Ministri i Brendshëm hedh poshtë Kryeministrin, Edi Rama
Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj u ka bërë thirrje sot gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit që të mos bëhen pjesë e fushatës elektorale, as gjatë dhe as pas detyrës.
Demiraj tha se ligjin ka dënime deri në 5 vjet burg për shkelje të ligjit nga uniformat blu. Qëndrimi i Dritan Demirajt është një përgjigje direkte që Ministri i Brendshëm i ka dhënë sot Kryeministrit Edi Rama.
Nga qyteti i Beratit, Edi Rama deklaroi se policët pas pune duhet të mbledhin vota për Partinë Socialiste. Por Demiraj tha sot se dalja e policëve në mitingje është vepër penale që dënohet rëndë dhe ai si Ministër do të zbatojë me përpikëri ligjin.
Qëndrimi i Ministrit të Brendshëm: Të nderuar përfaqësues të medias! Ju kam thirrur në këtë konferencë për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor. Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë të cilit i ndalohet:
- a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike
- b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.
Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet”. Më lejoni tju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera”.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=mKtIuwCL0rk&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
Më herët, ishte Lëvizja Socialiste për Integrim ajo që denoncoi qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama në Berat. Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama denoncoi t Kryeministrin Edi Rama si politikanin që po bënë veprime antiligjore në fushatën elektorale. Në një konferencë për mediat dhënë mbrëmjen e sotme, Luan Rama tha se Edi Rama u bëri thirrje antiligjore efektivëve të policisë që të përfshihen në fushatë elektorale. “Kryeministri i Rilindjes urdhëroi Policinë e Shtetit të mbledhëë vota për Rilindjen! Thirrja e Kryeministrit që policia të mbledhë vota për Rilindjen është e paligjshme!”,- tha ai. Luan Rama u bëri thirrje efektivëve të policisë të zbatojnë ligjin dhe të mos ndikohen nga deklarata të papërgjegjshme politike. Ai shtoi se ligji për Policinë e Shtetit nuk lë vend për asnjë keqkuptim kur thotë se policia është e depolitizuar dhe i ndalohet pjesëmarrja në aktivitete politike, gjatë dhe pas orarit zyrtar të punës. “Rilindasi që premton të bëjë shtet urdhëron policinë të shkelë ligjin! Policia e shtetit të distancohet nga thirrja e paligjshme e Kryeministrit! Asnjë polic të mos guxojë të shkelë ligjin duke mbledhur vota për Rilindjen se nuk do të ketë rilindas që mund ta shpëtojë nga ndëshkimi i ligjit”,- tha Luan Rama.
Lexoi edhe:
Pandeli Majko: Rama e kaloi cakun me deklaratën për policët
LSI denoncon Kryeministrin: Edi Rama, deklaratë skandaloze