Intervista e plotë/Meta:Vendi ka nevojë për konsensus e për bashkëpunim

 

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për emisionin “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit Bashkim Hoxha në televizionin “News 24”

  1. Meta, mirë se erdhët në emisionin tonë të mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”…

Faleminderit që më zgjuat edhe më shpejt se zakonisht dhe që më dhatë edhe kënaqësinë që të shijojë këtë mëngjes kaq të paqtë në qytetin e Durrësit.

Nuk e di sa e ndiqni emisionin tonë, por çdo mëngjes këtu qytetarët flasin. Shpeshherë ata janë mosbesues që dikush edhe do të mund t’i dëgjojë. Para pak ditësh një ministër i Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin e majtë, konkretisht Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, iu përgjigj drejtpërdrejtë shqetësimeve të ngritura në emision dhe kjo ringjalli një lloj shprese te publiku i emisionit tonë. A mendoni ju se politika duhet të jetë me e vëmendshme ndaj zërit të qytetarëve?

Pa asnjë diskutim edhe unë kam pasur kënaqësinë që të ndaj mjaft prej shqetësimeve të qytetarëve edhe me emisionin tuaj, që është mjaft sensibilizues. Pata kënaqësinë që të shikojë edhe Ministrin e Drejtësisë, z. Manjani një mëngjes këtu tek ju, edhe shqetësimet që qytetarët kanë ngritur herë pas here për shumë shërbime, sidomos ato të hipotekave, për zvarritjet, për korrupsionin, edhe për çështje të tjera,kanë qenë vazhdimisht edhe një shqetësim i madh edhe për mua dhe gëzohem shumë që ministri i ri po tregohet mjaft agresiv, në kuptim të mirë, për të goditur dhe për të penalizuar çdo shkelje, çdo zvarritje, çdo keqtrajtim të qytetarëve dhe për të futur një frymë tjetër në shërbimin ndaj qytetarëve. Pwr  të gjitha shërbimet dhe besoj se ky duhet të jetë prioritet i të gjithë drejtuesve.

Shpesh qytetarët me të drejtë, përveç halleve të panumërta ekonomike e sociale që kanë dhe me të cilat çdo familje është e ndërgjegjshme që do të ndeshet, dhe kryesisht ata i përballojnë vetë, nuk pranojnë dhe nuk tolerojnë që zyrat e shtetit të keqpërdoren për t’i keqtrajtuar ata. Ndërkohë që ata duhet të jenë jashtëzakonisht të respektuar dhe shërbimin ta marrin në kohë, me cilësi dhe me shumë përulje dhe edukatë nga administrata.

Ndërkohë nuk besoj se do të jetë i vetmi ministër që i dëgjon qytetarët?

Jo, absolutisht! Unë shpresoj që të gjithë të jenë të tillë, por besoj që Ministri i Drejtësisë ka për detyrë të jetë në krye të gjithë përpjekjeve që bëhen për të luftuar këto fenomene të shëmtuara dhe të fëlliqura do të thosha unë, që njollosin edhe administratën, por edhe që tregojnë një mungesë respekti për qytetarët.

Nevoja e reformës në drejtësi në emisionin tonë ka ardhur gjithmonë përmes përvojave të trishtuara që kanë në gjykata mjaft qytetarë. Si po ecën kjo reformë?

Në rast se do të kemi në konsideratë axhendën e kësaj reforme, që kur ajo u afirmua nga mazhoranca, çdo gjë ka ecur në kohën e duhur. Ndoshta me dy tre javë vonesë dhe aktualisht besoj se jemi në momentin kur Komisioni i Venecias edhe një herë do të japë rekomandimet e tij përfundimtare. Por fryma e Venecias është e qartë dhe ajo duhet të udhëheqë këtë proces tani, që për mendimin tim mbetet të jetë një proces politik, pasi ekspertët kanë bërë një punë të madhe për një kohë të gjatë dhe janë dhënë edhe mendime alternative mbi këtë draft.

Por fryma e rekomandimeve të Venecias është shumë e rëndësishme dhe fryma e rekomandimeve është në radhë të parë për të orientuar politikën drejt konsensusit në zgjidhjen e disa problemeve të rëndësishme për mirëfunksionimin e sistemit në të ardhmen në mënyrë që të mos kalojmë nga një korporatizëm aktual në një korporatizëm të ri.

