Ilir Meta:Çdo konflikt artificial shfokuson mazhorancën dhe opozitën
Konferenca për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir_Meta dhe Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së Luan_Rama
Ilir Meta: Vlerësuam të kemi këtë komunikim me ju pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jemi bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, Luan Rama, sepse komunikimi ka të bëjë edhe me aspektet e organizimit dhe të riorganizimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila vitin 2016 e ka një vit mjaft të rëndësishëm për të gjithë ripërtëritjen e saj organizative, që nga kartat e reja të anëtarësisë, me të cilët do të pajiset çdo anëtar i LSI-së, që nga themelimi deri tek anëtarët më të rinj, e deri tek zgjedhja e të gjithë strukturave të LSI-së duke respektuar dhe duke patur në konsideratë tanimë ndarjen e re administrative territoriale të vendit.
Do të doja që për këto çështje Rama të jepte disa shpjegime më të plota dhe më pas, e di që do të keni pyetje dhe jemi këtu për t’ju përgjigjur pyetjeve tuaja.
Luan Rama: Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim mori sot disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin e riorganizimit strukturor në të gjitha nivelet dhe për zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve në parti.
Viti 2016 është vit zgjedhor për Lëvizjen Socialiste për Integrim, por më shumë se kaq, është edhe një vit sfide për t’ju përgjigjur strukturat e partisë, nivelit gjithnjë e në rritje të mbështetësve, simpatizantëve dhe kryesisht do të thosha, fluksit të madhe të të rinjve që janë pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Për këtë qëllim, ne vendosëm të hapim një proces të madh diskutimi dhe debati në strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që fushata e zgjedhjeve të shndërrohet edhe në një fushatë lëvizjeje, mendimi, debati, propozimesh,
alternativash, me qëllim që të shkojmë në Konventën zgjedhore dhe në garën për të zgjedhur Kryetarin e partisë, me kontributin dhe përfshirjen e të gjithë asaj armate të madhe, të anëtarëve, të militantëve, të simpatizantëve dhe të veprimtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kjo fushatë që nis nga fillimi marsit dhe shkon deri në fund të vitit, ka në fokus ndërkaq edhe një rivlerësim të të gjithë anëtarësisë së partisë. Ne aktualisht sot kemi një efektiv partie në kufijtë e mbi 40 mijë anëtarëve të LSI-së, por për t’ju përgjigjur interesit dhe dëshirës së madhe të të rinjve për t’u anëtarësuar, dhe që ky proces të jetë i natyrshëm, e gjithë kjo fazë do të shoqërohet edhe me aplikimin për të marrë kartën e re të anëtarësisë.
Ne e kemi aktualisht në faqen online të LSI-së edhe procedurën, edhe udhëzimet se si do të aplikohet për ta marrë kartën e re të anëtarësisë, e të cilën ka edhe disa elementë aksesi në komunikimin në rrjetet sociale që e bën jo vetëm një dokument formal, por edhe një dokument real të kontaktit dhe të ndërveprimit midis vetë anëtarëve, midis strukturave të partisë.
Për Lëvizjes Socialiste për Integrim, debati, diskutimi, ballafaqimi i alternativave dhe shqyrtimi i të gjitha këtyre në strukturën e partisë është një proces shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër ne do të rregullojmë me këtë fazë të riorganizimit, edhe harmonizimin më të mirë të strukturave të partisë me ndarjen e re territoriale dhe administrative, duke ruajtur dhe duke vënë në themel të gjithë kësaj sfide strukturën e partisë pranë qendrës së votimit, pra që ka të bëjë me karakterin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Procesi do të jetë i hapur, do të jetë gjithashtu bashkëpunues me të gjithë opinionin publik, do të jetë i hapur dhe bashkëpunues për mediat dhe unë edhe një herë nga kjo foltore e Lëvizjes Socialiste për Integrim i ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët, veprimtarët, në mënyrë të veçantë të rinjtë dhe të rejat
e LRI-së të bëhen pjesë e këtij debati, të bëhen pjesë e këtij diskutimi, të bëhen pjesa vitale e procesit të ridimensionimit real të forcës dhe veprimit politik dhe elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërkaq, është i hapur procesi i pajisjes me kartat e reja të anëtarësisë. Çfarë presupozon që kartat që kanë deri tani janë të pavlefshme sepse mbi bazën e kartave të reja ne do të komunikojmë pastaj në Konventën zgjedhore të LSI-së, edhe numrin real të të rinjve, pra numrin e ri të anëtarësisë të partisë, dhe mbi këtë bazë do të organizohet edhe i gjithë procesi i zgjedhjeve.
