Ministri Balla: Ndëshkim dhunuesve të fëmijëve!

Nga Taulant Balla, ministër i Brendshëm-

Ministria e Brendshme dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së raportuar në Tiranë, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve.
Siç është raportuar në emisionin investigativ “STOP” mbi ngjarjen e ndodhur në një kopsht privat, rast për të cilin familjarët e fëmijës së dëmtuar akuzojnë strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, se nuk kanë kryer veprimet e duhura ligjore, Drejtori i Përgjithsëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit administrativ, me qëllim verifikimin e procedurave standarde të kryera nga punonjësit e Policisë.
Nga verifikimet paraprake të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka rezultuar se strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji, por është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.
Këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit, në emisionin investigativ “STOP”, dhe materialet shtesë janë dërguar në Prokurori, më datë 06.11.2023.
Njëkohësisht ka nisur procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për shtetasen M. D., me detyrë kujdestare në këtë kopsht, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Në përfundim të verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, parashikuar nga neni 209 i Rregullores së Policisë së Shtetit “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë” dhe u bë pezullimi nga detyra, për punonjësit e Policisë:
Komisar R. D., me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë;
Nënkomisar Y. Ç., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1;
Nënkomisar E. B., me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon stafin e emisionit investigativ “STOP” për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të paligjshmërisë. Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën, duke iu garantuar reagim të ashpër ndaj tyre, sepse për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme është shumë i rëndësishëm procesi i vetëpastrimit nga radhët e Policisë, i punonjësve që abuzojnë me detyrën dhe me ligjin.

SHKARKO APP