Së dyti thjeshtim i sistemit. Ndoshta edhe mund të flasim edhe më vonë se ç’kuptojmë me këtë çështje, në mënyrë që ky sistem i ri drejtësie të jetë një sistem, që të mos i fshihet marrjes së përgjegjësive dhe llogaridhënies ndaj qytetarit, ndaj opinionit publik, por edhe ndaj ligjit. Dhe absolutisht, që është e rëndësishme që të ruhet edhe Kushtetuta në parimet e saj themelore.

Kaq e vështirë është që të merren vesh palët. Po zgjat si shumë ky proces. Ndonjëherë duhet sikur na nxisin vetëm atëherë kur vijnë ndërkombëtarët që të ecin përpara…

Për mua nuk është fare e vështirë. Është shumë e thjeshtë! Duhet vullnet më shumë. Reforma në drejtësi nuk duhet trajtuar si çështje elektorale reforma në drejtësi dhe duhet vrarë mosbesimi, që për fat të keq është i lartë, sepse po të ndjekim retorikat, konferencat e shtypit që bëhen çdo ditë, ka shumë tension, ka shumë akuza dhe kundërakuza. Të gjitha këto dëmtojnë jo vetëm besimin e palëve tek njëra-tjetra, por njëkohësisht dëmtojnë dhe besimin e opinionit te politika. Ndërkohë që vëmendja kryesore për mendimin tim duhet të jetë dhe duhet të mbetet gjithmonë ekonomia.

Sepse pavarësisht se vendi ka një përmirësim të kurbës së rritjes ekonomike, problemet tona ekonomike-sociale janë shumë të mëdha dhe për t’i lehtësuar këto probleme duhet një rritje ekonomike akoma më e lartë. Një rritje që kufizohet ose që është shumë e vështirë për t’u arritur për shkak të shumë arsyeve rajonale, ndikimit të Eurozonës, megjithatë ende ekonomia është nën kapacitetet e saj dhe ne duhet të gjejmë të gjitha mënyrat që ajo të shkojë në kapacitet e saj të mundshme për t’u rritur më tej.

Ndërsa përsa i përket reformës në drejtësi, mendoj që me një vullnet më të mirë çdo gjë është e zgjidhshme, është e arritshme. Nuk mendoj që kemi disa që janë pro reformës dhe që kemi disa që janë kundër reformës. Unë mendoj që ka mendime të ndryshme për përmbushjen e reformës, për arritjen e saj dhe kjo në fund të fundit është pozitive, sepse tregon që mund të bëjmë një reformë më të pjekur dhe që t’i rezistojë shumë gjatë kohës.

Ku qëndrojnë dallimet midis drafteve të secilës palë?

Nuk jam ekspert i mirëfilltë i drejtësisë për të theksuar këto dallime. Mendoj që pretendimi kryesor i Partisë Demokratike ka të bëjë në tërësi me atë që e quajnë si rrezikun e kapjes së sistemit. Këtë kanë si pretendim kryesor deri tani, ku dhe praktikisht bojkotuan edhe pjesëmarrjen e tyre në grupin e ekspertëve për të arritur një draft konsensuale me insistimin e tyre që emërimet që do të kryhen të realizohen me 2/3 e votave në Parlament në mënyrë që ata të jenë të përfshirë dhe në mënyrë që të mos jetë mazhoranca ajo që do të përcaktojë sipas tyre emërimet në të ardhmen.

Gjë që në fakt nuk është shumë racionale pasi fryma e Venecias është konsensusi. Që do të thotë që nuk është e nuk mund të jetë thjeshtë përcaktimi i shumicave fikse, 2/3 apo 3/5 e kështu me radhë, sepse ato janë gjithmonë relative, se gjithmonë ka mazhorancë, gjithmonë ka opozitë dhe ato ndryshojnë rolet. Mund të jenë mazhoranca të përmasave të ndryshme sepse në rast se do të kishim një mazhorancë me më shumë se 2/3 sot, atëherë do të dilte nevoja për të patur raporte të tjera për konsensusin. Kështu që thelbësore dhe substanciale është të ketë një përfshirje të opozitës dhe të ketë disa garanci që ky do të jetë një sistem i pavarur, i paanshëm dhe efektiv njëkohësisht, sepse edhe kjo është shumë e rëndësishme.

Në fakt, desha t’ju kujtoja një thënie të Ramës. Ai thotë që “Meta predikon konsensus”, ky është qëndrimi?