Fushata jonë do të jetë e hapur, fushata jonë do të jetë transparente, fushata jonë do të jetë fushatë qytetare dhe moderne për të shfaqur edhe një herë atë dimension që ka Lëvizja Socialiste për Integrim.
Pyetje nga gazetarët për Ilir Metën:
Grupi parlamentar i LSI ka depozituar në Kuvend një nismë për ndryshimin e ligjit të koncesioneve, çfarë sipas jush nuk ka funksionuar mirë tek ligji i mëparshëm?Një koment për mosdekretimin e dy ministrave të rinj nga Presidenti?
Lidhur me iniciativën e disa deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të rishikuar dhe përmirësuar legjislacionin lidhur me partneritetin publik-privat, apo edhe më drejtpërdrejt, me koncesionet, mendoj që z. Vasili dhe deputetët nënshkrues mund t’ju japin sqarime më të plota. Por Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet të gjitha format e partneritet publik-privat që sjellin investime dhe kontribut nga sektori privat, në rritjen e investimeve, në përmirësim e shërbimeve ndaj qytetarëve, ashtu sikurse opinioni është ngarkuar mjaft me një debat të jashtëzakonshëm lidhur me efektivitetin e tyre në përgjegjësi. Dhe ky nuk është një debat i sotëm, nuk është debat as i këtyre dy viteve apo tre viteve pas zgjedhjeve të qershorit 2013, por është një debat shumë më i hershëm. Prandaj ne besojmë që pavarësisht nga qëllimet spekulative që nxisin një pjesë të debatit, për të qenë sa më racional për të ardhmen, është e rëndësishme të ecim drejt thellimit të mëtejshëm të transparencës dhe të një përfshirje më të madhe të Kuvendit kur bëhet fjala për investime apo për koncesione apo për kontrata të cilat e kalojnë mandatin e një qeverie. Kjo do të rrisë përfshirjen e Parlamentit, do të rrisë përgjegjësinë e gjithë institucioneve të cilat propozojnë partneritete të tilla, dhe natyrisht do të rrisë besimin e publikut tek dobia e çdo partneriteti apo koncesioni që do të miratohet dhe do të lërë më pak vend për spekulime dhe manipulime të opinionit publik.
Lidhur me çështjen e dekreteve për dy zëvendësimet në qeveri, unë besoj se ne kemi nevojë për një klimë sa më bashkëpunuese midis institucioneve, në respekt të zbatimit të Kushtetutës, edhe besoj që gjithçka do të ecë sipas parashikimeve që bën Kushtetuta. Kështu që nuk kam asnjë arsye për të qenë i shqetësuar se një iniciativë e tillë do të keqpërdoret për të sjellë konflikte apo kriza kushtetuese artificiale dhe të panevojshme.
Duke qëndruar edhe njëherë tek dekretet e shkarkimit dhe të emërimit të dy ministrave të qeverisë, znj. Felaj ka deklaruar se mund të merret një nismë për shkarkimin e Presidentit në rast se nuk e dekretohen dy ministrat e rinj. A ka një precedent të tillë? Si mund të arrijë mazhoranca një fakt të tillë në kohën kur duhen 94 vota?
Duhet të ritheksojë durimin dhe besimin se fryma bashkëpunues midis institucioneve për zbatimin e Kushtetutës do të prevalojë mbi thellimin e mosbesimeve të panevojshme.
Pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, u duk më afër arritja e një konsensusi midis aktorëve politikë për reformën në drejtësi, për finalizimin e saj, por ndoshta edhe kjo do të ishte një hap drejt realizimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. A jeni dhe ju me këtë konstatim?
Unë kam patur që në fillim besim të plotë se reforma në drejtësi do të realizohet në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur. Jam i habitur sepse shpesh dëgjoj alarme të panevojshme, pse nuk po miratohet, pse nuk po bëhet. Ndërkohë që e vërteta e padiskutueshme është që e gjithë axhenda e kësaj reforme, nga fillimi, pra nga ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi e deri më tani, ka ecur sipas afateve të parashikuara. Dhe dihet se ne kemi qenë dhe jemi të kushtëzuar në axhendën tonë për kurorëzimin e kësaj reforme, edhe nga axhenda e vetë Komisionit të Venecias, të cilin ne e kemi pranuar, të gjithë faktorët dhe të gjitha palët këtu, si gjykatësin më të mirë të standardeve europiane të kësaj reforme.
Lidhur me çështjen e Byrosë së Hetimit, mendoj që kjo ka qenë çështje e diskutueshme për shkak të ankimimit të opozitës në Gjykatën Kushtetuese. Ne e kemi votuar ngritjen e kësaj Byroje që më parë sëbashku me Partinë Socialiste dhe deputetët e mazhorancës, dhe më pas debati është rikthyer për shkak të papajtueshmërisë që vlerësoi Gjykata Kushtetuese. Natyrisht ka pasur disa qëndrime të ndryshme, për të pritur Komisionin e Venecias për ta gjykuar vendosjen e Byrosë në kuadrin e gjithë ndryshimeve që do të pësojë sistemi ynë kushtetues dhe ligjor, apo për ta bërë më përpara.
Ju e dini që ka pasur një insistim të Partisë Demokratike para disa javësh që kjo gjë të ndodhte menjëherë. Ne kemi qenë dakord dhe në momentin që qeveria e ka kaluar këtë iniciativë, ka patur një reagim tjetër që duhet pritur opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias. Kështu që edhe me këtë çështje unë kam besim të plotë që do të realizohet edhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në përputhje me gjithë kuadrin e reformës në drejtësi.
Mendoni se qeveria shqiptare ka nevojë për ndryshime të reja, për impulse të reja që quhen?
Gjithmonë ka nevojë për impulse të reja, por natyrisht që jam jo gjithmonë në pajtueshmëri të plotë me ata që tek çdo impuls shikojnë ndonjë ndërrim ministri, apo zv. Ministri apo drejtori. Mendoj se ka shumë arsye që të gjithë të shohim se çfarë mund të përmirësojmë më tej në punën tonë, në performancën tonë, në të gjitha funksionet publike dhe mbi të gjitha mendoj që përmirësimi i klimës politike në vend është thelbësor. Është thelbësor për të përmirësuar edhe kulturën e zbatimit dhe të respektimit të ligjit, është thelbësor për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, dhe është thelbësor për të dhënë mesazhe më të forta të optimizmit dhe të rritjes së standardeve të funksionimit të shtetit ligjor, po dhe të rritjes ekonomike të vendit. Sepse çdo konfliktim artificial, absolutisht që na shfokuson nga prioritetet kryesore që ka vendi dhe që mendoj qw janë të përbashkëta, jo vetëm për mazhorancën, por edhe për opozitën, sepse në fund të fundit, çdo konflikt i tepërt, i panevojshëm, me karakter bllokues, është një kosto më shumë për të gjithë qytetarët tanë.
Unë ju falënderoj dhe në emër të z. Rama dhe me këtë rast dua t’ju bëj thirrje gjithë anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim që të marrin kartat e reja të anëtarësisë në Lëvizjen Socialiste për Integrim, të cilat kanë elementë të fortë sigurisë, por të cilat do t’i ndihmojnë ata për të qenë pjesëmarrës aktiv në të gjithë procesin e zgjedhjeve që do të fillojë Lëvizja Socialiste për Integrim, që nga organizatat e saj, e deri tek forumet qendrore.