Ministri Bushati nuk reagoi kur ministri grek Kotzias u tall

Pritej që ministri i Jashtëm grek Kotzias të ishte me lart se ministri ynë Bushati. Kjo për shkak të moshës dhe eksperiencës së homologut grek, por jo vetëm për hir të moshës. Para se të nisej ministri grek nga Athina për Tiranë, kryeministri Rama ia përcaktoi fushëbetejën shqiptare se nuk jemi më si dikur që çdo fjale greke në takime të tilla i përgjigjeshim me ndrojtje. Dhe në Kongresin e PDIU, Rama shkoi jo vetëm si presion ndaj Ilir Metës e LSI (edhe për këtë), porse që t’i paraprijë palës greke e cila vinte sot në Tiranë “shinat” ku do ta kalonte. Edi Rama e tha mesazhin e tij nga salla e çamëve, problem që ka dekada që nuk po zgjidhet mes vendeve, pra që është çështja çame. Sa për kufirin detar ka në fuqi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe kryeministri tha se zbaton atë dhe nuk ka pika kthimi.

Kryeministri Rama ishte i qartë.

Deri sot sapo ngjiti shkallët e ministisë së jashtme të Shqipërise shoqëruar me protestën legjitime të çamëve, gjithçka dukej në normalitet diplomatik dhe ruajtje të interesave dhe kredibilitetit të Shqipërisë.

Por duke qenë grek e ku nuk duhet harruar asnjëherë “Kali i Trojës” , pra që mendja iu shkon për djallëzi, ministri grek pyetjes për deklaratën e ashpër të ministrisë së jashtme të Greqisë rreth deklaratave të kryeministrit Rama tek kongresi i PDIU iu përgjigj se nuk e kam bërë unë si ministër atë deklaratë, por qarqe brenda ministrisë!  Dhe ministri shqiptar Ditmir Bushati nuk u përgjigj, por heshti, bile gjeti një mënyrë jo korrekte që ta falenderonte palën greke, sikur të jetë Athina që na mban peng për në BE. Ministri Bushati duhej të mbronte kryeministrin e Shqipërisë ( jo si i punësuar) dhe të shtonte natyrisht me gjuhë diplomatike se kur një deklaratë del nga ministria e jashtme është deklaratë edhe e ministrit, por edhe e qeverisë. Nuk mundet që ministri Kotzias të tall “trapin” kaq hapur e kaq egër më ministrin tonë e indirekt me kryeministrin Rama.

Ku ka diplomaci në botë që një deklaratë të dalë nga ministria e jashtme dhe ministri të thotë me ironi se “ nuk e kam bërë unë, por disa punonjës të ministrisë ?!”. Ku ndodh kjo? Ndaj u tall me ministrin tonë e natyrisht edhe me Shqipërinë. Çdo gjë del sidomos nga ministria e jashtme kalon nëpër disa sita dhe merr OK nga ministri, aq me tepër kur flitej për një deklaratë të kryeministri fqinjë. Të tallet kaq hapur ministri grek ku na shpjegoi se “e kanë bërë të tjerët deklaratën kundër Ramës dhe unë nuk di gjë”! Ministri shqiptar duhej të reagonte me dinjitet ose mund të thoshte me finesë se ” kjo mund të quhet një falje publike nga pala greke për deklaratën e nxituar kundër kryeministrit Rama”.

E dyta kur ministri grek tha si nëpër dhëmbë se një pjesë e çamëve kanë bashkëpunuar me nazistët gjermanë dhe si për t’u tallur tamam tha se jo të gjithë çamët. Dhe ministri shqiptar heshti ose u spërdrodh para tij gjoja “të mos prishjes së partneritetit rajonal”.

Për dinjitetin e Kombit nuk mundet asnjeri të heshtë. Nuk themi të bëjë luftë, porse mënjëhërë duhet t’i kundërpërgjigjesh e të ruash vendin tënd dhe interesat e shtetit shqiptar. Natyrisht që t’i dalësh para një ministri grek duhet profesionalizëm,eksperiencë  dhe  dinjitet.

Kotzias edhe me deklaratën na poshtëroi, edhe me çamët na denigroi. Ndërsa ministri Ditmir Bushati qeshte që të mos e lëndonte ministrin grek!

Spiten Prulli

SHKARKO APP