Unë mendoj se ne duhet të gjithë të lutemi për konsensus në shoqërinë tonë, sepse është një shoqëri mjaft e lodhur nga konflikti politik dhe një konflikt mjaft i tepruar që krijon një frymë pesimiste për të ardhmen e vendit. Dhe vendi është mjaft i lodhur nga armiqësitë personale, të cilat krijojnë një frymë të thellë mosbesimi dhe ndarjeje, ndërkohë që vendi ka nevojë për konsensus, ka nevojë për bashkëpunim, ka nevojë për unitet. Nuk e teproj nëse e them këtë gjë, për disa arsye, sepse problemet ekonomike, e theksoj do të vazhdojnë të jenë të vështira dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin se është kjo mazhorancë sot apo se do të kemi një tjetër në të ardhmen.

Sepse në rast se do të ndërroheshin përsëri sot vendet dhe do të vinte Partia Demokratike dhe kjo mazhorancë do të kalonte në opozitë, dhe kjo opozitë, pra mazhoranca e sotme PS dhe LSI, do të ndiqnin të njëjtën politikë si PD-ja, absolutisht që vendi do ta kishte shumë të vështirë që të përparonte ashtu siç duan të gjithë shqiptarë, pavarësisht se janë demokratë apo socialistë, të majtë apo të djathtë. Sepse kjo është një klimë tensioni, që na largon nga problemet më të rëndësishme që vendi ka dhe me ë cilat qytetarët ndeshen çdo ditë.

Edhe reforma në drejtësi nuk duhet parë si qëllim në vetvete. Reforma në drejtësi bëhet për të zhvilluar ekonominë e vendit, bëhet për të përmirësuar ekonominë e qytetarëve shqiptarë, duke forcuar sundimin e ligjit, duke i dhënë fund korrupsionit me çështjet e pronave, me çështjet e shërbimeve që marrin qytetarët, me çështjet e prokurimeve e gjithçka tjetër. Por natyrisht në gjithë këtë kontekst nuk duhet të harrojmë se problemi i shqiptarëve është se si ata do të mund të shtojnë besimin se në vendin e tyre do të bëhet më mirë dhe që fëmijët e tyre të mendojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, sepse të mos harrojmë që një numër mjaft i konsiderueshëm janë larguar nga vendi. Nuk mendoj që kjo është një përgjegjësi thjesht e kësaj mazhorance…

Dhe shumë shqiptarë të tjerë mendojnë që të largohen nga këtu….

Për fat të keq ky shqetësim është. Atëherë këtu kemi disa çështje më të mëdha mendoj unë, që e kërkojnë këtë bashkim, këtë konsensus, këtë përgjegjësi të përbashkët, sepse ne nuk mund ta ndajmë Shqipërinë në 3 ose 4 copa: një të PS-së, një të PD-së, një të partive të tjera e kështu me radhë. Kjo është e të gjithëve dhe me këtë kuptim edhe reforma në drejtësi duhet të jetë një reformë që krijon besim në vend për zbatimin e ligjit, për besueshmërinë e institucioneve të reja, për paanësinë e tyre dhe një gjithëpranueshmëri nga të gjithë faktorët politikë në vend, por padyshim edhe nga të gjithë qytetarët.

Pra, nuk duhet parë si një mundësi për ndarje, për konflikte, për acarime, sepse mendoj që dialogu politik është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për përmbylljen e reformës. Dhe tani më shumë ka mbetur procesi politik i reformës, sepse ekspertët në tërësi i kanë thënë mendimet e tyre, por dialogu politik na duhet edhe pas miratimit të reformës. Pse na duhet? Sepse vërtetë këtë reformë e kërkojnë qytetarët tanë, të cilët janë të lodhur nga padrejtësitë e shumta që ndeshin çdo ditë, e kërkon Bashkimi Evropian që të ecim më tej drejt mundësisë për çeljen e negociatave sa më shpejt, por do të jetë e pamundur çelja e negociatave me BE-në në rast se ne nuk e ruajmë dialogun politik midis mazhorancës dhe opozitës pas miratimit të kësaj reforme. Do të jetë e pamundur të çelen negociatat, sepse dialogu politik është një kusht i përhershëm i procesit të integrimit europian.

Kështu që besoj se të gjithë duhet të jemi më të përgjegjshëm në mënyrë që ne si mazhorancë të mos e shohim si një çështje elektorale reformën në drejtësi. Ndërsa opozita nga ana e saj, për shkak të komoditetit që mund të ndjejë deri diku me këtë sistem apo edhe për shkak të mosbesimit që mund të ketë të mos bllokojë këtë reformë të domosdoshme për vendin.

