Mimi Kodheli dhe Edi Paloka: Jemi 100 % dakort me parashtrimet e Presidentit Meta

Sot Presidenti i Republikës Ilir Meta priti komisionin parlamentar të politikës së jashtme në selinë e Presidencës në lidhje me negociatat me Greqinë, duke parashtruar edhe njëherë mendimet dhe vendimet e Tij, të cilat janë në zbatim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nuk dihet se çfarë ka thënë Kreu i Shtetit Shqiptar para tyre, por nisur nga deklaratat e dy përfaqësuesve të grupeve kryesore parlamentare në këtë Komision Parlamentar, Edi Paloka dhe Mimi Kodheli mund të thuhet se gjithçka ka thënë, kërkuar e deklaruar Presidenti Meta kanë rënë dakort edhe anëtarët e komisionit parlamentar të politikës së jashtme.

Ky takim me vendimmarrësit parlamentar të politikës së jashtme, erdhi pas një sërë takimesh që Kryetari i Shtetit Ilir Meta zhvilloi me ish-presidentët e Republikës si Berisha, Mejdani, Moisiu, Topi dhe Nishani.

Dihet se ka patur një sërë replikash nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati në lidhje me kërkesat e Presidentit, por me sa duket edhe vetë PS-ja nuk e mbështet ministrin e saj të diplomacisë. Kjo duket hapur edhe nga përgjigja e kryetares të komisionit të jashtëm Mimi Kodheli, e cila fill pas takimit sot në presidencë, deklaroi para medias, ndër të tjera, se “ne si komision parlametar jemi krejtësisht dakort me parashtrimet e Presidentit Meta dhe e mbështesim të zbatoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Më tej zonja Kodheli, si një ish-ministre e sprovuar dhe korrekte, theksoi se po punojmë të gjitha palët politike për një zgjidhje afatgjatë në këtë Marrëveshje me Greqinë. Zonja Kodheli shtoi se Presidenti ka kërkuar që të jenë si konsulentë në grupin negociator edhe disa profesorë të shquar që janë specialistë në të tilla çështje specifike, siç flitet për ndarjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Ramë dakort dhe ndamë të njëjtin mendim me Presidentin lidhur me nevojën që kjo marrëveshje të mos dështojë, me nevojën dhe meritën që ka vendi ynë për të hapur negociatat me BE. Këta janë elementë të domosdoshëm që e bëjnë këtë marrëveshjen më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me atë greke”, deklaroi deputetja socialiste Kodheli.

Sa u takon negociatorëve, Kodheli tha se nuk u diskutua për ta, por u la e hapur dera për përfshirjen e të tjerë personave në këtë grup.

“Grupit mund t’i atashohen edhe njerëz dhe ekspertë të tjerë, që mund të jenë këshilltarë të mirë”, u shpreh Kodheli.

Zonja Mimi Kodheli ishte e qartë, ndonëse nuk e tha me plot gojën se ministri i jashtëm Ditmir Bushati duhet të jetë më i kujdesshëm kur flet me dhe për Presidentin e Republikës.

Ndërsa opozita kryesore PD theksoi se nuk ka transparencë nga ana e qeverisë ndaj shikonte si garant ndërhyrjen e Kryetarit të Shtetit, zotit Ilir Meta, tek i cili edhe PD-ja manifestoi besim në këtë çështje të madhe, delikate dhe diplomatike me Greqinë.

“Pas parashtrimit të Presidentit lidhur me qëndrimin e tij, ramë dakort që të gjithë, që qëndrimi i Presidentit është qëndrim korrekt dhe i përgjigjet përgjejgësisë dhe detyrimit që ka për të qëndruar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Paloka.

Deputeti i PD-së tha se shqetësimi kryesor i opozitës ishte transparenca, ndërsa pati edhe kërkesa për një verifikim më të mirë të grupit të negociatorëve.

Ndërkohë, Tritan Shehu ritheksoi edhe njëherë se Partia Demokratike është e gatshme që çështja të dërgohet në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë.

DEKLARATA E PLOTË E KRYETARES SË KOMISIONIT TË JASHTËM DHE DEPUTETES SË PS, MIMI KODHELI:

“Ju falenderoj për qëndrimin nën shi, për të pasur dhe opinionin tim si kryetare e Komisionit të Jashtëm lidhur me takimin që sapo mbyllëm me presidentin e republikës.

