Ministri Xhafa përballë murit të fortë kriminal në policinë e shtetit

Policia e shtetit ka nevojë për dorë të fortë reformimi. Ka fakte skandaloze të implikimit të disa drejtuesve lokalë në rrjetet e kanabisit, ashtu sikurse ka fakte se disa prej tyre kultivonin vetë kanabis dhe merrnin para nga shitja e tij. Sikurse ka fakte se kryepolicë lokalë marrin “rrogë” mujore nga biznesmenë për akte kriminale ndaj ekonomisë së shtetit. Por rasti i Elbasanit zgjoi live vëmëndjen e shtetit se duhet riparë policia. Në aspektin e Vettingut, por edhe profesional.

Në gjithë incidentet dhe sulmet ndaj Policisë së Shtetit, të cilat nuk kanë munguar në çdo kohë dhe qeveri, por ai i Elbasanit është më domethënës. Në një aksion të madh të forcave të rendit kundër disa bandave të rrezikshme më 13 qershor, një makinë e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të policisë. Rreth 12 policë të armatosur rëndë, që ishin në vendngjarje, nuk arritën të neutralizonin personin që goditi dhunshëm mjetin e policisë. Nga videot që u publikuan në media, autori i sulmit u largua disa metra më tej në tregun ushqimor. Forcat e rendit qëndrojnë si “hunj gardhi” pas portës që qëndron e hapur edhe disa minuta pas goditjes. Drejtuesit kryesorë të Policisë së Elbasanit, që shihen në video, ndalohen si të ishin qytetarë të zakonshëm nga një roje parkingu që nuk i lejon të futen brenda. Absurde! Policia në SHBA të shkrin nëse nuk i ndalon e jo më ta godasësh dhe të mos e lejosh të hyjë pas antentatit-goditje ndaj drejtuesit të policisë.

Ajo çfarë është më e rëndë ka të bëj me me faktin se sot, 14 ditë më pas, Prokuroria dhe Policia e Shtetit nuk kanë ende zyrtarisht emrin e personit që goditi makinën e forcave të rendit. Paradoksi i kësaj ngjarje vazhdon edhe më tej, pasi personat e dyshuar për ngjarjen dhe që kanë lidhje me biznesin ku ndodhi incidenti, kanë paditur policinë për tejkalim kompetencash. Dmth jo vetëm që policia nuk veproi pasi e goditën, por edhe e padisin policinë.

Këto ditë në media debati është zhvendosur duke fajësuar policinë, e cila sipas ekspertëve nuk reagoi profesionalisht. Kritikat lidhen me faktin se në momentin e goditjes, punonjësit e policisë qëlluan drejt makinës së blinduar. Duket sikur në gjithë këtë histori, personat që sulmuan makinën e shtetit nuk kanë asnjë faj dhe ishin policët ata që i kanë rënë në qafë një qytetari.  Sigurisht që në atë operacion të policisë ka dhe mungesë profesionalizmi. Por nëse merremi vetëm me të metat e forcave të rendit, harrojmë një “detaj” shumë të rëndësishëm. Si ka mundësi që makina e nëndrejtorit të policisë sulmohet dhe sot nuk ka asnjë person të akuzuar zyrtarisht? Si ka mundësi që edhe pas një incidenti kaq të rëndë, forcat e rendit me antiplumb dhe kallashnikov ndalen para një porte hekuri dhe nuk e arrestojnë personin?

Më shqetësuese se detajet e ngjarjes mbetet pafuqia e forcave të rendit për të reaguar ndaj një situate që në çdo vend normal të botës do të cilësohej si skandal. Porta të cilën nuk e kalonin dot policët e Elbasanit i ka pasur “çelësat” të siguruar diku me mbështetje politike, dhe jo vetëm. Ngjarja tregon se shprehja aq e përdorur këto vite se “Po bëjmë shtet” nuk vlen njëlloj për të gjithë. Kemi parë një polici të aftë dhe ndonjë herë më shumë se sa duhet kundër qytetarëve të zakonshëm kurse në Elbasan shohim një polici “të tredhur”, që nuk reagon para një ngjarje shokuese që prek direkt drejtuesit e policisë. Qëndrimi i policisë në këtë ngjarje jep imazhin e një shteti që sillet me dy standarde, i fortë më të dobëtin dhe i trembur me të fortët.

Në të vertetë kjo është nga ato ngjarje ku përgjegjësia nuk duhet kërkuar vetëm te disa njerëz me uniformë. Përgjegjësia shkon më lartë dhe duhet kërkuar te mbështetja që politika u jep individëve problematikë. Reformimi i policisë së shtetit nisi si një aksion ndaj bandave katër vite më parë, duke akuzuar më të drejtë pushtetin e kaluar për lidhje me botën e errët të krimit. Sot rezulton se kanë ndryshuar vetëm bandat, ndërsa “të fortët” vazhdojnë të gjunjëzojnë shtetin.

Ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, ndryshe nga paraardhësit e tij ka një tjetër model drejtimi dhe të tjera koncepte strikte për ligjin dhe shtetin. Nëse do të mbahet mend si ministri që i dha dinjitet dhe profesionalizëm Policisë së Shtetit duhet të sjellë shembuj konkretë se ngjarje si kjo nuk përsëriten më. Dhe më tej; se do të shkatërrojë lidhjet e krimit në polici. Edhe më tej: se do të jetë i prerë në raport me çdo lidhje krim-polici-politikë.

Fatmir Xhafa ka realisht shumë punë për ta reformuar policinë e shtetit. E mori si një polici që u tha “model”, por model doli se ishte në mbjedhjen e bashkëpunimin me trafikantët e kanabisit. Natyrisht që ka drejtues e policë të motivuar e korrekt, por mes spaletave të uniformës blu, vegjetojnë dhe drejtojnë oficerë me lidhje kriminale.

Ministri Xhafa ka para tij një mur, në dukje, të pakalueshëm e solid të disa lidhjeve të krimit të organizuar me drejtues të veçantë në policinë e shtetit. Njerëzit presin nga Fatmir Xhafa, që pa mëshirë e pa seleksionim, të presë lidhjet të tilla kriminale dhe të ndëshkojë para ligjit çdo shkelës të tij. Kushdo qoftë.

Q.Xh.

SHKARKO APP