Meta: Votuesit heroikë të LSI shpëtuan demokracinë. E vërteta do zbardhet
Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i Zgjedhur, Ilir Meta deklaroi sot nga Durrësi se votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në zgjedhjet e 25 qershorit, shpëtuan demokracinë.
Në një takim falënderues me elektoratin e LSI-së në Durrës, Meta shprehu mirënjohje ndaj votuesve të kësaj force politike që u angazhuan në fushatë dhe në votime, në një situatë presioni dhe zgjedhje jo normale.
“Mirënjohës të gjithë votuesve të LSI në Durrës e Shqipëri. Shumë shpejt do zbardhet e vërteta e 25 qershorit. Votuesit heroikë të LSI shpëtuan demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Krenar që kam punuar me ju”,- tha Ilir Meta.
Në takimin e zhvilluar në Durrës ishte i pranishëm he Ministri i Mjedisit dhe deputeti i LSI-së në Durrës, Lefter Koka.
Ky është qëndrimi i parë që kreu i Kuvendit dhe ish-kryetari i LSI-së mban për zgjedhjet e 25 qershorit. LSI-ja është forca e parë politike që denoncoi presioni, dhunën dhe terrorin me të cilën u përballën zgjedhësit më 25 qershor.
Janë me dhjetëra denoncime publike të LSI-së për blerje vote dhe për dhunë ndaj militantëve të saj. Ndërkohë, një strukturë e posaçme në LSI ka mbledhur të gjitha denoncimet dhe parregullsitë e zgjedhjeve dhe fushatës elektorale. Pritet që në ditët në vijim, dosja e manipulimeve të faktuara me prova nga LSI të bëhet publike dhe të ankimohet pranë institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ndërkombëtare.