Ministrat e Bashës: Dhamë dorëheqjen nga detyra, por jemi ende në qeveri

Kabineti i qeverisë vazhdon të funksionojë në mënyrë qesharake që pas marrëveshjes së 18 majit Rama-Basha. Ministrat e PD-së drejtuan institucionet pa marrë pjesë në asnjë mbledhje qeverie. Janë të vetmit ministra në historinë e shtetit shqiptar që nuk kishin asnjë komunikim zyrtar me shefin e qeverisë. Janë të vetmit titullarë institucionesh që ishin vartës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë dhe jo të Kryeministrit. Në tre muaj në detyrë janë të vetmit ministria në qeveritë shqiptare që nuk urdhëronin dot as portierët dhe shoferët e institucioneve, për shkak se gjithë kompetencat i kishin sekretarët përgjithshëm të ministrive.

Por historia absurde me ministrat e PD vazhdon edhe tani. Dy ditë më parë deklaruan se dhanë dorëheqjen nga detyra, por ligjërisht nuk ikin dot nga qeveria pa pëlqimin e kryeministri Edi Rama.

Zv.kryeministrja Ledina Mandija pranoi sot në një intervistë për “TvKlan” se ajo dhe ministrat teknikë e kanë të pamundur të largohen nga kabineti. Ata do të qëndrojnë në detyrë deri kur Edi Rama të propozojë lirimin e tyre, sipas procedurës kushtetuese. Gjë që do të thotë se kryeministri duhet të pranojë dorëheqjen dhe të dërgojë emrat e tyre për shkarkim në Presidencë. Më pas emrat kalojnë në Kuvend ku votohet dhe largimi i tyre nga kabineti. Nëse Edi Rama nuk bën asnjë propozim për lirimin e “teknikëve” deri në krijimin e qeverisë së re, PD edhe pse thotë se nuk është më në qeveri, zyrtarisht vijon të ketë ministrat e saj në kabinet.

“Ministrat dhe zv.kryeministri kanë përgjegjësinë në lidhje me funksionet dhe detyrat që ato ushtrojnë dhe nuk mund të braktisin zyrat apo detyrat. Do të qëndrojmë në detyrë deri kur të plotësohen kërkesat procedurale sipas kushtetutës. Kjo do të thotë që duhet të dekretohet, të behet propozimi nga kryeministri, të dekretohet dhe më pas të votohet në parlament”,- deklaroi Mandija në televizionin Klan.

Kryeministri Edi Rama dhe PS duket se nuk i intereson thirrja e Kuvendit edhe një herë në këto momente. Kjo për shkak se nëse nis procedura e shkarkimit e ministrave duhet të mblidhet Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, pasi mandati i tij nuk ka mbaruar ende. Ndërkohë Edi Ramës do t’i duhet të zgjedh emrat e ministrave zëvendësues dhe në situatën aktuale nuk i sigurohet mazhoranca e 71 votave me numrat e deputetëve të vitit 2013.

Sigurisht Edi Rama ka interesa që ta bëjë ndryshimin e qeverisë me parlamentin e ri dhe të realizojë dhe ndryshimin e numrit të ministrive. Është në të drejtën e tij të përfitojë çdo moment nga pakti me Bashën për të realizuar qeverinë e re sipas mënyrës së tij. Nga pikëpamja politike, më shumë pikë humbasin demokratët. Të enjten ministrat thonë se kanë dhënë dorëheqjen nga qeveria e Ramës që “vodhi votat me kriminelë dhe para droge”. Ndërsa të shtunën deklarojnë se nuk ikin dot pa lejen e Ramës. Kjo duket më shumë si tallje sesa qëndrim politik.

Pas marreveshjes se mesnates te dates 17 maj kur asnje nuk e di se cfare pazari u be, tashme nuk ka me asnje habi per gjithcka ndodh mes PD dhe Edi Rames.

 

SHKARKO APP