Siç kishte mosbesime të kota për mendimin tim edhe te reforma administrative-territoriale, ku për fat të keq u vetëpërjashtua pavarësisht përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për ta përfshirë deri në minutën e fundit.

Sepse të gjitha këto dëmtojnë vendin dhe dëmtojnë një klimë mirëbesimi, një pakt që duhet të ketë politika në vend, që t’i shërbejë paqes sociale dhe të pranojë respektimin e disa rregullave të lojës, në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Meqë jemi te besimi, ka edhe një vakum tjetër besimi të shprehur nga mjaft qytetarë. Shumë prej tyre janë shprehur në emisionin tonë, se kjo klasë politike nuk mund ta bëjë dot reformën në drejtësi, ata e shohin atë në palën e ndëshkuar dhe jo në vendimmarrje…

Qytetarët apo edhe ndërkombëtarët, një pjesë e tyre, kanë shumë të drejtë që mendojnë këtë gjë. Sepse po të dëgjosh se çfarë themi ne politikanët për njëri-tjetrin në Parlament, nëpër studio, duhet të gjithë t’i marrësh bashkë e t’i çosh në ishullin e Sazanit e të rrinë atje me gjarpërinjtë. Por siç do të thoshte i ndjeri Sabri Godo “as kjo nuk duhet bërë, sepse po t’i çosh atje do ta prishin edhe të vetmin ishull që kemi me konfliktet dhe me sherret e tyre”. Ky mosbesim është përgjegjësia e politikës, e një acarimi krejtësisht të panevojshëm dhe e paaftësisë për të parë më larg, për të parë përtej ditës së sotme, përtej ditës së nesërme, sepse koha ikën dhe llogaridhënia është e pashmangshme.

Ndërkohë a ka shanse të arrihet ky konsensus? Për qytetarët shenjat nuk duken të tilla…?

Besoj që ka shanse dhe ne do të luftojmë deri në fund. Mendoj që aleati ynë më i mirë në këtë mes është Komisioni i Venecias, me frymën e rekomandimeve të tij, por njëkohësisht dhe komuniteti ndërkombëtar, që kërkon një reformë gjithëpërfshirëse, konsensuale dhe në fund të fundit ai që duhet të bashkojë pavarësisht nga pëlqimi apo mospëlqimi ndaj njëri-tjetrit, besimi apo mosbesimi, dashuria apo për fat të keq edhe urrejtja, janë disa standarde mjaft transparente. Nuk është se besoj shumë tek individët, pra që do të ikin këta individë e do të vijnë ca të tjerë, sepse ne jemi një vend relativisht i vogël dhe individët këtu janë në presione të mëdha. Sepse të gjithë këtu janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kjo natyrisht që ndikon pastaj në funksionimin e institucioneve, por ndërtimi i një sistemi sa më transparent do ta bëjë të pamundur që individët të ndikohen apo në rast se do të ndikohen sistemi do të japë alarmin dhe këta individë do të ndëshkohen. Kështu që në këtë drejtim, unë mendoj se duhet të punojmë për një sistem sa më transparent dhe kjo do të ndihmojë që në të ardhmen të kemi një sistem ndryshe të drejtësisë, krejt ndryshe nga ai që kemi tani.

Ndërkohë në kulmin e diskutimeve për reformën në drejtësi LSI-ja hodhi edhe idenë për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore. Për cilin variant të zgjedhjeve është LSI-ja?

Nuk ka qenë më shumë një ide e LSI-së se sa ka qenë një ide e imja si Kryetar i Kuvendit që të krijohet ky komision i përbashkët siç bëhet gjithmonë përpara zgjedhjeve në mënyrë që ndryshimet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe për zgjedhjet e vitit 2013 dhe për zgjedhjet lokale të vitit 2015 të mos bëhen në minutën e fundit, por të bëhen në kohën e duhur në mënyrë që edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe partitë, edhe qytetarët të jenë të familjarizuar me këto ndryshime dhe ato të japin efektet e tyre në rritjen e cilësisë së zgjedhjeve të ardhshme. Ne jemi të hapur për çdo gjë që e bën dhe sistemin zgjedhor më transparent, më përfaqësues.

Do ketë ndryshime të sistemit zgjedhor apo thjesht zbatimin e vërejtjeve të tyre?

