arbëreshe, që trashëgohen brez pas brezi.
Kënaqësi të takohesha përzemërisht me përfaqësues të këtij komuniteti, me autoritetet lokale dhe me Kryebashkiakun, Giuseppe Cangialosi, të cilët i përgëzova për përkushtimin për mbajtjen gjallë të këtyre vlerave dhe edukimin me to të gjeneratave të reja.
Kjo pasuri e çmuar e trashëgimisë europiane e botërore, urë e rëndësishme lidhëse e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, meriton të bëhet pjesë e UNESCO-s.
Por duhet përkushtim nga të gjitha autoritetet e të dy vendeve tona për mbrojtjen e këtyre vlerave, në veçanti për të forcuar lidhjen e të rinjve me rrënjët e tyre kombëtare, si një mundësi për të ndalur shpopullimin, një fenomen tragjik që ka prekur shoqëritë dhe të dyja vendet tona” (Ilir Meta)

Kronika e vizitave në Itali (te arbereshët) e Presidentit Meta:
“Qysh nga themelimi i saj, Eparkia bizantine e Siçilisë, me kryeqendër Horën e Arbëreshëvet të ndërtuar në vitin 1488, ka shërbyer si mbartëse e një trashëgimie shumë të rëndësishme dhe të çmuar për kombin tonë, duke ruajtur me krenari dhe dashuri kulturën, gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin, të sjella nga Arbëria e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave të përbashkëta me Italinë mike mbetet detyrë parësore që kërkon kontributin e të gjithëve.
Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim ka dhënë Eparku i Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Imzot Giorgio Demetro Gallaro, të cilin pata nderin ta vlerësoj në “Kishën e Madhe të Shën Mitrit”, me Titullin e lartë ‘Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut’, në mirënjohje për devotshmërinë e dëshmuar në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve dhe traditave kishtare në gjuhën arbëreshe”- shkruan Meta pas takimit.

Vizita te Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), kryeqytetin e arbëreshëve të Siçilisë
“Thellësisht i lumtur dhe i emocionuar të ndodhem në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), kryeqytetin e arbëreshëve të Siçilisë, të krijuar pesë shekuj më parë nga familjet shqiptare, që ende sot trashëgojnë kujtimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Mirënjohës për pritjen vëllazërore nga Kryetari i Bashkisë, z.Rosario Petta, autoritetet lokale dhe në veçanti nga arbëreshët e dashur.
Vendosja prej tyre e flamurit të Kosovës
, në krah të flamujve të Shqipërisë
dhe Italisë
mike e bëri edhe më të veçantë këtë vizitë, duke dëshmuar ndjenjat e forta kombëtare që kanë rrënjë të thella në zemrën e këtij komuniteti.
Promovim dhe vëmendje ndaj kësaj pasurie të çmuar të trashëgimisë europiane dhe botërore, që meriton plotësisht të bëhet pjesë e UNESCO.
Hora e Arbëreshëvet është një model për marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë, që meritojnë të zhvillohen më tej”- poston në facebook Meta.


Rrugës nga Palermo për në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), kryeqendrën arbëreshe në Siçili, nuk mund të mos ndalesha për të vendosur një buqetë me lule në memorialin e “Portella della Ginestra”, për të nderuar kujtimin e viktimave të pafajshme të një prej masakrave më të përgjakshme në historinë moderne të Italisë, të 1 majit 1947.
Presidenti Meta shkruan: “Krenarë për sakrificat sublime dhe kontributin e Komunitetit Arbëresh të Siçilisë në luftën kundër mafies, mbështetjes së shtetit ligjor dhe demokracisë në këtë rajon dhe në mbarë Italinë”.
Themeluar në vitin 1547, Kisha e Shën Kollit (Martorana) në sheshin Bellini të Palermos, vijon të mbetet qendër e rëndësishme referimi për arbëreshët, që jetojnë në Siçili.
Ndër më interesantet e stilit bizantin në Itali, kjo kishë-monument, pjesë e UNESCO, është dëshmi e jashtëzakonshme e kulturës fetare dhe artistike të këtij komuniteti.
Duke u mbështetur në punën studimore akademike të katedrave të gjuhës dhe kulturës shqipe në Palermo dhe Cosenza, ‘Moti i Madh’ arbëresh, ritet, traditat dhe trashëgimia e pasur dhe e jashtëzakonshme historike dhe kulturore arbëreshe meritojnë gjithashtu të bëhen pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Pas kësaj vizite Meta thotë:” Mirënjohje famullitarit të Kishës Papas Nino Paratore që më shoqëroi në këtë vizitë, për përkushtimin e tij në ruajtjen dhe transmetimin e riteve fetare dhe vlerave të komunitetit arbëresh!”.

