Ministri Saimir Tahiri: Miliarderët e KLD-së nuk ma mbyllin dot gojën
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri iu përgjigj sot ashpër anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), të cilët kanë vendosur të ngrenë një padi ndaj tij.
Duke i quajtur miliarderë, Tahiri tha se “Këshilli i lartë i Pasurisë dhe Padrejtësisë i Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit nuk ma mbyll gojën”.
Në deklaratën e tij, Ministri Tahiri ka akuzuar anëtarët e KLD-së si pjesëtarë të atij që e ka quajtur “fronti i së keqes”, i cili sipas tij po përpiqet të pengojë reformën në drejtësi dhe reforma të tjera të kësaj qeverie.
“Anëtarët e KLD-së që ishin në mbledhje ku u ngrit padija ndaj meje më japin mundësinë të konstatoj se ky është këshilli i lartë i pasurisë dhe i padrejtësisë. Këta anëtarë janë sot pjesë e frontit të së keqes për të ndalur reformën në drejtësi, për të goditur qeverinë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe betejën tonë për një shoqëri të hapur e transparente, që bazohet tek shteti ligjor”, ka deklaruar Tahiri.
Duke theksuar se, kjo padi synon të pengojë luftën kundër pandëshkueshmërisë, Tahiri është shprehur i gatshëm të përballet me të dhe ka theksuar se, pavarësisht kësaj ai nuk do të heshtë.
“KLD, me padinë penale ndaj meje ka vënë një bast me të cilin jam gati të përballem në çdo kohë, përsa kohë besoj në paligjshmëritë që konsumohen nga gjyqtarët, që janë peng i mëkateve të tyre”, ka thënë Tahiri, i cili nuk ka tërhequr akuzat ndaj gjyqtarit që pezulloi nga detyra drejtorin e përgjithshëm të policisë, Haki Çako.
“Rasti për të cilin jam denoncuar publikusht, për të cilin KLD është angazhuar në një fushatë të paprecedentë ndaj meje është ai për gjyqtarin Arian Aliaj. Aliaj ka liruar nga burgu një të dënuar me 14 vjet burg për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe për këtë shkak është shkarkuar nga detyra. Nuk kam gënjyer për këtë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, gjyqtari në fjalë ka liruar edhe një vrasës e elementë të tjerë të dënuar për vjedhje me armë dhe dhunë. “Këto janë çështje për të cilat nuk hesht dot. KLD-ja nuk ma mbyll dot gojën”, ka vijuar Tahiri.
Ai ka akuzuar më tej anëtarët e këshillit se ndër vite kanë akumuluar një pasuri që shkon në 5 miliardë e 700 milionë lekë të padeklaruar.
“Këta anëtarë të KLD-së mbajnë në detyrë gjyqtarë që lirojnë vrasës. Kjo është koorporata e së keqes. Kjo është një betejë që sapo ka filluar dhe këshilli i pasurisë dhe padrejtësisë nuk do t’ia dalë kurrë në këtë proces”, ka shtuar Tahiri.