Ministri që filloj punë edhe si polic rrugor në Tiranë

Ministri i Jashtëm, në detyrë, Gent Cakaj duke dashur të tregojë se po “punon” dhe bënë “reforma” të mëdha në institucionin që i delegoi kryeministri Edi Rama, paralajmëroi dje masa të forta ligjore ndaj konsujve të nderit. Në një konferencë për mediat, Cakaj deklaroi se 38 konsuj nderi që kryejnë aktivitetin në Shqipëri kanë bërë “shkelje të habitshme ligjore”. Sipas ministrit bëhet fjalë për makinat personale që përdorin këta diplomatë, të cilat i kanë pajisur me targa diplomatike CD (Corps Diplomatique/trupi diplomatik). Cakaj e cilësoi mbajtjen e targave nga konsujt e nderit si një shkelje ligjore të pajustifikueshme. Konsujt e nderit në Shqipëri janë qytetarë shqiptarë, biznesmenë, njerëz të medias, kulturës, etj që janë zgjedhur nga shtetet e tjera respektive për t’i përfaqësuar në Tiranë. Kuptohet nuk kanë rolin e një ambasadori apo të ngarkuari zyrtar me punë, por veç anës honorifike kanë dhe peshë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendit që i ka përzgjedhur. Në listën e konsujve të nderit të akredituar në Shqipëri janë 46 qytetarë. Ministri në detyrë Gent Cakaj përmendi vetëm 38 prej tyre si problematikë me ligjin dhe paralajmëroi se do të merren masa të rrepta, për targat. Sigurisht që me konsujt e nderit, si me shumë çështje të tjera në Shqipëri, mund të ketë probleme. Ka jo pak raste abuzimesh dhe devijim të misionit të tyre. Por detyra dhe aktiviteti i konsujve të nderit rregullohet në bazë të konventave ndërkombëtare për diplomatët, si dhe ligjeve të vendit për Ministrinë e Jashtme dhe trajtimin e përfaqësive të huaja. Praktikisht nuk ka nevojë që një zv/ministër apo ministër në detyrë të dalë dhe të bëj shfaqje për diçka që e parashikon apo e zgjidh ligji. Nëse mbajtja e targave diplomatike është shkelje ligjore, mjafton të udhëzohen me një shkresë institucionet e tjera dhe problemi zgjidhet. Nuk ka nevojë as për deklaratat shtypi dhe as për fushatë mediatike, njëlloj sikur të ishte zbuluar se problemi i diplomacisë shqiptare qenkan konsujt. Dje Gent Cakaj ka bërë më pak edhe se detyrën e një polici rrugor.

Fushata e nisur nga zv/ministri-ministër, zoti Cakaj, duket se vjen si përgjigje ndaj ngjarjes me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Nigeri, indianin Nitin Sandesara, i cili rezulton me probleme ligjore në vendin e tij të origjinës. Dje Cakaj tregoi se do të vendoste rregull duke kontrolluar gjithë konsujt për makinat e tyre. Por qytetarët duhen sqaruar se kemi të bëjmë me çështje të ndryshme. Indiani i emëruar si Konsull Nderi në Nigeri ishte caktuar nga autoritet shqiptare, pasi nga SHISH, policia dhe prokuroria kishte dalë si person pa probleme. Ndërsa konsujt e nderit që dje iu është kërkua dorëzimi i targave nuk janë zgjedhur nga Shqipëria, por janë vendet e tjera që i kanë sugjeruar si përfaqësues të interesave të tyre në Shqipëri. Pra Cakaj nuk po kontrollon konsujt e nderit të Shqipërisë, por të vendeve të tjera në Shqipëri. Një fushatë e tillë e bërë me kaq bujë dhe akuza nga ana e Ministrisë së Jashtme mund të sjellë dhe reagimin e shteteve që kanë konsujt në Shqipëri.  Akuzat ndaj konsujve për shkelje ligjore me targat ka sjellë dhe reagimin e një pjesë prej tyre. Zenel Hoxha, konsull Nderi i Afrikës së Jugut në Shqipëri, tha dje për “Koha Jonë” se vlerat e punës së konsujve nuk mund të krahasohen apo banalizohen me targat. Hoxha deklaroi se në dijeninë e tij, targat diplomatike janë kërkuar nga vendet që ata përfaqësojnë në Tiranë.  “Shërbimi nga konsullatat e nderit është në dobi të Shqipërisë dhe marrëdhënieve të saj me vendet përkatëse. Targat diplomatike janë kërkuar nga vendi që përfaqësojmë. Shteti shqiptar dhe shërbimi i tij i jashtëm kanë  treguar gjithmonë seriozitet në marrëdhëniet dy palëshe e më gjere në 106 vitet qe kur u krijua”,- tha Hoxha për “Koha Jonë”. Ndërsa Përparim Kalo, Konsull Nderi i Danimarkës në Shqipëri, e cilësoi si fyese deklaratën e ministrit në detyrë, Cakaj. Ai tha se shërbimi i konsujve vlerësohet nga vendet që përfaqësojnë dhe është e pafalshme të fyhen nga shteti shqiptar.  “Kërkoj që ministri të deklaroj publikisht që Përparim Kalo nuk ka bërë shkelje të habitshme, për të kompensuar sado pak dëmin që ka shkaktuar lajmi i përcjellë me aq bujë në media. Jam i nderuar nga Mbretëresha Margreth II e Danimarkës dhe është e padrejtë të çnderohem nga një ministër i komanduar i shtetit tim”,- shkruan Kalo në një përgjigje zyrtare që i ka kthyer Ministrisë së Jashtme për çështjen e targave.  Shqipëria pret në qershor një përgjigje për çeljen e negociatave. Në rajon kemi disa “hesape” pa mbyllur me Greqinë për çështjen e detit dhe Kosova ndodhet në momente delikate kur diskutohet edhe copëtimi i territorit. Këto tre çështje kryesore mjaftojnë për të mbajtur të angazhuar ditën dhe natën Ministrinë e Jashtme dhe çdo nëpunës të saj. Por në vend të këtyre çështjeve “periferike”, ministri i komanduar në detyrë Genc Cakaj zgjedh të bëj rolin e policit të trafikut dhe t’a ulë nivelin e diplomacisë në çështje targash.

Qamil Xhani

SHKARKO APP