E para, duhet patjetër të zbatohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mendoj unë. Së dyti, çdo ide që e bën sistemin më transparent, më përfaqësues, nuk ka përse të përjashtohet nga diskutimet.

A ka ndonjë referencë Lëvizja Socialiste për Integrim?

Lëvizja Socialiste për Integrim mendon se ka disa defekte. E para që vota nuk është plotësisht e barabartë e qytetarëve shqiptarë sikurse e kërkon Kushtetuta, sepse edhe rajonet janë me dallime të mëdha nga Tirana me 32 e deri te Kukësi me 4 deputetë. Shumë vota mbeten të papërfaqësuara. Shumë qytetarë mbeten të papërfaqësuar në mënyrë të drejtë. Ky nuk është problemi më i madh. Problemi më i madh mendoj unë është që ky është një sistem që forcon më shumë partitë dhe kryetarët e tyre se sa forcon parlamentarizmin. Një zgjidhje shumë e rëndësishme për të forcuar parlamentarizmin, qoftë dhe duke mos bërë ndryshime shumë të mëdha, sepse edhe të ndryshosh  sistemin çdo tetë vjet nuk është e rekomandueshme, ajo thjesht do të ishte të kishim lista të hapura. Pra që partitë kanë të drejtë të bëjnë përcaktimin e renditjes së kandidatëve të tyre, fjala vjen qarkun e Durrësit, por në fund fare qytetarët të kenë të drejtë të japin edhe preferencën e tyre brenda partisë. Dhe jo gjithmonë ai që cakton partia është detyrimisht fituesi. Pra qytetarët të mos jenë të detyruar të votojnë vetëm për partitë, sepse praktikisht kështu ndodh, por të jenë të mundur dhe të lirë që të zgjedhin edhe brenda një force politike atë që mund t’i përfaqësojë më mirë. Kjo do të bënte të mundur që deputetët të jenë më të lidhur me qytetarët dhe të mos bien automatikisht të zgjedhur për shkak se gëzojnë besimin e plotë të kryetarit apo të kryesisë së një force politike. Kjo do të ndihmonte më shumë parlamentarizmin, lidhjen e deputetëve me  qytetarët sepse është ky problem me këtë lloj sistemi që ne kemi në dallim me mazhoritarin dhe do të zbuste disa efekte negative që ka krijuar.

A ka ndonjë shans që të plotësohet me këtë rast dëshira e mjaft qytetarëve për të pasur një numër më të vogël deputetësh?

Unë mendoj se kjo është një kërkesë legjitime e cila duhet marrë në konsideratë dhe e cila duhet vlerësuar sepse edhe me ndarjen e re administrative territoriale, është momenti për të bërë një gjykim pasi, mendoj se një numër më i pakët i deputetëve do të mund të rriste cilësinë e funksionimit të vetë parlamentit.

Pak ditë më parë në publik bënë përshtypje brenda një dite dy deklarata të kundërta në dukje me njëra-tjetrën. Sekretari i Përgjithshëm, z. Luan Rama kritikoi qeverinë lidhur me raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa Petrit Vasali, nënkryetari tha se këto ishin qëndrime personale. Sa ka mundur LSI ta shohë me sy kritik punën e qeverisë ku vetë është pjesëmarrëse?

