Meta: Vizitoni Plavën dhe Gucinë, PERLAT e natyrës

Përveç plazheve nga Velipoja deri në Ksamil, trojet shqiptare kanë një pasuri tjetër natyrore të pavlerësuar aq sa duhet. Është fjala për Alpet Shqiptare, një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të veriut të vendit dhe që historikisht e gjeografikisht përmbledhin shqiptarët e tre shteteve; Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Për nga relievi i veçantë, me lartësi që arrin deri 2694 metra me Malin e Jerzecës, për lumenjtë e rrallë dhe të kristaltë, për klimën dhe bimësinë e rrallë që rritet në këto zona, Alpet Shqiptare vlerësohen nga studiuesit e huaj si një vend unik jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Është një nga vendet e vetme me potencial të jashtëzakonshëm turizmi në të gjitha stinët e vitit. Në zonën e Alpeve ka mundësi për turizëm dimëror, si pasojë e borës që nuk mungon asnjëherë. Mund të zhvillohet turizmi i aventurës për të apasionuarit pas alpinizmit dhe udhëtimeve. Mund të zhvillohet turizmi kurativ, për shkak të klimës së veçantë dhe ajrit të pastër, si dhe ushqimit natyral që nuk gjendet në asnjë vend tjetër. Mund të zhvillohet turizmi veror, për shkak të temperaturave që janë edhe më të përshtatshme se Alpet e Zvicrës dhe lumenjve që gjenden në çdo luginë. Të gjitha këto janë arsye që tërheqin me mijëra vizitorë të thuaj, të cilët në përshtypjet e tyre në mediat ndërkombëtare i quajnë pa asnjë mëdyshje Alpet Shqiptare si më të bukurat në botë.

Por veç llojeve të turizmit klasik, Alpet shqiptare kanë një mundësi të jashtëzakonshme për turizmin kulturor dhe historik. Edhe pse shtrirja gjeografike është mes tre shteteve, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, në fakt bëhet fjalë për një zonë të përbashkët që historikisht është banuar nga shqiptarë autoktonë. Në këtë mënyrë, Alpet janë historia e gjallë e shqiptarëve në këto treva, ku kultura dhe tradita shqiptare ka mbetur e paprekur. Është një zonë mes tre shteteve që natyra e ka bërë përjetësisht të pandashme si perlën turistike të gjithë shqiptarëve. Ndaj dhe vizita në Alpe, për shqiptarët, nuk është thjesht turizëm patriotik, por një takim me bukuritë e jashtëzakonshme natyrore.

Këto ditë në zonën e Alpeve Shqiptare, në Plavë dhe Guci të Malit të Zi ishte për vizitë kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta. Presidentit vizitoi nga afër bukuritë natyrore, si dhe u ndal në disa prej objekteve historike. Një nga ndalesat më të rëndësishme ishte ajo në fshatin Vuthaj, ku ndodhet dhe kulla 200-vjeçare e fisit Çelaj. Vizita te Kulla kishte mesazh jo vetëm kulturor apo turistik, ishte mesazh për rrënjët shqiptare të zonës Plavë-Guci. Kreu i shtetit mori pjesë dhe në aktivitetin e përvitshëm që organizohet në Vuthaj, ku artistë shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe diaspora zhvillojnë festival folklorik të përmasave të mëdha. Duke vlerësuar bukuritë e jashtëzakonshme të kësaj zone, Presidenti Ilir Meta u shpreh se është koha që shqiptarët nga të gjitha viset të njihen me këtë bukuri. Në fjalën e mbajtur në tubimin në Vuthaj, kreu i shtetit e cilësoi si hyjnore bukurinë e kësaj zone duke u shprehur se mundësitë e zhvillimit të turizmit këtu janë më të madha se në çdo vend tjetër. Kreu i shtetit bëri dhe një apel për shqiptarët, që vitet e fundit njohin si vende turistike vetëm zonat e Kaloshinës, Zhablakut dhe Mavrovës në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Ai tha se pasi shqiptarët të njohin Plavën dhe Gucinë do të kuptojnë se vendi më i bukur në botë është këtu. Presidentit theksoi se sot Alpet Shqiptare dhe zona e Plavës dhe Gucisë në Mal të Zi është më afër se kurrë, pasi distanca nga Tirana për në Vuthaj dhe fshatrat e tjerë shqiptarë është vetëm 3 orë.  Rruga është shtruar e nivelit europian nga qeveritë Berisha dhe Rama. Kjo e fundit ka bërë shumë për zonën e Kelmendit.

Në përfundim të vizitës së tij, kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, bëri dhe një apel për gjithë shqiptarët duke u sugjeruar të vizitojnë zonat më të bukura natyrore të Alpeve Shqiptare. “I ftoj të gjithë ata që nuk e dinë, se rruga nga Tirana në Vermosh është e shkëlqyer dhe ju mundëson që për rreth 3 orë të shkoni në Plavë e Guci, për të parë këto vise të jashtëzakonshme, të pakrahasueshme dhe hyjnore!”,- shkruan Presidenti Ilir Meta, në një mesazh në rrjetet sociale në përfundim të vizitës së tij në Plavë dhe në Guci.

Është një apel që vlen edhe për institucionet që të kthejnë vëmendjen drejt turizmit në këto zona. Te Alpet shqiptare natyra nuk ka kursyer asgjë duke i bërë më të rrallat në botët, duhet vetëm që institucionet të investojnë në projekte dhe strategji për ti kthyer në qendër të turizmit.

Plava dhe Gucia nuk janë vetëm përla natyrore, por edhe histori kombëtare. Ata janë juridikisht në Mal të Zi, por shpirtërisht dhe kombëtarisht me Shqipërinë.

Q.Xhani.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/1864600390252892/

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/1861621343884130/

SHKARKO APP