Ministrat e PD: Nuk ikim nga qeveria. Kryeministri Rama: Nuk i shkarkoj dot

Përplasjet mes Kryeministrit, Edi Rama dhe ministrave teknikë të Partisë Demokratike tashmë kanë nisur të konsumohen edhe në publik. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për mediat se priste që ministrat e PD të iknin vetë nga Qeveria duke dhënë dorëheqjen. Ai u shpreh se misioni i tyre ka mbaruar, pasi lidhej vetëm me procesin e zgjedhjeve.

“Pres të largohen, sepse nuk kanë më arsye që të qëndrojnë. Misioni i tyre ka mbaruar me sukses të plotë dhe pres që të largohen”,- tha sot Rama. Kryeministri la të kuptohej se duhej dorëheqja e ministrave, pas shkarkimi i tre do të kërkonte një sërë lëvizjes ligjore, dekretin e Presidentit dhe rimbledhjen e Kuvendit.

Pas kësaj deklarate të kryeministrit Edi Rama për ministrat teknikë të PD në qeveri, ka reaguar zv/ kryeministrja Ledina Mandija. Në një deklaratë për mediat, Zv/ kryeministrja teknike lë të kuptohet se ministrat e PD do të largohen vetëm kur të dorëzohet raporti përfundimtar i zgjedhjeve. Në bazë të marrëveshjes Rama-Basha të gjitha ministritë do të hartonin një raport përfundimtar për problematikat e zgjedhjeve.

Zv/ kryeministrja teknike shprehet në qëndrimin e saj se ky raport duhet të ishte gati në datën 10 korrik. Por për shkak të problematikave, ministritë kanë vijuar të sjellin ende informacione për zgjedhjet edhe gjatë ditëve të fundit. ““Në përmbyllje të monitorimin  të kryer nga e ana e Task – Forcës bazuar në VKM 473/2017, duke u bazuar në informacionet dhe raportimet e bëra nga të gjitha ministritë dhe institucionet që kanë ngritur grupet e monitorimit gjatë fushatës elektorale, është duke u bërë vlerësimi dhe përpunimi i të dhënave  për të vënë sa më shpejt në dispozicion të publikut, subjekteve politike të interesuar, autoriteteve vendase dhe organizmave ndërkombëtar, raportin përfundimtar në lidhje me rezultatet e këtij monitorimi. Sqarojmë opinionin publik se afati përfundimtar për dorëzimin e raporteve përfundimtare ishte data 10 korrik 2017, ndërkohë që ende sot disa nga Ministritë përcjellin materiale informuese”,- deklaron Mandija.

Zv/Kryeministrja shprehet në qëndrimin e saj, se ministrat teknikë do të zbatojnë deri në fund vendimin për hartimin e raportit përfundimtarë. “Zyra e zëvendëskryeministres, Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task- Forcës për zgjedhjet 2017, siguron opinionin e publik se do të zbatojë deri në fund detyrimin që rrjedh nga VKM 473/2017 dhe garanton hartimin e një raporti përfundimtar, serioz dhe cilësor, që do t’i shërbejë në të ardhmen forcave politike, për të realizuar një nga misionet më jetike të demokracisë së vendit, garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm”,- shprehet Mandiaj në deklaratën e saj për mediat.

Gjashtë ministrat teknik të PD dhe zv/kryeministrja vijojnë të qëndrojnë në detyrë edhe pse kanë kaluar 3 javë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ditët e fundit deputetë të PS dhe media afër Kryeministrit Edi Rama kanë nisur sulmet ndaj ministrave teknikë. Sipas deputetëve të PD-së, Ministrat teknikë po marrin vendime që dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe po shkaktojnë pengesa në administratë.

Që nga betimi i Ministrave teknikë, kryeministri Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje të rregullt qeverie.

MINISTRAT TEKNIKË TË PD

Zv/kryeministër – Ledina Mandia

Minister i Brendshëm – Dritan Demiraj

Ministër i Financave – Helga Vukaj

Ministër Drejtësie – Gazmend Bardhi

Ministër i Arsimit dhe Sportit – Mirela Karabino

Ministër i Shëndetësisë – Arben Beqiri

Ministër i Mirëqenies Sociale – Xhuljeta Kërtusha.

SHKARKO APP