Mendoj se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë gjithmonë me këmbë në tokë dhe realiste. Edhe pozicionimi ynë politik na ndihmon për të qenë më realist dhe më të balancuar. Në këtë drejtim për pyetjen që ju bëtë, sepse mendoj se mund t’ju ketë bërë shumë qytetarëve përshtypje., e vërteta është se nuk ka pasur një qëndrim zyrtar të LSI-së për disa shqetësime  që u shprehën nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Z. Luan Rama ka pasur mendimet e tij dhe ka dalë në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërkohë që praktikisht nuk është se ato mendime janë gjykuar nga Kryesia e LSI-së dhe ky ka qenë qëndrimi zyrtar i LSI-së. Prandaj dhe më pas kemi patur një qëndrim nga ana e z. Vasili. Pra nuk kemi të bëjmë as me ndonjë lojë. Është diçka që ndodh  gjatë ditës në një politikë mjaft aktive. Por ajo që është thelbësore nuk është kjo. E rëndësishme është që ka disa shqetësime, këto shqetësime i thashë dhe më përpara. Ne kemi qenë mjaft të rezervuar dhe kur kemi qenë në koalicion me z. Berisha, nuk kemi patur atë ndjenjë optimizmi që Shqipëria po luftonte dhëmbë për dhëmbë me Gjermaninë, se kush të ishte e para. Absolutisht gjithmonë kemi qenë të shqetësuar. Jo vetëm kaq, por unë z. Berisha i kam kërkuar që në atë kohë duke parë përkeqësimin e situatës ekonomike në vend, rritjen borxhit, rritjen e deficitit, edhe disa politike populiste që po zhvilloheshin për shkak të zgjedhjeve elektorale, i kam thënë që duhet të bëjmë një marrëveshje me FMN sepse situata po del jashtë kontrollit. Dhe i kësaj ideje ka qenë dhe Ministri i Financave të asaj kohe, ka qenë edhe Guvernatori i Bankës Kombëtare në atë kohë, por z. Berisha ka patur ato hezitimet e veta në këtë drejtim. Kështu që FMN  është një partner i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm. Është vërtet si puna e doktorit, t’i jep ilaçet e hidhura, por t’i jep ato në mënyrë që të shërohesh dhe që të bëhesh më mirë. Mendoj e bashkëpunimi ka qenë i mirë me FMN-në gjatë këtyre dy viteve sepse kanë qenë vite mjaft të vështira. Ka disa kufizime të cilat e pengojnë qeverinë që të realizojë disa nga premtimet e saj dhe për këtë është e vështirë që ta fajësosh qeverinë sepse trashëgimia me të cilën ajo u ndesh ishte e tillë që  ishte e detyruar për të ndërmarrë shumë reforma dhe për të ndërmarrë shumë kufizime sepse duhet garantuar një konsolidim fiskal i cili i shërben rritjes ekonomike të qëndrueshme në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Nuk është problemi thjesht për të rritur investimet, pagat, pensionet për një vit, sepse një vit ikën shumë shpejt, por rritja e borxhit, rritja e defiçitit mund ta nxjerrë gjithë ekonominë jashtë sistemit dhe pastaj pasojat do të jenë mjaft të rënda në një plan afatgjatë. Kështu që ne këto shqetësime apo sugjerime të FMN-së do t’i kemi në konsideratë dhe ne këto duhet t’i kemi në konsideratë të gjithë, jo vetëm mazhoranca, por duhet t’i ketë edhe opozita. Prandaj unë edhe njëherë tjetër apeloj që të përqendrohemi te problemet ekonomike që ka vendi sepse janë probleme që nuk mund të zgjidhen me ndërrimin e vendeve dhe duke ruajtur të njëjtën frymë konfliktuale politike. Kështu që në këtë këndvështrim, i bëjmë edhe shërbimin më të mirë qytetarëve.  Nëse do të vinim te reforma në drejtësi, preokupimi ynë kryesor është ky. Po flas këtu si lëvizje Socialiste për integrim. Sot shqetësimi kryesor që kemi ndeshur në  drejtësi është që korrupsioni nuk është luftuar, krimi nuk është luftuar dhe përgjegjësia ka mbetur jetime.

Sepse kemi dy probleme, kemi problemin e hetimit, kemi edhe problemin e gjykimit. Problemi i hetimit ku kemi rolin e prokurorisë , kemi dhe rolin e Policisë së Shtetit. Dhe në fund fare kemi gjykatat. Dhe vazhdimisht themi që policia bëri punën, ia çoi prokurorisë, prokuroria ia çoi gjykatës. Në fund fare shohim që gjykata jep vendime të cilat nuk e ndëshkojnë as korrupsionin dhe as krimin në atë shkallë që kërkon qytetari dhe që kërkon edhe vetë zbatimi i ligjit. Gjykata thotë se nuk e kisha dosjen në rregull, kishte probleme procedurale, prokuroria thotë shiko se ne na erdhi nga policia me probleme që në fillim. Policia thotë unë ia çova në rregull prokurorisë, prokuroria thotë ia çova gjykatës, gjykata e korruptuar. Kështu që në këtë drejtim mendoj se aspekti më i lehtë për të disiplinuar është gjykata.

Aspekti më i lehtë për të disiplinuar është gjykata, sepse në rast se dosjet në gjykatë qoftë për korrupsion, qoftë për krimin do të jenë profesionale, do të jenë të plota nuk ka ku të lëvizë gjykata, sepse me një inspektim shumë të thjeshtë mund të verifikohet nëse ky gjykatës ka dhënë një vendim të drejtë apo ka dhënë një vendim të padrejtë dhe ndaj këtij mund të merret masa automatikisht.