Dua ta falenderoj presidentin për angazhimin e tij personal që pati për të informuar Komisionin e Politikës së Jashtme lidhur me momentin në të cilin ndodhemi sot, dhënien e autorizimit nga ana e tij për fillimin e negociatave me qeverinë greke, lidhur me gjithçka ka mbetur pezull në këto vite. Ne jemi absolutisht të interesuar, ndoshta më të interesuarit, jo vetëm si Komision i Jashtëm por si përfaqësues të mazhorancës, përfaqësues të asaj force politike që sot qeveris vendin. Kjo është një marrëveshje e cila, siç ju e dini, do të kalojë edhe në Parlament.

Ramë dakord dhe ndamë të njëjtin opinion me presidentin lidhur me nevojën, domosdoshmërinë absolute që kjo marrëveshje të mos dështojë.

Jo vetëm kaq, momenti historik në të cilin ndodhet Shqipëria sot, viti historik që Shqipëria kalon sot, nevoja dhe meritat që Shqipëria ka për të hapur negociatat me Bashkimin Europian, janë të gjithë elementë të domosdoshëm që e bëjnë këtë marrëveshje, marrëveshjen më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me qeverinë greke.

Padyshim që negociatat duhet të jenë të tilla që të finalizohen në të mirë të dy vendeve, në të mirë të fqinjësisë së mirë, por më së pari në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne kemi një eksperiencë negative që vjen nga marrëveshja tashmë e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e vitit 2009. Gjykata Kushtetuese ka mirëpërcaktuar  të gjitha linjat, rolin e presidentit, rolin e qeverisë, rolin e parlamentit në finalizimin e kësaj marrëveshjeje pas dakordësisë finale. Të gjitha këto besoj që janë një bazë e mirë ligjore por edhe morale për të ngritur një marrëdhënie bashkëpunimi, një marrëdhënie besimi reciprok midis institucioneve të rëndësishme të vendit, siç është institucioni i presidentit, siç është qeveria shqiptare dhe padyshim siç është parlamenti shqiptar.

A e diskutuat rolin e presidentit, kërkesën e tij dërguar Komisionit?

Ne kemi dëgjuar me vëmendje atë çfarë presidenti tha; personalisht si deputete, si kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme ndaj të njëjtin opinion me të. Shtyllat e diskutimit ishin: marrëveshja duhet të mos dështojë, marrëveshja duhet të bëhet sa më parë të jetë e mundur në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe në të mirë të rajonit, në të mirë të përcaktimit të vijave të delimitimit, jo vetëm të Shqipërisë me Greqinë por të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm kështu mund të jemi më të sigurt në rrugën tonë drejt Europës, sepse vetëm kështu mund të jemi më të sigurt që ne marrim atë çfarë meritojmë, të tjerët marrin atë çfarë meritojnë dhe të gjithë bashkë mund të vazhdojmë drejt një rruge e cila nuk do të ketë më pikëpyetje dhe nuk do të ketë më diskutime.

U fol për emrat e negociatorëve? A pati kontestime presidenti për to?

Nuk hymë në asnjë diskutim për emra negociatorësh. Grupi negociator është një grup i cili është prezantuar te presidenti. Propozimi i presidentit dhe dakordësia jonë, sigurisht në një bisedë të lirë dhe miqësore, ishte që grupit negociator mund t’i atashohen edhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare apo profesorë të fushës ligjore, apo njerëz dhe ekspertë të tjerë, të cilët mund të mos jenë pjesë e grupit negociator, por mund të jenë këshilltarë të mirë, mund të jenë ata që suportojnë gjithçka me të cilën nesër grupi negociator do të ulet dhe do të diskutojë me grupin e përcaktuar nga qeveria.

A ishit dakord me opozitën, pasi zoti Paloka u shpreh që nuk patët dakordësi në disa çështje? Ndërkohë që ai u shpreh se nuk kishte transparencë?

Ne në takim nuk u futëm në diskutime midis mazhorancës dhe opozitës; ne në takim dëgjuam me vëmendje atë çfarë presidenti tha. I drejtuam pyetje, morëm përgjigje dhe për shumëçka u dakordësuam me të, në mënyrë që ky proces të jetë sa më transparent me publikun dhe në finale të jetë sa më i drejtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne nuk ishim aty për të negociuar; nuk jemi ne grupi negociator.

A jeni dakord që kjo çështje të shkojë në Hagë, znj. Kodheli? E propozon opozita.

Unë besoj që ministri i Punëve të Jashtme e ka sqaruar të paktën në dy raste, në dëgjesat publike që janë bërë me Komisionin e Jashtëm. Shkohet në Hagë nëse vendet respektive nuk bien dakord që të hyjnë në marrëveshje. Për aq kohë sa ne kemi rënë dakord që do të hyjmë në një marrëveshje me qeverinë greke, nuk shikoj asnjë arsye pse çështja duhet të shkojë në Hagë.

SHKARKO APP