Deputetja Mimoza Hafizi: Mbështes platformën e Ben Blushit në Kongres
Deputetja e Shkodrës Mimoza Hafizi është e para anëtare e grupit parlamentar të PS-së që ka ndalë publikisht në mbështetje të platformës së deputetit Ben Blushi. Mësohet se brenda grupit parlamentar ka dhe mjaft deputetë të tjerë që janë pro alternativës së tij dhe kërkojnë respektimin e statusit të partisë. Qëndrimet e tyre pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
Mimoza Hafizi shprehu sot mbështetjen e saj për kërkesën e Ben Blushit, që të ketë zgjedhje në Partinë Socialiste. Hafizi deklaroi se “I bashkohem kolegut tim Ben BLUSHI në kërkesën për respektimin dhe zbatimin e statutit të Partisë Socialiste e normave themelore të qënies bashkë në këtë grupim të madh politik. I kam ofruar mbështjetje në rrugëtimin dhe platformën për Kongresin e ardhshëm të Partisë”.
Deputetja e Shkodrës është e para që flet publikisht në mbështetje të Blushit dhe të nevojës për zgjedhje brenda partisë.
Deklarata e plotë e deputetes socialiste në Facebook:
Miq të nderuar!
I bashkohem kolegut tim Ben BLUSHI në kërkesën për respektimin dhe zbatimin e statutit të Partisë Socialiste e normave themelore të qënies bashkë në këtë grupim të madh politik. I kam ofruar mbështjetje në rrugëtimin dhe platformën për Kongresin e ardhshëm të Partisë.
Do mundohem të përcjell në këtë dokument dhe në aspiratat tona për të ardhmen e partisë ku bëjmë pjesë, të gjithë përvojën e punës sime shumëvjeçare me strukturat socialiste të Tiranës e Shkodrës, zërin kritik të socialistëve shkodranë, analizat e përgjegjshmërisë qeverisëse deri në nivel bazë dhe reflektimet për një frymë të re bashkëpunimi e respekti.
Mirëpres çdo sugjerim, besoj që kauza e një partie të madhe nuk i përket vetëm antarëve të saj, por çdo qytetari.