Por ky lloj ping-pongu i deri tanishëm midis këtyre institucioneve, midis hetimit dhe midis gjykimit ka bërë atë që secili të ndihet i mbrojtur, sepse secili ja kalon fajin tjetrit.

Nuk duhet të na ndodhë kjo me sistemin e ri që duam të krijojmë, sepse po ndodhi kjo thjesht do të ndërrohen emrat dhe përsëri do të ndodhi e njëjta gjë. Shqetësimi ynë është, sepse është propozuar për të krijuar më shumë institucione të reja se sa ka aktualisht sistemi i drejtësisë dhe kjo mund ta bëjë përgjegjësinë dhe llogaridhënien shumë më të transferueshme sesa deri tani. Dhe një nga rekomandimet e Komisionit të Venecias është që të kemi një sistem sa më të thjeshtë, në mënyrë që edhe përgjegjësia të jetë sa më e përcaktuar  dhe llogaridhënia të jetë sa më e qartë.

Në këtë drejtim për mua merr një rëndësi vendimtare disiplinimi i hetimit. Kjo është vendimtare në qoftë se duam të kemi një drejtësi të vërtetë në Shqipëri dhe investimi më i madh duhet  bërë në këtë drejtim, sepse mendoj se edhe puna më e vështirë është puna e hetimit, që nga mbledhja e provave, që nga respektimi i procedurave, rritja e provueshmërisë së veprës penale e kështu me radhë.

Sepse në rast se do të shkojë dosja e plotë, një dosje e qartë tek gjykata ajo nuk ka ku të lëvizi dhe gjykatën e inspekton shumë më lehtë. Dhe natyrisht që këtu kemi një problem tjetër që do e zgjidhim me Reformën në Drejtësi  që është motivimi, është statusi i prokurorëve, i gjykatësve,por sidomos përsa i takon hetimit në mënyrë që ne të vendosim një themel të fuqishëm të funksionimit të drejtësisë në Shqipëri.

Dhe përsa i takon gjykatës, qëndrimi ynë është që të kemi një sistem sa më të thjeshtë, sepse është ideja që të kemi edhe Gjykatë të Lartë edhe Gjykatë të Lartë Administrative.

Për ekspertët tanë duhet të kemi një sistem më të thjeshtë , më hierarkik, të kemi një Gjykatë të Lartë të vetme, e cila mos të merret me çështje konkrete, siç merret sot ,por të nxjerri vendime unifikuese për të gjithë sistemin e gjykimit në vend në mënyrë që mos të ndodhi ajo që ka ndodhur deri tani që për të njëjtën çështje apo për të njëjtën vepër 10 gjykata të ndryshme  në Shqipëri, një në Durrës, një në Shkodër dhe një në Vlorë mund të japin vendime të ndryshme, arbitrare sepse njëri e interpreton rastin kështu tjetri ashtu, dhe natyrisht kjo sjell arbitraritet, kjo sjell zvarritje, kjo sjell korrupsion.

Ndërsa një sistem ku Gjykata e Lartë shprehet përmes vendimeve unifikuese vendos këto standarde të gjykimit sipas rasteve të ndryshme, e bënë të gjithë sistemin e gjykimit e bënë më të shpejtë, më të disiplinuar, më me integritet dhe përsëri e ke shumë më të lehtë për të verifikuar, për të kontrolluar gjyqtarët sesi ata kanë kryer detyrën e tyre.

Këto mendoj unë  janë çështje thelbësore që ne duhet të zgjidhim sepse ndërtimi i një sistemi më funksional, më transparent ku përgjegjësia është e qartë, ku llogaridhënia është e qartë,ajo do të na bëjë që ky sistem drejtësie që do të realizohet përmes kësaj reforme të jetë një sistem, i cili të zgjidhë njëherë e mirë këto shqetësim që kanë qytetarët tanë.

Emisioni ynë ka dy kontraste nga njëra anë titujt e gazetave lexohen shifra marramendëse të njerëzve, pushtetarëve që akuzohen se abuzojnë me detyrën, të pushtetarëve të korruptuar pra. Dhe nga ana tjetër ka mjaft qytetare që sjellin histori të trishtuara të varfërisë, njerëz të cilët zgjohen duke rregulluar qindarka që ndoshta nuk e shtyjnë dot ditën. Çfarë mesazhi optimist mund ti japim këtyre njerëzve që e nisin ditën me dëshpërim dhe halle?