Me pas te katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos:
I nderuar të vizitoja Universitetin e Palermos, djep i dijes dhe i traditës së ndritur të kultivimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe.
Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë universitet është një qendër e rëndësishme albanologjike, e lidhur me historinë e mendimit, kulturës dhe identitetit europian të kombit tonë.
Ajo meriton të mbështetet më shumë nga institucionet tona të Arsimit të Lartë dhe jo vetëm.
Mirënjohje Rektorit të Universitetit të Palermos, Prof. Massimo Midiri, Profesorit arbëresh Matteo Mandala si dhe të gjithë stafit të nderuar pedagogjik, për pasionin dhe punën e palodhur për të kultivuar dhe promovuar mendimin, gjuhën dhe kulturën arbëreshe, vlere e përbashkët dhe pjesë e trashëgimisë botërore.
Ndamë së bashku të njëjtin vlerësim për nevojën e miratimit të një ligji të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore në Rajonin e Siçilisë, mundësi për ruajtjen e gjuhës së mrekullueshme arbëreshe. (Ilir Meta).

Në Pallatin qeveritar të Siçilisë:
Një takim i frytshëm me Presidentin e Rajonit të Siçilisë, z.Nello Musumeci, në Pallatin Qeveritar.
Gjetëm mirëkuptimin e plotë për vendosjen sa më parë të një bashkëpunimi të veçantë mes Shqipërisë dhe Siçilisë, sipas modelit të ndjekur me Rajonin e Puljas, si dhe për miratimin e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore, me qëllim ruajtjen e gjuhës së mrekullueshme arbëreshe.
Kënaqësi të dëgjoja prej tij vlerësimet më të larta për bashkëjetesën shekullore me Komunitetin tonë të dashur Arbëresh, pjesë edhe e identitetit historik e kulturor të Siçilisë.
I lumtur, që edhe komuniteti i ri i shqiptarëve në këtë Rajon është integruar më së miri, dhe që bashku me arbëreshët përbëjnë një urë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionale e të shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Pritje zyrtare nga kryebashkiaku i Palermos:
“Një pritje shumë e ngrohtë nga Kryetari i Bashkisë së Palermos, Leoluca Orlando, në zyrën e tij në Pallatin e Shqiponjave.
Zhvilluam një bisedë shumë miqësore mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat, të marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera mes vendit tonë dhe Italisë, në veçanti me Rajonin e Siçilisë.
Komuniteti Arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Europën e Bashkuar.
Për këtë arsye theksova rëndësinë e vendosjes së një bashkëpunimi më të ngushtë mes autoriteteve shtetërore shqiptare dhe italiane, me qëllim që kultura e pasur dhe ritet e Komunitetit Arbëresh të bëhen pjesë e UNESCO-s, duke kërkuar mbështetje në këtë drejtim edhe nga Bashkia e Palermos” -thekson Presidenti Meta.

Pas takimit Meta shkruan:
I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Palermos, z.Leoluca Orlando vizitova dje pasdite lagjen historike të këtij qyteti të mrekullueshëm.
Nuk kishte kënaqësi më të madhe se sa të përshëndetesha me shqiptarë, të mirëintegruar në shoqërinë italiane, nga Gjirokastra dhe Tirana, krenarë për origjinën e tyre.
I lumtur të dëgjoja nga Kryebashkiaku Orlando vlerësimet më të mira për shqiptarët dhe Komunitetin Arbëresh që jeton këtu, shembull i marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy popujve tanë.
Pritje në Pallatin Mbreteror të Siçilisë:
“Shumë i lumtur të vizitoj për herë të parë Palermon, ku pata kënaqësinë e veçantë të mikpritesha nga Presidenti i Asamblesë Rajonale të Siçilisë, z.Gianfranco Miccichè, në Pallatin Mbretëror.
Zhvilluam një bisedë të hapur dhe tepër të ngrohtë, gjatë së cilës theksova nevojën e miratimit të një ligji të posaçëm për mbrojtjen e pakicave gjuhësore krahinore, veçanërisht për faktin se gjuha arbëreshe është një vlerë dhe pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë mike.
Një marrëdhënie e privilegjuar e Shqipërisë duhet të artikulohet gjithashtu me Rajonin e Siçilisë, si një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet me vendin ku jeton edhe një pjesë e rëndësishme e komunitetit tonë të dashur arbëresh.
I dhurova z.Miccichè një bust të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbol edhe të identitetit tonë të përbashkët europian- shkruan Presidenti Meta.

Shënim i redaksisë www.kohajone.com:
Duke qenë se ishte vizitë e gjatë te arbereshët e Italisë dhe që ndez gjakun e tyre shqiptar, vizita pasqyrohet kaq gjatë.
KOHA JONË SONDAZH