Mendoj se mesazhi  më i rëndësishëm që ne duhet të japim atyre është një mesazh  bashkëpunimi i politikës për të zgjidhur hallet e tyre dhe jo mesazhi i ping-pongut të politikës për t’ia faturuar njëri-tjetrit përgjegjësitë për hallet e tyre.

Mendoj se duke bashkëpunuar më shumë ne do të japim optimizëm, ne do të japim dorën gjithë këtyre qytetarëve që të kenë më shumë besim tek politika. Ndërsa duke vazhduar të sillemi si deri tani që kjo situatë është sepse fajin e ka qeveria kështu ashtu sepse opozita është e tillë etj, etj ata humbasin besimin tek politika, ndërkohë që ne humbasim nga fokusi ynë hallin e tyre.

Dhe një mesazh njerëzor për publikun tonë me fillim e kësaj dite të re?

Uroj që të jetë një javë e mbarë për të gjithë dhe diçka tjetër nuk do të harroj meqenëse po flasim për Reformën në Drejtësi, ne mbështesim fuqimisht edhe procesin e testimit të gjyqësorit, të prokurorëve, të gjyqtarëve, në mënyrë që të gjithë të kalojnë provën për të qëndruar apo jo në sistemin e ardhshme të drejtësisë, por njëkohësisht dua të theksoj se është që shumë e rëndësishme që të respektohet parimi i karrierës, pra të evitojmë futjet spontane në këtë sistem dhe ti japim një kualitet të ri dhe një integritet më të lartë. Sepse mos harrojmë që kemi bërë dhe reformën e ashtu quajtur të plepave në emër të anti-komunizmit dhe ajo nuk ka pasur pak pasoja në sistemin e drejtësisë, por në rastin konkret Shqipëria nuk është ajo e 1992-1993, ku nuk kishe njerëz për ti përfshirë në sistem sepse të gjithë kishin përfunduar  studimet në sistemin e kaluar dhe të gjithë juristë pavarësisht se ata ishin mjaft të kualifikuar, në një farë mënyre akuzoheshin sepse i kishin shërbyer atij sistemi, por ata thjesht kishin zbatuar ligjin.

Por, sot Shqipëria ka një fat të madh, sepse ka me qindra, për mos të thënë me mijëra të rinj dhe të reja, jam i bindur që edhe Durrësi ka, që të cilët falë sakrificave të prindërve të tyre kanë kryer studime, jo vetëm në Shqipëri, por kanë kryer studime edhe në universitete më prestigjioze të Evropës, SHBA-së, Kanadasë, etj.

A nuk ekziston kriteri i viteve në karrierë tek këta të rinj?

Po flas për të gjithë sistemin, të cilët pa dyshim duhet gjetur mënyra për ti përfshirë. Mendoj se edhe Ministri i Drejtësisë ka një ide shumë të mirë  për ata që kanë disa standarde shumë të larta në edukimin e tyre të krijohet mundësia që të kalojnë edhe ata përmes Shkollës së Magjistraturës, por duke realizuar një program, i cili do ti ndihmojë të ambientohen me legjislacionin vendas dhe do ti japi mundësinë që në një kohë sa më të shpejtë që ata të përfshihen në këtë sistem të ri sepse  mendohet që kjo nuk është e para reformë, mos harrojmë që kemi bërë reformën e 1992- 1993 dhe ajo dështoi sepse njerëz të kualifikuar u zëvendësuan me shumë njerëz të cilit ishin të pakualifikuar, jo për fajin e tyre, ku shumë prej tyre vinin dhe nga shtresa e të persekutuarve ku padrejtësisht u mohohej e drejta e shkollimit, edukimit, e kështu me radhë dhe elementi jo profesional spikati në sistemin e drejtësisë, përveç atij politik sepse kuptohet se kur hyn në sistem për shkak të një force politike ndihesh edhe i detyruar që t’i shërbesh asaj dhe jo pavarësisë ose paanësisë  së sistemin.

Ndërsa sot ne kemi besimin që mund ta përmbushim me sukses këtë reformë sepse edhe burimet njerëzore janë të jashtëzakonshme, janë mjaft të kualifikuara dhe ne duhet të vendosim standarde të larat për të integruar të gjithë këta njerëz që kanë mbaruar shkolla nga më të mirat në Evropë, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada e kështu me radhë me këtë sistem drejtësie me integritet që duam të krijojmë.

SHKARKO APP